Nëse kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e pranon planin evropian, franko-gjerman për Kosovën, të mbështetur nga SHBA-ja, analistët serbë vlerësojnë se kjo nuk do të kalojë pa pasoja të këqija për qytetarët e Serbisë. Sipas Sreçko Gjukiqit, një ish-diplomat serb, disa skenarë janë në lojë. “Njëri skenar, më i favorshmi, është që të ofrohet sa më parë një plan tjetër që nuk do të përmbajë dispozitën e kontestueshme për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Megjithatë, kjo është vërtet e pamundur sepse gjithçka që po bëhet po bëhet për legjitimimin e Kosovës në këtë organizatë botërore dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, pa njohje formale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Gjukiq. Goran Miletiq, thotë për ”Danas” se është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe gjithçka të mbetet e njëjtë, pa asnjë pasojë negative. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje gjatë qëndrimit në Vjenë tha se Kosova e pranon planin franko-gjerman dhe se Serbia e refuzon.
