Shtetet e Bashkuara i mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, por kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjate dhe të kujdesshme, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit. “Kosova mund ta dëshmojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO, duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe duke mos devijuar prej tij”, shtoi zëdhënësi. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që “ta ndihmojnë Kosovën për të siguruar vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”. “Ne vazhdojmë ta mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës derisa ajo bën përparim të rëndësishëm dhe domethënës në planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit, i cili është zhvilluar me mbështetjen e SHBA-së, me qëllim të ndërtimit të një force mbrojtëse shumetnike, që nuk është vetëm në gjendje të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por edhe të kontribuojë në përpjekjet globale të sigurisë përtej kufijve të saj”, tha zëdhënësi. Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri të plotë që nga viti 2018. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …