Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, deklaroi se vendi i tij nuk kërkon nga Serbia që të përzgjedhë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Duke folur për dialogun Beograd-Prishtinë, diplomati amerikan tha se është bërë një progres i madh, por disa obligime ende nuk janë përmbushur dhe se të dyja palët duhet të bëjnë shumë për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
“Disa obligime mbeten edhe më tej të pa zbatuara. Mungesa në avancimin e komunave serbe është shembull. Të dyja palët edhe më tej duhet të bëjnë më shumë nëse dëshirojnë të arrijnë te synimi për të konfirmuar plotësisht normalizimin e marrëdhënieve”, tha Scott për mediat serbe. Ai tha se vrasja e shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyqi më 1999 dhe djegia e Ambasadës së SHBA-së në vitin 2008, janë gjëra të cilat duhet të zgjidhen.