Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kandidatët e dalë nga koalicioni i tij dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim, “Shtëpia e Lirisë”, për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Kur prej tre ditësh në vend ka nisur zyrtarisht fushata elektorale, ambasadorja Kim ka vendosur që me një postim në rrjetet e saj sociale, të rikujtojë edhe njëherë se ish-kryeministri Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera në postimin e saj, ajo u kërkon të dijë nga kandidatët e mbështetur nga Sali Berisha, se çfarë po u premtojnë qytetarëve kur në fakt ish-kryeministri është i sanksionuar nga Amerika. Po ashtu ngre pyetje të tjerë, se kujt do t’i përgjigjen në rast se fitojnë, Berishën apo LSI-së? E po ashtu, i pyet se çfarë presin edhe nga Amerika, kur qartësisht kanë dalë kundër tyre. “Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i sanksionuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin nga SHBA?”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.
