Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, konsideron se mbyllja e institucioneve financiare në veri, është e ndërlidhur me krijimin e Asociacionit, prandaj, mbyllja e institucioneve të tilla është e lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan RTV21. “Ambasada gjermane beson fuqishëm se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, është thellësisht e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë Asociacionin, që do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, mbylljen e institucioneve të tilla e shohim të lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigje. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se veprimet e fundit të Qeverisë në veri të vendit, nuk kontribuojnë për një konsensus tek vendet e BE-së, për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
