Një analist me përvojë i Ballkanit thotë se Shtetet e Bashkuara po i trajtojnë tani marrëdhëniet me Serbinë dhe me Kosovën si çështje të një rëndësie strategjike. James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, tha se rregullimet territoriale janë çështje taktike dhe se SHBA po e hedhin vështrimin më larg, në mënyrë që palët të mos mbeten në pozicionet e tyre të vjetra. Hooper komentoi rreth një deklarate të bërë nga Këshilltari i kryetarit Trump për Sigurinë Kombëtare, i cili tha se nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, SHBA nuk do ta pengonin një rregullim territoresh. Sipas tij kjo nënkupton se SHBA tani po i trajtojnë marrëdhëniet me Serbinë dhe me Kosovën si çështje të një rëndësie strategjike për Amerikën. Duke nënvizuar se SHBA-të duan një rezultat të negociuar. Nëse do të arrihej një marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe që përfundon me hyrjen e Kosovës në OKB, gjë që do të ishte një hap gjigant për Kosovën, për rajonin dhe për Serbinë, atëherë do të ishte plotësisht e mundur të mendohej për disa korrigjime kufijsh në mënyra konstruktive, që do të përfshinin veriun, ka thënë ndër të tjera ai.
