Ambasadori i Amerikës në Serbi, Kristofer Hill, ka bërë të ditur se Uashingtoni zyrtar ka kërkuar shpjegim nga Serbia, që të sqarojë se çka ka nënshkruar ministri i Jashtëm, Nikolla Selakoviq me ministrin rus, Sergej Llavrov, në Nju Jork. Duke folur për gazetarët në Beograd, Hill ka thënë se, javën e kaluar, në Nju Jork janë mbajtur bisedime të shkëlqyeshme midis delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë, por se në fund të tyre është mësuar për nënshkrimin e një protokolli. “Në këtë kohë, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë. Shumë pak edhe e bëjnë këtë. Vetëm ata rekrutë të mjerë që po mobilizohen për të shkuar në luftë, në Ukrainë, ka thënë ambasadori amerikan. Dokumenti për bashkëpunim, të cilin e kanë nënshkruar Serbia dhe Rusia, ka shkaktuar reagime të ashpra brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë kanë thënë se duhet të mendojnë edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Ebropian.
