Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku ka njoftuar se raporti tremujor i UNMIK-ut për Kosovën, i cili do të duhej të paraqitej në muajin gusht para Këshillit të Sigurimit, është hequr nga agjenda me insistimin e a ambasadores së Britanisë. Çitaku duke e quajtur këtë një fitore të madhe, ka falënderuar ambasadorët e Britanisë, SHBA-së dhe Francës. Raportimi i UNMIKut është hequr nga agjenda me c’rast eshte thyer rregulli i raportimit te rregullt 3 mujor per Kosoven, ka saktësuar Vlora Çitaku.
Zyrtarë serbë, edhe pse kanë pasur paranjoftime se Britania e Madhe nuk do ta vërë në rend dite debatin për situatën në Kosovë, e kanë pritur me shumë nervozë këtë hap të saj e i cili paralajmërohet të ndiqet edhe nga vende të tjera anëtare të KS-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Më të zëshmit ndaj këtij vendimi të Londrës, kanë qenë ministrat serbë “kujdestarë” për Kosovën, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq. “Tash nuk guxohet as të flitet çfarë po ndodh në Kosovë”, ka thënë Vulin pas lajmit se Londra nuk ka lejuar raportim për Kosovën. Sipas ministrit serb, Britania e Madhe e ka keqpërdorur kryesimin e Këshillit të Sigurimit dhe e ka larguar nga rendi i ditës raportimi e rregullt për situatën në Kosovë. Vulin ka shtuar se Londra ka bërë përpjekje të mëdha të miratohet rezoluta e cila serbët i bën popull gjenocidal, por Rusia ka vënë veto.