Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë i shoqëruar nga Kryetarja e Grupit të Grave deputetet në Parlamentin e Kosovës Blerta Deliu-Kodra, ka vizituar Komunën e Skenderajt, ku është pritur nga Nënkryatari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura.
Nënkryetari Nura i shprehu mirëseardhje ambasadorit norvegjez dhe e falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka pasur Komuna e Skenderajt me shtetin e Norvegjisë edhe në të kaluarën. Ai shprehu kënaqësinë për ndihmën e Norvegjisë dhënë Skenderajt me rastin e ndërtimit të Qendrës së Kompetencës.
Nura e informoi ambasadorin Braathu me punën që po bënë kjo shkollë dhe avancimet e saj si për nga numri në rritje i nxënësve po ashtu edhe me ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në këtë institucion.
Ambasadori norvegjez Jean Braathu u shpreh i kënaqur në lidhje me raportimet pozitive sa i përket Qendrës së Kompetencës në Skenderaj. Ai u shpreh se shteti i Norvegjisë ka një pjesë të tij në Skenderaj duke përmendur investimin në ndërtimin e shkollës profesionale.
“Qëllimi i ndërtimit të shkollës ka qenë që të ndihmojmë të rinjve që të specializohen në aspektin profesional dhe të kenë mundësi të punojnë në vendet e BE-së, pasi certifikatat që marrin të rinjtë nga kjo shkollë janë të vlefshme dhe njihen nga vendet e Bashkimit Evropian, kështu që edhe mundësitë e punësimit në këto vende janë të mëdha në disa fusha specifike, për të cilat nxënësit e Qendrës së Kompetencës janë të përgatitur”, tha ambasadori Braathu.
Në lidhje me zhvillimet e përgjithshme në Kosovë ambasadori norvegjez u shpreh optimist për perspektivën e Kosovës, pasi sipas tij Kosova ka kapacitetet që të zhvillohet në aspektin ekonomik. Ai po ashtu u shpreh se Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm për një kohë te shkurtër, krahasuar me pozitën në të cilën ka qenë në vitin 1996 ose 1999.
Kryetarja e Grupit të Grave deputete Blerta Deliu Kodra falënderoi ambasadorin Braathu për kontributin e Norvegjisë në të gjitha proceset që ka kaluar dhe po kalon Kosova.
Pas takimit ambasadori Jean Braathu i shoqëruar nga deputetet e Parlamentit të Kosovës ka vizituar edhe Qendrën e Kompetencës, që është ndërtuar në vitin 2011 falë donacionit të Norvegjisë dhe Qeverisë së Kosovës