Amerikanët kanë kërcënuar hapur presidentin Ilir Meta për kërcënimet për kaos e dhunë. Presidenti dje në mbrëmje doli në një studio televizive, ku dhe po lëshonte mesazhe kritike ndaj ambasadores, ndërsa u ndal sërish te rrëmbimi i sfurqeve. Ambasadorja i dërgoi një mesazh LIVE ku i kërkoi të mos i përmendë më sfurqet, ndërsa pak sekonda më pas plasi bombën në rrjetet sociale. “Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 Prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal”, shkruan Yuri Kim. Deklarata e saj ishte një paralajmërim i hapur se pas 25 prillit presidenti do të ndëshkohet për thirrjet luftënxitëse. Ky është rasti më i paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar, pasi ambasadorja e ka kërcënuar dje hapur presidentin. Të enjten pati një takim mes tyre, i cili duket se nuk ka ecur shumë mirë. Duket se tashmë presidenti do të ketë shumë telashe me amerikanët, pasi kush hyn në listën e zezë të tyre dihet fundi.
Paralajmërimet e ambasadores
Edhe gjatë paradites ambasadorja dha dy mesazhe për qetësi. Ditën e djeshme kandidati i PD, Xhelal Mziu, bëri të ditur se janë ngritur grupet e gatshme të mbrojtjes së votës dhe se kushdo që do tentojë, sipas tij, të blejë votën do ta pësonte si “ai në Elbasan”, duke iu referuar konfliktit që degjeneroi në vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Pas kësaj deklarate që shkaktoi shumë reagime, Mziu ka kërkuar falje. Por, sigurisht kjo deklaratë që nxit dhunë nuk i ka shpëtuar ambasadores Kim, e cila ka reaguar menjëherë përmes një postimi në Twitter. Edhe pse e vlerësoi ndjesën e Mziut, Kim theksoi se ngjarja e Elbasanit nuk duhet të përsëritet dhe ideja e grupeve të armatosura duhet të mbetet në të shkuarën, madje as të mos përmenden në një vend demokratik. Kim iu bëri thirrje partive të reflektojnë për çka ndodhi në Elbasan sepse SHBA nuk do tolerojë as fjalën më të vogël që nxit dhunë dhe shkakton destabilitet. “Më vjen mirë që shoh një ndjesë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës, një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë. Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë këtë Shqipërinë larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë”, shkruan Yuri Kim.
Romeo Kara: Meta-Berisha po tentojnë destabilitet, janë ata frymëzuesit e vrasjes dhe grupeve paramilitare, duhet të burgosen e t’u sekuestrohet pasuria
Ambasadorja thirrje SPAK-ut
Nga ana tjetër ambasadorja amerikane ka drejtuar një thirrje edhe për forcat e SPAK. Duke i mëshuar edhe njëherë faktit se zgjedhjet e 25 prillit duhet të zhvillohen në qetësi dhe liri të plotë, Kim i ka përmendur SPAK rolin e rëndësishëm që ka. Përmes një postimi në Tëitter ajo i ka kërkuar këtij institucioni që të mos bëjë asnjë tolerim dhe të ndjekë penalisht këdo që dyshohet për krim zgjedhor. Sipas Kim, duhet të ndiqen njësoj si rastet kur ka blerje vote edhe rastet kur ka nxitje për dhunë, duke mos toleruar askënd, pavarësisht emrit, postit apo cilës parti i përket ai që shkel ligjin. “Ne e nxisim SPAK-un të ndjekë penalisht ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe. Kjo përfshin ata që merren me blerjen e votës, frikësimin ose nxitjen e dhunës. SPAK po heton në mënyrë aktive për krimet e zgjedhjeve”, ka shkruar ambasadorja. Gjatë ditës së djeshme, Kim ka vazhduar në deklarata të shpeshta, në të cilat thekson se zgjedhjet që do të mbahen nesër duhet të jenë të lira dhe këtë detyrim e kanë autoritete shqiptare. Për të ritheksuar këtë mesazh vetëm dy ditë para zgjedhjeve, ambasadorja ka shpërndarë thirrjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington, që u kërkon autoriteteve shqiptare që t’u sigurojnë votuesve mundësinë për të votuar të lirë nga frikësimi dhe dhuna më 25 prill. ( Gazeta Sot)