Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Antonelo De Riu, thotë se nëse marrëveshja e planit evropian synohet të funksionojë, duhet dhënë pëlqimin e plotë për atë dokument. Ai i drejtoi një kërkesë kryeministrit Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. ”U është kërkuar të dyja vendeve, sepse të dyja vendet, si Kosova edhe Serbia, nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje bazë, e cila megjithatë parashihte një aneks, por këto dy dokumente nuk u nënshkruan. Sot për sot, mund të flasim për një deklaratë politike, pra ka një angazhim nga të dy liderët për të çuar përpara parimet që janë vendosur në marrëveshjen bazë. Por, që marrëveshja bazë të funksionojë duhet dhënë edhe pëlqimin për atë dokument që përcakton hapat që do të bëjnë të mundur zbatimin e marrëveshjes. Prandaj, është një angazhim për të dy, veçanërisht për kryeministrin e Kosovës është kërkesa që të vazhdohet me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori, Antolelo De Riu.
