Ambasadori francez në Beograd, Jean Louis Falconi, gjatë një debati online dedikuar raportit të Francës me Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Kosova nuk e meriton liberalizimin e vizave. “Kur flisni për vizat në Kosovë unë nuk dua të flas me kompetencë, sepse unë nuk jam ambasador i Francës në Kosovë. Por dua të them së pari se, Kosova nuk po përkushtohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe pika e dytë është se, ka kushte speciale për liberalizimin e vizave që nuk janë përmbushur nga Kosova”, ka thënë ambasadori. Diplomati në këtë mënyrë iu përgjigj kritikave të ekspertit për Ballkanin, Loic Tregoures, i cili vlerësoi se në opinionin francez ka një nyjë që nuk po zgjidhet dot karshi liberalizimit të vizave për Kosovën.
