Andrea Dushi: Pse terroristët nuk vijnë në Shqipëri

Andrea Dushi: Pse terroristët nuk vijnë në Shqipëri

“Ditë të zeza do vinë për juve” ishte fjala më kryesore e atij fjalimi që u mbajt për Shqipërinë nga një mysliman, të cilin nuk e quajnë mysliman. Fjalia në vetvete ka gabime drejtshkrimore, imagjino se sa real mund të jetë një kërcënim nga një analfabet. Por në fakt këtyre njerëzve duhet tua kesh frikën. Kemi mjaft raste njerëzish të cilët nuk dinë të flasin, aq më tepër të shkruajnë në shqip, dhe janë pikërisht këta njerëz të cilët e kanë shkatërruar Shqipërinë. Kur kupton se ai që nuk dallon gjinitë është njeriu i cili i kishte hipur kalit Shqipëri për 24 vjet dhe i cili edhe pse tani është ulur e mban gjithnjë të shtrënguar nga frerët duke mos i krijuar mundësi të lëvizë, kupton se ditët e zeza kanë kohë që kanë ardhur dhe shpreson që tani të fillojnë të zbardhen pak. Gjithsesi Shqipëria vuan për zbardhues, ashtu si për çdo gjë tjetër cilësore. Por gjithsesi ju që mbështesni ideologjinë e “ditëve të zeza”, më lejoni t’iu them se për çfarë duhet ta ketë pasur ai terroristi shqiptar.

A nuk ju është dukur ditë e zezë kur në Shkodër në Shtëpinë e fëmijës një herë del një video me zë e me figurë ku dhunohen disa fëmijë? Apo kur pas pak kohësh na dalin disa të tjera raste në atë shtëpi, nga dhuna e cila ishte bërë rutinore e deri tek ngacmimet seksuale pedofile të neveritshme? Po kur u shfaq çfarë ndodhi në Dibër ku kryebashkiaku “i nderuar” i atij vendi bëri atë gjënë e turpshme që s’dua ta them? Po kur nga Shtëpia e Njerëzve me Aftësi Ndryshe dalin pamje të disa karrigeve me pranga të hekurta ku lidheshin ato të cilët ishin ndryshe? A nuk ju është dukur një ditë e zezë dita kur një i burgosur për vjedhje dritash vetvritet sepse nuk kishte as me çfarë të paguante gjyqin se dritat jo e jo? Po kur në një rrugë shumë të frekuentuar një grua së bashku me fëmijët e saj duke dashur të shkojë të vizitojë të shoqin në burg aksidentohet duke lënë të vdekur në vend në mënyrë makabër dy fëmijët e saj? Dhe për çfarë ishte burri në burg? Sepse dëshironte që të meremetonte çatinë e shtëpisë së vet. Nëse këto e shumë të tjera juve nuk ju është dukur një ditë e zezë, mua më është dukur e tillë.

A nuk ju janë dukur ditë të zeza të gjitha ditët kur po bëheshin negociata për “Reformën në Drejtësi” e ku sapo mbërrihej diçka e cila afronte konsensusin mbinte diçka tjetër e cila e linte atë vend numëro? Për këtë arsye ata të ISIS e kanë mbajtur zotimin e tyre për të sjellë ditë të zeza për Shqipërinë. Kështu që ato sulmet që kanë menduar për t’i kryer në Shqipëri kanë vendosur që t’i kryejnë në vende të tjera, sepse Shqipëria nuk ka nevojë për sulme terroriste që të pësojë ditë të zeza. Shqipëria vjen era brengë. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …