Në përmbyllje të këtij viti dhe për të shënuar bashkëpunimin e ngushtë në mes UBT-së dhe Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, ambasadori Qemal Minxhozi mbajti një diskutim të hapur me stafin dhe studentët e UBT-së, me të cilët bashkëbiseduan për çështjet më të rëndësishme që i kanë karakterizuar shtetet tona gjatë vitit që po e lëmë pas, përfshirë arsimin, ekonominë, turizimin dhe konkretizimin e marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve në të ardhmen.
Si një institucion i profilizuar në arsim, rektori i UBT-së, prof. Dr. Edmond Hajrizi fokusin e fjalimit të tij e vendosi tek bashkëpunimi për ngritjen e nivelit të arsimit, me ç’rast theksoi se është çështje jetike shfrytëzimi i potencialeve të akademisë për ngritjen e kompetencave profesionale në fushat që janë në interes për të dy vendet.
“UBT shpreh gatishmëri për të bashkëpunuar me universitetet e Shqipërisë, në mënyrë që studentët e Kosovës dhe Shqipërisë të kenë qasje në marrjen e diplomave të dyfishta, dhe po ashtu, të fitojnë mundësi edhe për mobilitet”, tha Rektori Hajrizi.
Në anën tjetër, gjatë bashkëbisedimit të tij me të pranishmit, ambasadori Qemal Minxhozi trajtoi çështjet më të rëndësishme, të cilat, sipas tij, ndikuan drejtpërdrejtë në zhvillimin e të dy shteteve, dhe që, do të ndryshojnë edhe në të ardhmen e bashkëpunimit. Me këtë rast, fokusin e vendosi tek ulja e tarifës në zero, nisur nga 15 qershori i vitit 2019.
Duke iu referuar sferës ekonomike, ai tregoi se me ndryshimet që kanë pësuar politikat ekonomike të vendeve gjatë dy viteve të fundit, është shënuar rritje e shkëmbimit të mallrave.
“Për dy vitet e fundit kemi rritje të eksportit në vlerën prej 70 deri në 80 milion euro, që do të thotë se Kosova e ka partner kryesor ekonomik Shqipërinë. Ndonëse Shqipëria ka një nivel më të ulët të eksportit në Kosovë, megjithatë kjo shifër ka shënuar rritje për dallim nga vitet e kaluara”, sqaroi Minxhozi.
Një fushë me shumë rëndësi për të ardhmen e shteteve, ambasadori e konsideron edhe turizmin, me ç’rast theksoi se nevojitet bashkëpunim më i ngushtë, por për këtë shpjegoi se paraprakisht duhet të largohen barrierat ligjore.
Diskutimi u pasurua me pyetjet e të pranishmëve, të cilët paraqitën dilemat e tyre mbi problematikat e energjisë elektrike, mundësinë për punësim të klasës punëtore nga Kosova në Shqipëri, krijimi i projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë, etj.