Ambasadori i Turqisë në Kosovë qëndroi në Viti

Ambasadori i Turqisë në Kosovë Çağrı Sakar, ka qëndruar në Viti, me ç’rast është pritur fillimisht nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, e më pas ka vizituar edhe Njësinë punuese për përpunimin e qumështit në Viti, ku është bërë investim në kuadër të një projekti të TIKA-së turke. Në takimin me udhëheqësit komunal, kryetari Haliti fillimisht shprehu falënderim për gjithë angazhimin e Qeverisë turke nëpërmjet organizatës TIKA, për mbështetje të projekteve. Kryetari Haliti, më pas e njoftoi ambasadorin Sakar, për aktivitetet komunale, projektet e realizuara dhe ato që janë në realizim e sipër, e po ashtu edhe për nevojat që ka komuna e Vitisë për investime në projektet e reja në të ardhmen, ku edhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim e bashkëfinancim. “Komuna e Vitisë njihet si komunë me një kualitet të pasur të tokës bujqësore dhe investimet në këtë fushë, janë tejet të rëndësishme me që mbështesin edhe zhvillimin ekonomik të komunës sonë. Mbështetja e ekonomisë familjare, si dhe përkrahja e shoqatave të grave, kanë qenë edhe përkushtim i yni në vazhdimësi të cilës edhe i kemi dhënë prioritet”, tha kryetari Haliti. Ndërsa ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, u interesua edhe për nevojat tjera në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe zhvillimit ekonomik. Ai u shpreh se Turqia ka qenë përkrahëse e Kosovës gjithnjë, duke konsideruar se të dyja vendet kanë lidhje të forta jo vetëm njerëzore, me që një numër i madh shqiptarësh jetojnë në shtetin turk, por edhe në fusha të tjera ekonomike, sociale, kulturore e arsimore. “Do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në çdo aspekt. TIKA është institucion lokomotivë sa i përket ndihmës në Turqi, andaj edhe janë realizuar një varg projektesh në Kosovë, përmes TIKA-së. Ambasadori Sakar ka njoftuar se deri më tani përmes TIKA-së janë investuar në 230 projekte në fushën e arsimit, qindra projekte të shëndetësisë, 40 projekte në fushën e bujqësisë etj. Kurse për projektin e pajisjeve për prodhimin e produkteve të qumështit të dhisë për shoqatën “Gratë e Goshicës”, të cilat janë dhuruar po ashtu nga ana e Agjencisë turke për bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ai tha se është projekt i rëndësishëm për zhvillimin e blegtorisë, dhe se po mbështetet një shoqatë e grave, që mund të shërbej për iniciativat e reja të organizimit të grave në këtë komunë. I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të projektit të pajisjeve për përpunimin e qumështit, ishte edhe koordinatori i TIKA-së Cihan Dinçer, i cili po ashtu shprehu kënaqësinë për inaugurimin e këtyre pajisjeve dhe u shpreh i gatshëm që të vazhdoj bashkëpunimi me Institucionet komunale të Vitisë, për realizimin e projekteve të reja dhe mbështetje të sektorëve të ndryshëm. Në shenjë mirënjohje për punën dhe angazhimin, si dhe për mbështetjen e deritanishme përmes projekteve në komunën e Vitisë, kryetari Haliti e nderoi me mirënjohje koordinatorin e Agjencisë turke për bashkëpunim dhe Koordinim TIKA, Cihan Dinçer. Pas këtij aktiviteti ata kanë vizituar edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, ku u pritën nga Drejtoresha e kësaj qendre, Dr. Vjollca Kadolli-Halili për të parë nga afër donacionet që kishte pranuar kjo qendër e mjekësisë në Viti nga TIKA-Turke.

Fotografia e Komuna e Vitisë

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …