leoni

Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell qëndroi në Klinë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connelli, ka qëndruar në Komunën e Klinës, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve në asfaltimin e rrugës deri te Manastiri i Budisalcit, si dhe ka zhvilluar një takim me strukturat e pushtetit lokal në Klinë. O’Connell, bashkë me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kanë vizituar Manastirin e Budisalcit dhe kanë parë nga afër fillimin e punimeve të asfaltimit të rrugës. Në ceremoni, përveç zyrtarëve të Komunës së Klinës, të pranishëm kanë qenë edhe ushtarakë të FSK-së, zyrtarë të MKK-së, IOM-it, Policisë së Kosovës dhe qytetarë. Projekti për asfaltimin e rrugës 400 metra deri te Manastiri i Budisalcit është financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe me vlerë prej 32 mijë euro dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim me 8 mijë euro. FSK-ja, do të bëjë rregullimin, trasimin dhe shtruarjen e rrugës me zhavorr, ndërsa firma e kontraktuar do ta bëjë asfaltimin e saj. Me pas, Ambasadori, ka qëndruar në Komunën e Klinës, ku ka zhvilluar një takim me kryetarin Zenun Elezaj, nënkryetarin Besim Hoti, kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Klinës, Fadil Gashi dhe drejtorin Lorenc Marleku. O’Connell, është shprehur i kënaqur për bashkëpunimin me Komunën e Klinës, FSK-në dhe MKK-në, në realizimin e këtij projekti që krijon qasje më të lehtë për komunitetin në kryerjen e riteve fetare. “Puna e përbashkët është shumë e rëndësishme, sidomos kur ndihmojmë qytetarët”, ka thënë ambasadori. Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar Ambasadorin për vizitën në Komunën e Klinës dhe ndihmën në realizimin e këtij projekti dhe e ka njoftuar atë se dy problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët është uji i pijshëm dhe ujërat e zeza. Do të hartojmë një studim fizibiliteti për trajtim të ujërave të zeza për të parë mundësinë e investimeve me buxhet të Komunës dhe donatorëve tjerë vendorë e ndërkombëtarë, ka thënë Elezaj. Sipas tij, Komuna bashkë me Qeverinë e Kosovës, planifikon edhe ndërtimin e rrugës transitore, ku do të lirohej qyteti i Klinës nga lëvizja e automjeteve që vijnë nga Skenderaj dhe Istogu. Elezaj, e ka njoftuar Ambasadorin Britanik, se kjo komunë ka pasuri të mëdha minerare, të cilat nuk janë duke u shfrytëzuar dhe Komuna është e gatshme të ofrojë kushte për investitorë në bashkëpunim me nivelin qendror. “Do të promovojmë pasuritë tona për t’iu hapur rrugë investitorëve”, ka thënë kryetari Elezaj.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …