ANITA SUSURI; INTERVISTË ME AHMET QERIQIN

ANITA SUSURI; INTERVISTË ME AHMET QERIQIN

  1. Ju lutem prezantohuni, datën e lindjes vendin dhe na tregoni diçka për prejardhjen e familjen tuaj?

 

Jam i  lindur më 24 dhjetor të vitit 1946, në Krojmir. Jam i martuar dhe kam katër bija, të martuara dhe dy djem, po ashtu   të martuar. Deri tani jam bërë 11- herë gjysh, kam katër mbesa  dhe 7 nipa. Shkollën fillore e kam mbaruar në Krojmir-Drenicë. Tetëvjeçaren dhe të mesmen, (në të njëjtën kohë edhe Medresenë), në Prishtinë. Në vitin e tretë të Medresesë më kanë dënuar me burg për kundërvajtje politike dhe më kanë  përjashtuar përgjithmonë nga shkollat fetare. Kam, mbaruar në afat dhe sukses meritor  Fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në vitin 1973, ndërkohë kam kryer edhe studimet pasuniversitare. Disa herë kam qenë i dënuar për veprimtari anti-jugosllave. Për herë të parë në moshë të mitur, në nëntor 1965, (dy muaj burg, një vit me kusht), herën e dytë në vitin 1975, (dy muaj). Herën e tretë më kanë  dënuar në vitin 1980, 18 muaj burg, ndërsa herën e fundit në vitin 1982, tetë vjet burg, për veprimtari nacionaliste dhe irredentiste. Kam qenë pjesëmarrës i ilegales patriotike dhe i luftës së UÇK-së. Gjatë luftës dhe pas luftës, kam qenë drejtor i Radios-Kosova e Lirë, detyrë të cilën e ushtroj edhe aktualisht…

 

Ahmet Qeriqi u lind në Krojmir të Drenicës jugore, më 24. 12. 1946 ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën tetëvjeçare, paralel me kolegjin fetar islam, i kreu në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Ka vazhduar mësimet në Medresenë e mesme deri në dhjetor të vitit të tretë, kur më 6 nëntor të vitit 1965, u arrestua dhe u dënua dy muaj burg për vepër penale, propagandë armiqësore, së bashku me medresistët, Riza Gjoka nga Anamali  dhe Shemadin Akiti nga Zajazi i Kërçovës. Për këtë shkak Drejtoria e Medresesë e përjashtoi nga shkolla, pa të drejtë regjistrimi në shkollat fetare të ngjashme në RSFJ. Dënimin e ka mbajtur në Burgun e Prishtinës në muajt nëntor dhjetor 1966. Gjatë viteve 1967-1969 ka kryer shërbimin ushtarak ne Krizhevci të Kroacisë. 

Pasi ka kryer me sukses provimet pranuese në vitin shkollor 1969-1970 është regjistruar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Dega, Gjuhë me Letërsi Shqipe, të cilin e ka kryer me sukses në vitin 1973.

Në vitin 1971 është martuar  me Zymryte Vehbi Shamollin nga Shala, (Ish-Sedllar). Ka katër bija dhe dy bij: Antigonën, Arbanën, Labërien, Rrezartën, Epirin dhe Zamirin. Është  gjysh i njëmbëdhjetë nipave e mbesave.

 Prej vitit 1973 e deri në vitin 1978 ka punuar profesor i gjuhës shqipe dhe latine në Gjimnazin e Ferizajt dhe të Vitisë. Prej vitit 1978  e deri në mars të vitit 1981 ka punuar në Akademinë Pedagogjike dhe në Shkollën Teknike të Prishtinës. Ka kryer edhe  studimet e shkallës së Tretë, në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe,  në Prishtinë.

Më 1 dhe dy maj të vitit 1975, ishte në Bullgari, së bashku me, Sytki Selmanin nga Shkupi dhe Muharrem Bajraktarin nga Ferizaj. Atje ishte furnizuar me “literaturë të ndaluar” në ambasadën e Shqipërisë, në Sofje. Në mbrëmjen e 3 majit, në përpjekje për ta dërguar literaturën e fshehtë në Krojmir, në dalje të Shtimes, në orët e mbrëmjes, policia vendore e stopon, por ai nuk ndalon dhe pas tri orë ndjekje nga veturat e policisë së Shtimes e të Therandës,  literaturën e ndaluar e fsheh në varrezat e fshati Bllacë. Gjatë kthimit bie në pritë të policisë, rrahet brutalisht nga Hasim Milici, polic në Shtime dy policë nga Theranda-ish Suharekë dhe nga komandanti serb i Stacionit të policisë në Shtime, Gjorka”. Dënohet dy muaj burg për armëmbajtje pa leje  dhe hapet hetimi për vepër penale “pengim në detyrë i personit zyrtar”. Me ndihmën juridike, që i kishte ofruar ish shoku i tij i Medresesë, asokohe kryetar i Gjyqit komunal të Ferizaj, Rifat Abdullahu, lirohet nga ndjekja penale, “pengim në detyrë i personit zyrtar”. Burgun për kundërvajtje e ka mbajtur në Ferizaj në tetor- nëntor të vitit 1975.

Në vitin 1977 ka regjistruar shkallën e tretë studimeve në “Letërsi shqipe”ku ka kryer edhe provimet në vitin 1979.

Në tetor të vitit  1979, pas bastisjes që i bënë në shtëpinë e tij në Shtime, inspektori i UDB-së, Adem Goga (Ibrahimi) Muharrem Gagica, komandant i Policisë së Ferizajt  dhe policët e stacionit të Shtimes i zbulojnë dy fletore me shkrime e poezi. Për shkak të përmbajtjes kombëtare të shkrimeve, të cilësuara si shkrime anti-jugosllave, në nëntor të pa atij viti hapet procedura për,  “Propagandë armiqësore”, sanksionuar nga neni 133 i LPJ-së” dhe fillimisht dënohet gjashtë muaj burg. Pas ankesës së prokurorit, Reshat Millaku, i shqiptohet dënimi përfundimtar 1 vit e gjashtë muaj.

Me veprimtari ilegale është marrë prej vitit 1964, së bashku me Feti Mehdiun, për mes së cilit është vënë në kontakt me  Sabri Nososellën, anëtar i LRBSH-së. Ka mbajtur kontakte ilegaliteti  me medresistët: Riza Gjoka, Shemadin Akti, Hasan Ballovci, Mehmet Gashi. Po ashtu ka bashkëvepruar edhe me Imer Hysiqin dhe Jakup Nuhi Hysiqin nga Shtimja dhe Bajram Sadikun nga Reçaku. Imeri dhe Bajrami në nëntor të vitit 1965 kishin ikur nga Kosova për në Shqipëri.

 

Në vitin 1976  ka formuar Organizatën për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, në Shkup, së bashku me Muhamet Ademin, Beqë Dervenin dhe Sytki Selmanin, të tre nga  Shkupi dhe krahina e Dervenit.

Ka bashkëvepruar ilegalisht edhe me Zenun Gjocin, nga Rashiqi, Imer Halilin nga Prekazi i Epërm, Bajram Qerimin nga Tërpeza e Vitisë, profesor në Ferizaj, ( i vrarë në rrethana misterioze, në vitin 1978),  Agim Ollurin, pedagog në Ferizaj, Agim Fejzullahun, po ashtu pedagog, ( vrarë mizorisht në Shtime në vitin 1976),  Shaban Krasniqin nga Karaçica, Sheqir Zenelin, profesor nga Prishtina, kushëririn, Sylë Qeriqin e Elez Durmishin  nga Krojmiri e  të tjerë.

Në vitin 1981 ka marrë pjesë aktive në demonstratat e rinisë studentore së bashku me nxënësit e shkollës teknike ku ka punuar. Ka mbajtur lidhje veprimtarie ilegale me nxënësit e Akademisë Pedagogjike dhe të Shkollës teknike, në Prishtinë: Fatmir Graiçevci nga Hadja, Lutfi Maqedoni nga Prishtina, Naser Hajrizi, dhe Asllan Pireva, po ashtu nga Prishtina, të dy të martirizuar nga Milicia e RSFJ-së më 2 prill 1981. Ka mbajtur kontakte ilegaliteti edhe me nxënësit: Ilaz Zhitia, Naim Mahmudi, Rrahim Rama e të tjerë, më vonë të gjithë të dënuar me burg të rëndë për organizim dhe pjesëmarrje në demonstratat e marsit e prillit të vitit 1981.

Së bashku me 24 të arrestuar, në shkurt të vitit 1983 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dënohet tetë vjet burg për vepër penale “propagandë armiqësore” nga nenet: 133 dhe 134 të LPJ dhe pesë  vjet mos ushtrim të detyrës së mësimdhënësit, pas daljes nga burgu.

Burgun e ka mbajtur në Prishtinë, Gjurakoc, Smrekovnicë, Suboticë dhe në Novi Sad.

Gjatë hetimeve dhe nëpër burgje  është torturuar nga inspektorët e UDB-së, Mehmet Maliqi, Lutfi Ajazi, Bashkim KursaniIbush Kllokoqi, hetuesi, që paraqitej si Ramçe nga Prizreni, polici serb Miça, polici rusin, i mbiquajtur “Grozni” në Novi Sad.

Prej vitit 1988 e deri në tetor të vitit 1997 për ta mbajtur familjen punoi  në zdrukthëtari, bujqësi  dhe ndërtimtari.

Prej vitit 1990 ka mbajtur kontakte ilegaliteti me Azem Sylën,  Sheqir Zenelin, Kadrie Gashin,  Reshat Gashin, Ismet Shamollin, Imer Halilin, Zenun Gjocin, Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Nezir Myrtajn, Ruzhdi Jasharin, Jetë Hasanin, Muhamet Malësorin dy të fundit dëshmor të UÇK-së e shumë të tjerë.

 

Ka marrë pjesë aktive në organizimin e  luftës së UÇK-së prej vitit 1997, fillimisht në pikën e Krojmirit, së bashku me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Heset Ollurin, Halil Ollurin, Sejdi Elezin, Vehbi Qeriqin, Naim Rizanin, Mehdi Qeriqin e të tjerë.

Prej nëntorit të vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999 ka qenë përgjegjës dhe gazetar i Radios-Kosova e Lirë, e cila ka transmetuar program në Malet e Berishës, në Drenicë.

Prej korrikut të vitit 1999, e deri tani drejton Radion-Kosova e Lirë, në Prishtinë.

Ahmet Qeriqi, jeton në  Prishtinë, por edhe  në Shtime dhe në  Krojmir.

 

  1. Ku e keni kryer shkollën fillore dhe çfarë kujtimesh keni nga ajo shkollë?

Para se të më regjistronin në shkollë, dhe para  se të mësoja shkronjat e gjuhës shqipe, nga Abetarja, ballina dhe përmbajtja e së cilës më është fiksuar në mendje dhe nuk e harroj kurrë, nga gjyshi im, hoxhë, i dënuar nga regjimi komunist i kohës  kisha  mësuar shkrim këndimin e gjuhës arabe. Një herë me ndihmën e tij, e herën e dytë vetë, kam lexuar Kur’anin në tërësi, para se të mësoja shkronjat e gjuhës amtare. Gjyshi, Emin Miftari, ka qenë një hoxhë i ndaluar, për ta ushtruar profesionin për shkak të bindjeve të tij fetare e politike, si kundërshtarë i hapur i regjimit komunist jugosllav. Ka qenë disa herë i maltretuar dhe i dënuar  me burg për bindjet e tij, për çka edhe iu kishte marrë e drejta e ushtrimit të profesionit të imamit.

Në mesin e kujtimeve nga shkolla fillore mbaj mend kur kam bërë një gafë, një lapsus, pa qëllim, por që ishte bërë objekt shakaje e humori në klasë. Pasi, mësuesi Isak Zabeli na kishte shpjeguar se çka quajmë hapësirë, në fund kishte pyetur se a e kishim kuptuar mësimin, unë kisha ngritur gishtin dhe kisha thënë: “Krejt çka shohim me sy na katër anët e horizontet quhet hapsane (burg në turqisht). Të gjithë kishin qeshur, ndërsa unë i skuqur nga befasia kisha përmirësuar fjalën, duke kërkuar falje. Por nuk kishte mbaruar me aq. Shokët më kishin ngjitur nofkën “hapsanja” burgu  e cila fatkeqësisht, u bë shoqëruesja ime në jetë

3.Çfarë kujtime keni prej fëmijërisë?

Nga fëmijëria kam kryesisht kujtime të hidhura, si familje e njohur me qëndrim kundër regjimit titist të kohës. Kontrollime të befasishme të milicisë në përcjellje të lëvizjeve të gjyshit dhe shqetësimi im prej fëmije,  kur i shihja të qanin tinës. Gjyshja dhe Nëna po nuk më tregonin psenë. Arsyetoheshin se kanë prerë qepët dhe befasisht kanë prekur sytë. Më vonë kam kuptuar se gjyshja, Esma, qante për babanë që ia kishin vrarë serbët kur ajo kishte qenë 12 vjeç dhe vëllai i vetëm, Ismaili, 4 vjeç. Nëna ime, Xhevahire Kadri Beba, qante për babanë që ia kishte pushkatuar regjimi jugosllav në vitin 1948, dhe ia kishe vrarë edhe tre anëtarë të familjes, luftëtarë të NDSH-së…

Mbaj mend  një ditë të  fëmijërisë, kur tagrambledhësit, “poreznikët” kishin hyrë në shtëpi dhe kanë marrë qilimat, janin, shtroja e mbuloja, të shtëpisë. Atë ditë nuk kishin ndodhur në shtëpi  gjyshi, babai as xhaxhai. Më vonë gjyshi është kthyer, pastaj  ka sulmuar  “poreznikët” në fshat dhe njërin prej tyre e ka sulmuar fizikisht. E kanë burgosur dhe e kanë mbajtur dy muaj në burg. Për shkak se atë e kishin  shoqëruar te vendi ku ndodheshin tagrambledhësit, milicët kishin arrestuar dy kushërinjtë tanë: xha Musën dhe xha Tafilin dhe xhaxhanë tim, Mehdiun. I kanë mbajtur nga tre ditë në arrest, i kanë torturuar dhe më pas i kanë liruar. Më vonë ishte kuptuar se babai im Aliu, dy muaj më parë kishte paguar tatimin, por vendimin e kishte marrë milicia me qëllim të provokimit të gjyshit, që kundërshtonte hapur pushtetin, i cili ushtronte presion që të shpërngulej në Turqi.

Në shtator të vitit shkollor 1954-1955,  më kanë regjistruar në klasën e parë të shkollës katërvjeçare të fshatit. Kontakti im me abetaren ka qenë ngjarja më e shënuar, më e dashur  dhe më e paharruar e fëmijërisë sime. Mësuesi im i parë ka qenë Isak Zabeli. Kam qenë në të njëjtën klasë me Agim Ollurin, Heset Hamdiun, Qamil Ollurin, Milaim Rexhën, Hysri Jutin, Idriz Musë Qeriqin, Remzie Ahmetin,  e të tjerë. Në klasën e parë kishte edhe nxënës më të moshuar deri edhe tre katër vjet, si kushërinjtë e mi Jakupi, Imeri, Mustafa, Rrahimi,  cilët nuk ishin përfshirë me kohë në shkollim.

4.Në çfarë kushte jeni rritur dhe si kanë qenë rrethanat e shkollimit?

Në vitin shkollor 1959-1960 babai im,  me preferencë të gjyshit më kishte regjistruar në Medresenë e Ulët Shqiptare “Alauddin” në Prishtinë. Aty përveç lëndëve fetare, islame, së bashku me shokët e gjeneratës vijonim edhe mësimet e rregullta të shkollës tetëvjeçare. Edhe pse të rinj në moshë, tërë brezat e medresistëve të asaj kohe kanë kryer mësimet në dy shkollë në të njëjtën kohë. Dëftesa e vitit të pestë kishte 23 lëndë, 10 lëndë fetare të tjerat shoqërore e shkencore. Për të realizuar një plan të tillë, mësimin e fillonim në orën 7.00 dhe e mbaronim në orën 14.00,  duke vazhduar edhe në orët e pas ditës.

Në Medrese e kisha shumë lehtë në krahasim me shokët, që sapo kishin filluar të mësonin shkrim këndimin e gjuhës arabe, meqë unë dija të shkruaja e të lexoja arabisht, pa asnjë vështirësi.

Diku në pranverë të vitit 1963, topi me të cilin po luanim me disa shokë në oborrin  e Medresesë kishte rënë në oborrin e shtëpisë së Adem Demaçit, me të cilin na ndante një mur. Meqë isha i vogël me shtat, shokët më ngritën mbi mur dhe unë kërceva në oborr për ta marrë topin, pasi paraprakisht nuk e kisha parë “studentin” e cili po lexonte nën hijen e një pjeshke. Kur e pashë, shtanga nga frika e ndëshkimit. Po ai u ngrit, e gjeti topin dhe mu drejtua me fjalët: -“Herën tjetër mos kërce mbi mur, sepse mund ta thyesh këmbën apo dorën, por eja këndej rrotull. Ashtu t’ iu thuash edhe shokëve tuaj”, më tha duke me shikuar me dashamirësi. Sjellja e tij e urtë dhe shpëtimi nga një ndëshkim i mundshëm më lanë një përshtypje të jashtëzakonshme, nga “studenti” sikur e quanim ne në Medrese, Adem Demaçin. Takimin e parë të rastësishëm me te nuk e kam harruar kurrë.

Asokohe përmes një medresisti, që ishte më i moshuar se unë, Feti Mehdiu nga Zajasi i Maqedonisë, kisha kontaktuar me Sabri Novosellën, anëtar i LRBSH-së të cilën e udhëhiqte Adem Demaçi. Ishim tre katër shokë që vizitonim Sabriun. Ai haptas na fliste për gjendjen e rëndë të shqiptarëve, ndërkohë që edhe në prani tonë dëgjonte Radio-Tiranën dhe na komentonte ndonjë lajm. Vajtje ardhjet te Sabriu kamufloheshin me faktin se ai ishte rrobaqepës, dhe ne sa herë shkonim merrnim me vete edhe ndonjë rrobë, gjoja për ta qepur.

Asokohe në Medrese ekzistonte një grup i organizuar që po përgatitej për të shpërndarë flamuj kombëtarë dhe parulla me përmbajtje politike. Lëvizja kishte depërtuar sidomos te nxënësit e shkollës Normale por edhe në shkollat e tjera. Ne në Medrese kishim krijuar një grup, të cilit iu kishte bashkuar edhe djali i hallës sime nga Shtimja, Imer Hysiqi me një shokun e tij, nxënës të Shkollës Ekonomike të Prishtinës.

Në nëntor të vitit 1965, Imeri me shokun e tij Bajram Sadikun pa na lajmëruar, kalojnë kufirin, diku në Strugë dhe vendosen në Shqipëri. Një javë më vonë milicët e UDB-së futen në Medrese dhe më arrestojmë mua e gjashtë shokë të tjerë. Me procedurë të shpejtë, meqë ishim të mitur, mua, Riza Gjokën nga Mali i Zi dhe Shemadin Akitin nga Zajasi  na dënojnë me burg efektiv, ata dy nga një muaj mua  dy muaj burg efektiv dhe   një vit me kusht, meqë isha i mitur. Katër të tjerët, pasi i kishin maltretuar i kishin lënë të lirë.  Na akuzonim se kishin krijuar një grup ilegal, irredentist, në platformë të programit të Adem Demaçit dhe grupi kishte dërguar dy anëtarë në Shqipëri, për të lidhur kontakte me regjimin. Dënimi kishte mjaftuar që Drejtoria e Medresesë na kishte përjashtuar nga shkolla pa të drejtë regjistrimi në asnjë shkollë fetare të ish RSFJ-së.

 

5.A keni ndonjë kujtim rreth ngjarjeve historike që kanë ndodhur sa keni qenë fëmijë apo i ri? (Për shembull gjatë kohës së Aleksandër Rankoviqit)

 Në dimrin e viteve 1955-1956, dhjetor-janar-shkurt e kishin  mbyllur shkollën, në Krojmir për nxënës,  për tre muaj gjatë Aksionit për Grumbullimin e Armëve. Shkolla ishte bërë vend i torturës për të gjithë krojmirasit që nuk dorëzonin armët, edhe pse shumica e tyre nuk i dispononin. Mbaj mend rreshtat e fshatarëve, që drejtoheshin te shkolla edhe nga fshatrat: Dukë e Karaçicë, meqë atje nuk kishte shkollë. Milicët së bashku me inspektorët serbë, Sava Shurbatoviq, … si dhe partiakët e fshatit, të cilët nuk kishin marrë pjesë në tortura por kishin përkrahur dhe i kishin shërbyer pushtetit në atë aksion kanë qenë: Imer Xhema, Veli Kaçamaku, Selman Banushi, Milaim Hamiti etj.  Milicë kanë rrahur mizorisht bashkëfshatarët, me qëllim t’i dorëzojnë armët që nuk i kishin. Kanë torturuar duke i mbajtur zbathur në dëborë deri sa kanë humbur ndjenjat, gjyshin tim, Emin Miftari, hoxhë, pastaj kushëririn e gjyshit, Hamit Brahimin, babanë tim, Aliun, Hafir Azem Ollurin, me bijtë Azemin dhe  Shefqetin, Adem e Muharrem Çollakun e shumë të tjerë.

Mësuesi i shkollës fillore, që ishte edhe përgjegjës i paraleles, Sak Zabeli iu kishte lajmëruar nxënësve që për dy apo tre  muaj nuk do të zhvillonin mësim, meqë shkolla ishte vënë në shërbim të UDB-së në realizimin e  Aksionit për Grumbullimin e Armëve.

Korrieri i shkollës, dhe disa fshatarë ishin urdhëruar të njoftonin bashkëfshatarët se kush, në cilën ditë, të paraqitej në shkollë për ta dorëzuar armën, që e kërkonte pushteti. Listën, me emra e mbiemra e kishte hartuar UDB-në e Lypjanit  ndërsa ajo ishte zgjeruar por edhe selektuar nga “poverenikët” e pushtetit.

Për fillim, oficeri shqiptarë-vrasës, Sava Shurbatoviq kishte ftuar disa nga burrat më në zë të fshatit:  Mulla Eminin, Hafir Ramën, Rafë Manën, Xhemë Dragën, Haxhë Lilën, Xhelë Rizën  e të tjerë.

Ata i kishte detyruar, që për një orë të qëndronin këmbë, në oborr të shkollës, në frymë e fërfëllizë.

Inspektori famëkeq e shqiptarë-vrasës, Sava Shurbatoviq ishte paraqitur para viktimave me prepotencën tipike të racës, së cilës i takonte dhe me  një sadizëm të veçantë, meqë ishte “ngrohur” pasi kishte pirë disa  gota raki. Në vitet e para pas luftës kishte operuar po në ato fshatra të Drenicës. Madje, pikërisht në Krojmir, kishte vrarë, Ali Kajtazin nga fshati Godanc, luftëtar i NDSH-së, i cili ishte strehuar për një kohë në fshatin, Pjetërshticë.

Kishte organizuar edhe vrasjen në pritë të Rrahim Rexhës po nga Krojmiri dhe kishte zbuluar shumë nga familjet që i mbanin me bukë e strehim luftëtarët shqiptarë, që nuk e pranonin regjimin komunist titist dhe rimbetjen  Kosovës nën Jugosllavi.

Ishte ndër inspektorët me zë për të keq edhe për faktin se kishte arritur të rekrutonte edhe disa shqiptarë mercenarë, të cilët e kishin shoqëruar e kishin mbrojtur dhe ishin të gatshëm të jepnin edhe kokën për të.  Ai ishte ndër të parët që kishte propozuar një Aksion të përqendruar të grumbullimit të armatimit ilegal, në trevat ku mendohej, apo ku thjesht paragjykohej se kishte armë ilegale dhe në ato vende ku supozohej se popullata ishte kundërshtare e regjimit. Aksioni i përqendruar ishte orientuar në Kosovë, ku mendohej se ishin dhjetëra mijëra armë në duar të popullatës të disponuar armiqësisht kundër Jugosllavisë.

Aksionin, në nivelin krahinor, që e kishte ndërmarrë Ministria e Brendshme e Serbisë  e kishin lejuar dhe e kishin përkrahur: Ali Shukria, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Fadil Hoxha, Mehmet Cikuli-Maliqi, Spasoje Gjakoviqi, Dushan Mugosha, Sava Shurbatoviq, Zhivko Mitroviq, Shaban Kajtazi e të tjerë. Shurbatoviq  kishte marrë përsipër edhe detyrën e operativistit të udhëheqjes së aksionit në Ulpian dhe rrethinë, veçmas në rajonin e Drenicës ku thuhej dhe propagandohej se nuk kishte shtëpi pa një armë. Kishte shumë shtëpi që nuk kishin madje edhe bukë e rrezikonin të vdisnin urie, por pushkët nuk i shisnin, as për të mbijetuar.

(Qëndrimi i sertë  dhe kryeneç i gjyshit tim, Emin Miftar Shema  kishte zemëruar tej mase inspektorët.  Disa minuta më vonë kishin nxjerrë jashtë  zbathur nëpër dëborë edhe Hafir Ramën, mulla Behën, Xhelë Rizën, Rafë Manën e të tjerët. Të gjithë i kishin radhitur në kolonë, për  një dhe i kishin shëtitur këmbëzbathur rreth objektit të shkollës. Ndërkohë, inspektorët, Nikolla Pantiq, dhe Ranko Odalloviq kishin marrë një litar  dhe ia kishin  lidhur duart, gjyshin. E kishin afruar te “Bunari” i shkollës e kishin lëshuar  në pus, ku e kishin mbajtur për disa minuta  në ujë dhe herë pas herë e kishin nxjerrë mbi nivelin e ujit për të mos u mbytur. Tri herë e kishin zhytur në ujë dhe pastaj e kishin nxjerrë nga pusi, pa ndjenja. Pasi kishte ngelur gati pa frymë, nga uji dhe acari  disa nga bashkëfshatarët e kishin tërhequr dhe e kishin futur në korridorin e shkollës. Trupi iu kishte dridhur si purtekë mbi ujë, nga të ftohtit, ndërsa në fytyrë,  nuk i kishte mbetur asnjë pikë gjaku. Edhe mjekra e gjatë dhe e thinjur iu kishte ngrirë, Fakti se dridhej, tregonte se ishte gjallë. Kishte mbyllur gojën dhe nuk kishte nxjerrë asnjë zë. Herë-herë e kaplonin ethe të forta dhe tërë trupi i shkundullohej. 

6, Ju jeni dënuar 3 herë nga regjimi titist, përse ju kanë dënuar?

 Herën e parë më kanë dënuar në nëntor të vitit 1965,  derisa isha në vitin e tretë të shkollës së mesme,  në Medresenë Shqiptare të Prishtinës. Gjykata komunale më dënoi dy muaj burg efektiv dhe një vit me kusht, për veprimtari e cila kualifikohej si nacionaliste e irredentiste dhe që kishte qëllim bashkimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë.

Dënimin e kam vuajtur në nëntor-dhjetor të vitit 1966, në burgun e Prishtinës.

Herën e dytë jam dënuar në maj të vitit 1975, asokohe kam qenë profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Gjimnazin e Ferizajt. Dënimi kishte pasur për shkak se nuk e kisha ndaluar veturën në urdhrin e policisë, në Shtime, meqë në veturë kisha libra të ndaluara,  që një ditë më parë me një mikun tim (M.B) i kisha marrë në ambasadën e Shqipërisë në Bullgari, përmes një vozitësi të kamionit nga Korça. Policët nuk më arritën dot meqë kisha një veturë më të shpejtë. Ndërkohë kam ndaluar te varrezat e fshatit Bllacë të Therandës, ish-Suharekë, librat i kam mbështjellë dhe i kam vendosur nën gurin e një varri. Më pas, gjatë kthimit për në Shtime, në orët e hershme të mëngjesit, më 4 maj 1975, policia e Therandës më ka ndaluar dhe më kanë arrestuar. Ata më kanë rrahur brutalisht, pasi nuk isha ndaluar nën urdhrin e policisë. Procedura ishte hapur për  vepër penale, pengim në kryerjen e detyrës së personit zyrtar. Meqë asokohe në Gjykatën komunale punonte një shok i Medresesë, (Rifat Abdullahu, tani i ndjerë),  lëndën e modifikoi si tentim pengim dhe më dënuan dy muaj burg, për kundërvajtje.  Pas një kohe u ndërpre procedura e hetimeve.

Me rastin e një kontrollimi të befasishëm që më bëri në shtëpinë time, në Shtime, UDB-ja e Ferizajt në krye me inspektorin, Adem Ibrahimi (Goga), në orët e hershme të mëngjesit, në prill të vitit 1979 në kërkim të literaturës së ndaluar, ata  më morën dy fletore me krijime në prozë e poezi.

Të gjitha librat e ndaluar i mbaja fshehtë në tokë, në një arkë të fort druri. Për shkak të përmbajtjeve të atyre krijimeve, Gjykata Komunale e Ferizajt më dënoi  gjashtë muaj burg, ndërkohë që pas ankesës së Prokurorit, Reshat Millaku, Shkalla e Dytë e rritë dënimin në 18 muaj burg efektiv, duke më cilësuar si recidovist.  Meqë kisha ushtruar ankesë, duke iu referuar faktit se dënimi ishte dyfishuar, Gjykata komunale në Ferizaj më kishte liruar deri  të merrej vendimi përfundimtar.

Asokohe punoja në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës. Vendimi  i gjykatës ishte fuqizuar në mars të vitit 1981, në kohën e shpërthimit të protestave e demonstratave, në të cilat kam marrë pjesë aktive. Prej 3 prillit të vitit 1981 kam qenë në arrati deri më 10 maj të vitit 1982 kur më kanë arrestuar dhe më kanë dërguar në Burgun e Prishtinës. Më 15 shkurt  1983, më kanë dënuar tetë vjet burg me një grup prej 24  të pandehurve, ( të cilësuar si nacionalistë dhe irredentistë), i akuzuar për dy vepra penale të propagandës armiqësore, neni  133 dhe 134 të Kodit Penal Jugosllav,  prokurorë, Reshat Millaku dhe Ruzhdi Kozmaqi, gjykatës hetues, Isak Nishevci, gjykatës të lëndës, Mentor Çoku dhe Verosllava Dimiq. Para trupit gjykues kam mbrojtur kërkesën për avancimin e kushtetutës së Kosovës nga Autonomia në Republikë, kërkesë e rinisë, punëtorisë dhe fshatarësisë shqiptare të asaj kohe. Shkalla e lartë e dënimit ishte bazuar në faktin se isha recidivist, përsëritës i veprave penale dhe nuk iu kisha përgjigjur ftesës për ekzekutim të dënimit paraprak. Dënimin e kam vuajtur në Burgun e Prishtinës, të Gjurakocit, ( tani Dubravë) pastaj katër vitet e fundit në Suboticë dhe në Novi Sad të Vojvodinës.

Kujtimet e përjetimet nga burgjet i kam përmbledhur në romanin dokumentar artistik, Burgu.

7.Në cilat burgje të Jugosllavisë  keni qenë gjatë atyre viteve ?

(Në Burgun e Prishtinës, nëntor, dhjetor  1966)

Në orët e vona të pas ditës, së një  nëntorit të vitit 1966 u paraqita para dyerve të Burgut të Qarkut, në Prishtinë, ku një vit më parë, kisha qëndruar vetëm tri ditë. Ndërkohë, meqë dënimi ishte bërë i plotfuqishëm duhej të mbaja  dy muaj burg nga një vit sa isha dënuar me kusht në rast se brenda dy viteve, akuzohesha për ndonjë vepër të njëjtë penale. Në kohën kur e kishin dënuar kisha qenë i mitur dhe dënimi për të mitur, sipas ligjeve të asaj kohe, kishte më shumë rrethana lehtësuese.

Burgun e Prishtinës e kishin projektuar italianët të cilët edhe kishin kryer shumicën e ndërtimeve gjatë kohës të qëndrimit të tyre për tri vjet, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në  Kosovë. Ndërtesa ishte konstruktuar në gjysmë të rrethit. Korridori ndodhej në anën e jashtme, ndërsa qelitë në anën e brendshme të rrethit.

Dritaret e vogla me grila po ashtu ishin në anën e jashtme. Në to, nuk mund të depërtonte dielli për shkak se në anën lindore ishte godina e lartë e Sekretariatit të Punëve të Brendshme, e cila ishte ndërtuar në vitet e para të pas luftës.

Burgu kishte katin përdhes dhe katin e parë. Në secilën gjysmë të gjysmërrethit ndodhej nga një shëtitore trekëndëshe, si dhe  një banjë primitive, ku të burgosurve u  lejohej të pastroheshin dy herë në muaj.

Më futën po në atë qeli ku kishte qenë një vit më parë. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Në këndin nga dritarja ishte po ai dyshek i lerosur, të cilin ku di kush e kishte lënë para sa e sa viteve. Dikush kishte lënë edhe një jorgan, që  ishte bërë si myshema nga papastërtia. Nuk kishte batanije as çarçafë.  Më kishte kapluar një ndjenjë e thellë e trishtimit, derisa po mendoja  se pikërisht në atë dhomë duhej të ngrysja gjashtëdhjetë ditë. Po ç` ishin ato ditë në krahasim me ditët, muajt e vitet e atyre që ishin dënuar nga 10 e 15 vjet. Të burgosurit e Lëvizjes Revolucionare të Adem Demaçit, të cilët i kishin arrestuar në qershorin e vitit 1964 i kishin shkapërderdhur  nëpër burgjet e Jugosllavisë. Në burgun e Prishtinës ndodheshin vetëm të burgosurit për vepra të tjera penale, si dhe ata që ishin dënuar  për kundërvajtje të ndryshme.

Dysheku i lerosur ishte e vetmi vend mbi të cilin duhej të flija natën. Ose mbi të ose në dyshemenë e betonuar. Jorgani ia shtinte kruptë kur e shikonte. Isha mbështjellë në setrën time të hollë por nga të ftohtit nuk më zinte gjumi. Një kohë më vonë, me sy mbyllur kisha tërheqë jorganin e pa pastër dhe me te ishte mbuluar deri në brez. Sapo isha ngrohur paksa më  kishte zënë gjumi… Isha  befasuar nga krisma e fuqishme e goditjes në një hekur.  Meqë në burg asokohe nuk kishte zile elektrike, gardiani kujdestar me një rrangallë hekuri godiste  fuqishëm grilat e  metalta të derës së korridorit. Ishte mbase edhe një lloj përdhunimi i veçantë, i shpikur qëllimshëm për t` ua bërë të burgosurve jetën edhe më të zezë dhe më të padurueshme, për çdo ditë që nga momenti i zgjimit në orën 5.oo të mëngjesit.

Dita në burg fillonte herët. Pas zgjimit fillonte shpërndarja e ushqimit. Për “kafjall” të burgosurit i takonte një  gotë kafe e elbit, pa asnjë gram sheqer, sepse sheqerin që parashihej për kafe thuhej se  e kontrabandonte kryekuzhinieri dhe gardianët. Buka 400 gramë jepej në drekë, për 24 orë. Në mesditë zakonisht lëng fasuleje dhe tek-tuk në kalanicë edhe ndonjë kokërr e vogël e fasules. Në mbrëmje, qull, ose kaçamak, që përgatitej  të mbeturat e ushqimeve të drekës.

Brenda në qeli në kibllën e qeramikës, ishte këndi, ku kryhej nevoja e vogël dhe nevoja e madhe. Vetëm kur kiblla mbushej plot gardiani lejonte të burgosurin që ta derdhte në nevojtore.  Ishte fat i madh po të ndodhej  vet në qeli, sepse njeriu nga vetvetja  neveritet më pak.

Në orët e mbrëmjes hapet dera e qelisë. Sipas rregullit, kur gardiani hap derën i burgosuri duhej të qëndronte në këmbë, kokulur dhe duart lidhur nga prapa. Pas pak në qeli gardiani e fut një burrë rreth të tridhjetave. Ai e mbyll derën me rrëmbim duke e përplasur fuqishëm.

-Unë jam Toma, nga Janjeva, thotë i sapoardhuri, i cili ma kishte  zgjatë dorën.

Unë i tregova  emrin tim, po ashtu i bëra me dije se më kanë dënuar dy muaj burg.

Toma ishte shtathedhur. Në kokë mbante një qeleshe të bardhë. Kishte mustaqe të zeza e të përdredhura me majat përpjetë. Trupin e bëshëm e kishte veshur me tirq të rinj, të zezë. Shtatin e kishte përthekuar me një xhurdi. Ishte një malësor me veshje të  kohës. që kishte filluar të  perëndonte.

– Më zu belaja pa pritë e pa kujtue, mor vëlla, m’ u drejtua pasi kishte nxjerrë në ofshamë dhe ishte ulur këmbëkryq

– Dy shkie ma sulmuan motrën, Tonën 22 vjeçare. Në mbrëmje sapo ra terri hynë në shtëpi dhe deshën ta rrëmbejnë. Për fat të saj e për taksirat të tyre, në momentin ku ata po e tërhiqnin zvarrë nga shtëpia, unë u gjeta te dera. Dy ditë më parë pata shkuar te një mik, ndërsa motra kishte mbetur vetëm me babën plak, që po dergjet në ditët e fundit të jetës dhe nanën, që mezi ecë me një patericë. Edhe ajo me patericën e saj mundohej t’i ndihmonte Tonës. Mora  sëpatën te ahuri dhe iu zura pritë, në dalje të oborrit. Të parin, Bozhën e Radiqit e shitova në vend, me një të rame në kokë, ndërsa Ivica, një hrvat i dreqit fillon të ikë. I lëshohem vrap dhe pa kaluar 100 metra e zë dhe e përplasa për tokë. Mujsha mos me vra qenin, sepse mu dorëzue, dhe më përbejti në Krisht, por kur e kujtova sesi me ato duar të pista kishte tërhequr motrën time për flokësh, dhe  e kishte përplasur për tokë nënën time,   mbylla sytë dhe e qarta. Ia çava kokën, si me kanë pjepën.

Rrëfimi i Tomës më kishte tmerruar, por edhe më  kishte dhënë zemër, Ndihedha  krenar se po shihja një shqiptar, i cili kishte vrarë dy shkije dhunues  dhe as donte të dinte për ta. E kishin prekur në nder dhe ai kishte vepruar sipas ligjit të mbrojtjes së nderit të  familjes.

Kujtimet nga burgu janë shumta. Zgjodha për të rrëfyer rastin e Tomës, për të cilin nuk dëgjuar më dhe nuk di çka ndodhur me jetën e tij.

8.Në burgun e Ferizajt, tetor nëntor 1975

E thashë edhe më lart dënimi  dy muaj me burg në maj të vitit 1975, nga Gjykata komunale e Ferizajt ishte për shkak se nuk e kisha ndaluar veturën në urdhrin e policisë, në Shtime, meqë në veturë kisha libra të ndaluara,  që një ditë më parë me një mikun tim (M.B) i kisha marrë në ambasadën e Shqipërisë në Bullgari, përmes një vozitësi të kamionit nga Korça. Policët nuk më arritën dot meqë kisha një veturë më të shpejtë. Ndërkohë kam ndaluar te varrezat e fshatit Bllacë të Therandës, ish-Suharekë, librat i kam mbështjellë dhe i kam vendosur nën gurin e një varri. Më pas, gjatë kthimit për në Shtime, në orët e hershme të mëngjesit, më 4 maj 1975, policia e Therandës më ka ndaluar dhe më kanë arrestuar. Burgun  e kam mbajtur në muajt tetor nëntor të atin viti.

Nga ky burg nuk kam  ndonjë  përjetim, dhunë apo diçka të veçantë. Megjithatë  do të veçoja sjelljet çnjerëzore e të poshtra të policit shqiptar që e quanin Shyqë, i cili pa asnjë shkak i rrihte i fyente dhe i maltretonte të burgosurit.

Një ditë. pas shëtisë ditore një gjysmë ore në rreth, duke na përcjellë për në dhomë, më ndali afër zyrës së tij të kujdestarisë dhe më urdhëroi të qëndroja derisa të kthehej. Meqë deri në atë ditë nuk më kishte rrahur, mendova se do ta bënte në zyrën e tij dhe u ndjeva i lehtësuar që nuk do të më rrihte në prani të të burgosurve të tjerë, ku ishin edhe dy nxënës të mi të dënuar për rrahje.

U kthye shpejt me pendrekun në dorë dhe m u drejtua.

-A e di pse të ndala, më pyeti.

-Jo ia ktheva duke i rrudhur krahët.

-Nuk të rrah ty jo, ti je profesor por  nuk po e kuptoj këtë çka po shkruan gazeta dhe filloi të lexojë  pak më vështirësi. ‘Acari i madh e ka kapluar krejt Kosovën’.

-Çka është ky acar, nuk e kam dëgjuar kurrë. Edhe më herët e kisha marrë me mend se ishte gati krejt i paarsimuar dh iu përgjigja.

-Acar do të thotë i ftohtë i fortë.

-Hëm nanën atyre, po pse nuk thonë i ftohtë po acar, ku e gjeten këtë fjalë.

Duke më përcjellë për në dhomë më tha.

-Mos u trego atyre kur të pyesin përse të ndala se më bajnë hajgare dhe tani i rrahu edhe më shumë.

-Ata do të mendojnë se jam spiun, nëse nuk tregoj shkakun e ndaljes, i thash si me qesëndi.

Nuk foli asnjë fjalë por si zakonisht pasi hyra brenda e mbylli derën, duke e përplasur me krejt fuqinë.

  ANITA SUSURI; INTERVISTË ME AHMET QERIQIN

  1. Cila ka qenë prania dhe  aktiviteti në demonstratat e vitit 1981, a mund të na flisni më në detaje lidhur me këtë

Ilegalja patriotike në Kosovë nuk e ka ndërprerë asnjëherë aktivitetin, madje as pas luftës së Dytë Botërore, meqë Kosova dhe treva të tjera shqiptare kishin mbetur nën pushtimin e RSFJ-së. Rruga ime drejt ilegales ishte krejt e natyrshme, meqë i përkas një familjeje të përndjekur politikisht. Gjyshi im, mulla Emin Miftari, ka qenë disa herë i dënuar me burg për shkak të kundërshtimit dhe mospranimit të regjimit komunist jugosllav. Gjyshi tjetër, babai i nënës, Kadri Beba, nga Ribari i Madh, është dënuar si armik i pushtetit popullor jugosllav dhe  në shkurt të vitit 1948  e kanë  pushkatuar. Më vonë është vrarë, gjatë përpjekjeve për të çarë rrethimin  edhe vëllai i tij, Salihu së bashku me djalin, Rexhepin.

Më herët kam shpjeguar se sa herë kam qenë i dënuar, kështu që tani po kufizohem vetëm në aktivitetin tim prej vitit 1979 deri në vitin 1982.

Në vitin 1978, së bashku me Zenun Gjocin, Sheqir Zenelin, Imer Halilin nga Prekazi, Muhamet Ademin dhe Beqë Dervenin nga Shkupi kemi vepruar në platformë të  programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke shpërndarë literaturë të ndaluar dhe duke propaganduar idenë e bashkimit të tokave shqiptare me Shqipërinë. Kemi shpërndarë edhe parulla dhe trakte me përmbajtje kombëtare, në Shkup,  Prishtinë, Ferizaj e gjetkë.

Gjatë punës sime, profesor në Gjimnazin e Ferizajt, në Akademinë Pedagogjike dhe në Shkollën e mesme teknike në Prishtinë kam bashkëpunuar edhe me disa nxënës, të cilët edhe ashtu ishin të organizuar dhe vepronin ilegalisht. Në vitin 1981, kam marrë pjesë aktive në demonstratat e 1 dhe 2 prillit, që u zhvilluan në Prishtinë së bashku me shumë nxënës dhe kolegë të punës. Më 2 prill, në qendër të Prishtinës, forcat e Milicisë Speciale të Jugosllavisë, kanë vrarë dy nxënës të vitit të katërt të shkollës teknike, të cilëve iu kisha dhënë mësim dhe  me të cilat kisha  lidhje të veprimtarisë ilegale. Ata ishin: Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.  Lidhje ilegale në drejtim të propagandimit të idesë për krijimin e Republikës së Kosovës kam mbajtur edhe me Fatmir Graiçevcin, Lutfi  Maqedonin, Naim Mahmudin, Ilaz  Zhitinë e nxënës të tjerë,  të gjithë të dënuar nga regjimi jugosllav prej 3 deri në 12 vjet burg.

Më 3 prill 1981, meqë në Prishtinë dhe në tërë Kosovën regjimi jugosllav kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme,  kam ikur ilegalisht nga qyteti dhe jam vendosur në fshatin tim të lindjes, në Krojmir të Drenicës, ku kam jetuar në arrati  deri më 11 maj të vitit 1982.

Gjatë kohës së arratisë dhe të ilegalitetit të thellë kam mbajtur kontakte me disa nga veprimtarët e lëvizjes ilegale, me qëllim të krijimit të kushteve për rezistencë të armatosur. Gjatë tërë kohës kam qenë i armatosur me një pushkë franceze dhe një revolver të tipit “Shtayer”. Një kohë kam depërtuar ilegalisht në Preshevë, te një shok imi i studimeve e prej andej në Shkup, ku ishte edhe grupi, i cili falë konspiracionit të thellë dhe qëndrimit të paepur gjatë hetimeve, nuk ishte zbuluar. Gjatë 14 muajve të arratisë forcat policore më kanë gjurmuar hap pas hapi, por nuk kanë arritur të më kapim, meqë zakonisht kam qëndruar nëpër male dhe ua kam humbur gjurmët. Asokohe kam mbajtur kontakte me babanë tim, Aliun,  me  vëllezërit, të cilët jetonin në Shtime, Osmani, Jusufi, Hasani,  pastaj me xhaxhanë, Mehdiun i cili jetonte në Krojmir,  me Imer Halilin nga Prekazi,  më vonë i dënuar politik, me Zenun Gjocin, i cili po ashtu më vonë ka qenë i dënuar politik si dhe Muhamet Ademin, Fatmir Graiçevcin e disa të tjerë.

 

 10.A mund të na tregoni për eksperiencën tuaj në burg, shokët e burgut, maltretimet, kushtet e burgjeve?

Në burgun e Prishtinës

 

Burgu i Qarkut, apo sikur quhej edhe Burgu hetues  në Prishtinë, tani Muze,  nuk është burg vetëm i të burgosurve politikë, dhe kurrsesi burg- muze i Shoqatës së të Burgosurve politikë. por ishte një burg si të gjitha burgjet e tjera, në ish RSFJ.

Duke lënë anash periudhën prej vitit 1945 e deri në vitin 1951, kur Burgu i Prishtinës ishte i mbushur me luftëtarë të NDSH-së, dhe kur ky burg kishte pronë të veten edhe vendin e quajtur “Strelishte”, në Touk-Bahqe, ku janë pushkatuar qindra eprorë  dhe luftëtarë të NDSH-së, trajtimi i të burgosurve nuk ka qenë më i keq e më mizor për nga persekutimi i të burgosurve, sesa Burgu  i Nishit, i Pozharevcit, i Idrizovës, Goli Otokut e burgje të tjera kudo në ish Jugosllavinë e Titos.

Nuk kanë pasur  histori më të mirë se burgu i Prishtinës, Burgu i Mitrovicës, i Gjilanit, sidomos në vitet 80-të shekullit 20, Burgu i Prizrenit, e burgje të tjera kudo në Kosovë.

Po kështu në këto burgje, nuk ka pasur vetëm të burgosur politikë, por edhe të burgosur të tjerë  të mbajtur për vepra të ndryshme penale, qofshin ata  shqiptarë, serbë, malazez  romë e të  e të tjerë.

…….

Prej vitit 1970, kur në burgjet e Kosovës u pranuan në punë edhe shumë gardianë  shqiptarë, trajtimi i të burgosurve ishte më i mirë se në të gjitha burgjet e tjera të ish Jugosllavisë dhe ky fakt mund të dëshmohet me sa e sa fakte e argumente. Edhe disa nga hetuesit, nuk janë treguar aq mizorë sa kanë prirje t’ i paraqesin disa të burgosur që nuk kanë marrë qoftë edhe një shuplakë ndëshkim. Këtë e dimë ne të burgosurit, përbrenda vetes e shokëve, sado që disa kur flasin se në çfarë niveli janë torturuar njeriu mendon si kanë shpëtuar gjallë. Disa edhe nuk kanë shpëtuar edhe kjo dihet. Por Burgu i Qarkut i Prishtinës, nuk ishte burg që për nga trajtimi mizor kundër të burgosurve të mund të krahasohej me burgjet e tjera të republikave të Jugosllavisë. Ishte vetëm burg hetues, burg i Qarkut, sikur qindra burgje të tjera.

Një ditë vjeshtë të viti 1982, kur isha në qelin numër 27 të Burgut të Prishtinës, papritmas kishin filluar trokitjet e forta nëpër mure,  që ishte një alarm, të cilin në raste të veçanta e praktikonin të burgosurit politikë. Në raste të tilla të burgosuri kapeshin në grillat e dritareve  për të mësuar se çka po ndodhte.

Një zë kishte dhënë lajmin se dy gardianë e kishin torturuar mizorisht doktorin e historisë, Muhamet Tërnava.  Ishte kërkuar po ashtu që në shenj solidariteti sipas maksimës, “një për të gjithë, të gjithë për një”, të mos merrej ushqimi i darkës, në shenjë revolte. Fillimisht nuk dinim më shumë por më vonë u bë e ditur se gardiani Shyqë apo edhe një Tara, të njohur për ndëshkimin e të burgosurve politikë,  ia kishin përplasur kokën për radiatori, në qelinë e burgut. Më vonë, pas burgut, Muhameti më ka treguar të vërtetën e asaj ndodhie.

Ai thoshte se një ditë më parë, e kishin sjellë në dhomë një shofer serb të kamionit,  për gjoja aksident me pasoja në komunikacion. Ai, duke qenë fizikisht shumë më i fortë e kishte provokuar për kërkesën Kosova Republikë dhe e kishte fyer mbi baza kombëtare. “Në moment e kisha goditur por ai ishte më i fortë  fizikisht, më pezulloi dhe me shtypi pjesën  e prapme të kokës për radiatorin e qelisë. Duke u ndier veten shumë keq, kam bërtitur dhe në atë rast kanë ardhur dy gardianë, të cilët e larguan të burgosurin serb nga dhoma ndërsa mua më goditën pse i pari e kisha sulmuar, “shoferin”, për të cilin mendoj se ishte një instruktuar i regjimit, që e kishin sjellë në qeli për të më ndëshkuar. Goditja për radiatori i kishte lënë pasoja për tërë jetën. (Në dimër të vitit 1983, Muhamet Tërnavën  e kam takuar  në Burgun e Gjurakovcit…)

11.Në Burgun e Gjurakocit

Më 15 shkurt të vitit 1983 në mesin e 24 të pandehurve jam dënuar tetë vjet burg në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Dy ditë më vonë më kanë transferuar në Burgun e Gjurakocit,  në mesin e rreth 50 të burgosurve politikë dhe shumë të burgosurve të tjerë për vepra të ndryshme penale, vrasje, plaçkitje, trafikim me fëmijë romë, hajni, rrahje, dhunim etj.

Në verë të atij viti, për shkak se u mbanin mësim disa të burgosurve, na dënojnë me nga një muaj izolim në qeli, mua, dhe të burgosurin, Sheqir Zeneli, të cilin pas vuajtjes së dënimit, me qeli. me disa të burgosur të tjerë e dërgojnë në mbajtjen e më tejme të dënimit në Novi Sad të Vojvodinës….

  1. 1984. Më 11 prill në lokalin e çajtores, ndodhi rrahja masive, e organizuar nga SPB e Pejës. Ata kishin organizuar një grup prej 10 të burgosurve të dënuar për vrasje, dhunë, vjedhje, plaçkitje,  trafikim të fëmijëve romë. Sulmi i tyre ishte kryer pas shpine në kohën kur por qëndronin në sallën ku shërbehej qaji.  Edhe pse të sulmuar pabesisht dhe pas shpine nga Mujë Loshi, Feriz Kukiqi, Ramë Morina, Kamer… shokët e mbiquanin, ” Kamer Gjaja”, Salih  Gorani, Pren Ndoni e disa të tjerë, kishim kaluar pa pasoja të rënda përveç, Ali Thaçiti cili kishte marrë goditje në kokë dhe e kishte mbuluar gjaku. Kundërsulmi nga Idriz Isufi,  ish-gardian, i burgosur politik, pastaj Nezir Fejza, Njazi AzemiVahedin Azemie të tjerë, kishte bërë që gjashtë nga sulmuesit të shtriheshin për tokë, derisa kishte intervenuar një grup i gardianëve, në krye me Jahja Çettën i cili kishte qenë në njohuri  për sulmin që po përgatitej, dhe me qëllim për të parandaluar më të keqën.  nuk ishte larguar nga pavijoni edhepse  i kishte skaduar ora e punës. Ai, me gardianët, Naimin, Agimin, Çaushin  e disa të tjerë,  gati hapur qëndronin në mbrojtje të të burgosurve politikë, na kishin  shpëtuar nga më e keqja, sepse dy vrasës, gjatë rrahjes kishin depërtuar në kuzhinë ku kishin marrë thikat për të na sulmuar, ndërsa ne ishin duarthatë. Pikërisht në atë moment ishin ndalura nga Jahja Çetta me disa gardianë shqiptarë, të cilët na ruanin dhe na përkrahin.

Për shkak të pasojave në rrahjen masive, Drejtoria e Burgut, në Gjurakoc më kishte dënuar me një muaj vetmi. Edhe pse ishim në mesin e të sulmuarve dhe jo sulmues, SPB-ja  na kishte shpallur fajtor duke na akuzuar për sulm të organizuar kundër të burgosurve jo politikë. Për veç meje me një muaj burg në qeli, ishin dënuar edhe Idriz Isuf Maqedonci,  Nezir Fejza,  Ali Thaçi, Ragip Reçica, Vahedin Azemi, Shyqri Gjinolli, Njazi Azemi e të tjerë. Katër nga dhunueset e hajnat kishin marrë lëndime trupore dhe ishin dërguar në Pejë. Mua dhe Idriz Isufin, ish-gardian i dënuar politik, më dërguan  në Burgun e Smrekovnicës, te Vushtrria për ta mbajtur dënimin një muaj në qeli, në kushte mizore, në një dhomë 8 metra me tre, në podrum, me shtrat druri në mur pa dritë, dhe në trajtim çnjerëzor.

  1. Në  burgun e Suboticës, në Vojvodinë

 Më 3 korrik 1984, herët në mëngjes, në burgun e Smrekovnicës, në dhomën ku ndodhsha me shokun e burgut, Idriz  Isufi, më kishin zgjuar dhe pasi kisha përgatitur me shpejtësi rrobat më lidhin duart me pranga dhe me një veturë më dërgojnë në Burgun e Prishtinës. Pasi kishin nxjerrë nga burgu: Bajram Dërmakun, Isa Dërmakun, Fatimir Graiçevcin, Rrahim Sadikun, të gjithëve na lidhin duart, dy nga dy dhe me një zinxhir sigurues edhe  për vegët e brendshme të furgonit, na internojnë në Vojvodinë.

Në Burgun hetues të Suboticës kemi arritur pas 10 orë rrugëtimi, në furgonin e mbyllur të Milicisë, të lodhur, të etur, të dehidruar dhe të dërmuar nga rruga e gjatë 600 km.

Në dhomën ku na kishte përcjellë, me një shprehje dhembjeje e keqardhje drejtori i burgut, hungarezi, Hegyi Bella, kishte kërkuar nga një gardian të na sjellë ujë, meqë ishim dehidruar. Në dhomën kolektive ku na kishin ngujuar  mua dhe Isa Dërmakun, keni takuar të burgosurin, Ruzhdi Hajdini, i cili ishte dënuar 14 vjet burg, për organizimin e kryengritjes në Besi ku ai me  demonstruesit, më 2 e tre prill kishin çarmatosur tri njësitë të rezervistëve që të vinin nga Serbia, meqë ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme,  dhe u kishin marrë armatimin.

Duke qenë se kisha dhe katër vjet burg, dhe ndodhesha në një mes ku popullata shumicë ishte magjare, fillova të intertesohem dhe ta mësoj këtë gjuhë. gjithsesi më e vështira nga ato që kam mësuar. Në burg kam përkthyer romanin Ararat të Llajosh Zillahut, por ditën e lirimit nga burgu m’ i  ndaluan fletoret e përkthimit,  me arsyetim se ishin shkrar shqip dhe nuk i kuptoninin. Mendonin se ishe kamufluar diçka tjetër.

 

  1. Në burgun e Suboticës, me Agim Lecin, të burgosur magjarë, boshnjakë, serbë, bunjevas, rusinë. Një muaj në burg me  Adem Prapashticën, në kohën kur kishte bërë grevë urie një muaj për herë të tretë. Asokohe në Burgun e Suboticës ndodheshin në vuajtje të dënimit edhe, Sali Lajçi,  Sami Leci, Agim Selmani, Ibush Kelmendi, Eshref Spahiu, Isa Dermaku, Ruzhdi Hajdini. Kohë më parë kishte kryer dënimin Hajrullah Dragusha, arsimtar.

 

  1. 1986. Në burgun e Suboticës, me serbin nga Vareshi i Bosnjes, Sllavko Miletiq, një mik, dashamirës i shqiptarëve, përkrahës i Kosovës Republikë. Babai i tij kishte qenë atashe ushtarak, në Tiranë. në kohën e Informbyrosë, pastaj ishte dënuar me burg sapo ishte kthyer në Zagreb dhe kishte vdekur në vuajtje të dënimit në Goli Otok. Në burg kam njohur edhe disa serbë që kanë pasur mirëkuptim ndaj shqiptarëve, në mesin e tyre edhe Petar Franoviqi, student i Bogosllavisë, nga e ëma me prejardhje nga familja e Ollga Gjergjit, motra e Millosh Gjergj Nikollës. Një djalosh që aq shumë më përngjante në Migjenin. Pastaj një kohë kam qëndruar me hungarezin dashakeq, Llaslo Shimonjy, dhe me shumë hungarezë, rusinë, boshnjakë, bunjevas e pjesëtarë të tjerë të kombësive të Vojvodinës. Kam njohur edhe serbin, MillanShibaliq,nëna e të cilit kishte qenë deputete në Kuvendin e Vojvodinës dhe kishte përkrahur protestat shqiptare të vitit 1981. Ajo haptas kishte kërkuar që Kosova dhe Vojvodina të shpalleshin Republika të pa varura nga Serbia.

 

  1. Në Burgun e Novi Sadit

 Nga Subotica më transferuan në burgun e Novi Sadit, së bashku me Sali Lajçin, nga Rugova, me vendbanim në Pejë,  i burgosur politik i grupit “Pavarësia”.

Në Novi Sad, në pranverë të atij viti të gjithë të gjithë të burgosurve politikë na bashkojnë në dy dhoma, në dy katet e burgut të ri. Nganjëherë në shëtitjen e pas ditës na lejonin të shëtisnim bashkë dhe të komunikimin mes veti.

Në katin përdhes  ndodheshin të burgosurit: Hilmi Ramadani, Jakup Krasniqi, Shaban Shala, Zijadin Hoxha, Bejtullah Tahiri, Fatmir Graiçevci, Jashar Aliu.

Në katin e parë kam qenë  me të burgosurit: Mehmet Hajrizi, Xhevat Haziri,   Isa Dërrmaku, Bajram Dërmaku, Vehbi Leci, Kadri Cakiqi, Jahir Hajrizi dhe të burgosur serbë, rumunë e hungarezë etj.

Me rastin e festës së ish RSFJ-së të 29 nëntorit, pasi Jugosllavia kishte hequr nenin penal të Propagandës me një vendim të papritur  jam liruar nga vuajtja e mëtejme e dënimit, katër muaj para mbarimit të afatit tç burgut.  Vendimi më kishte befasuar për të keq, meqë nuk kisha kërkuar amnisti fhr kjo brfasi, te disa shokë të burgut ishte keqinterpretuar. Duke parë disponimin e keq të disa prej tyre, atë natë i kam ftuar në dhomë dhe iu kam bërë me dije se nuk kam kërkuar kurrfarë falje të dënimit, por është shfuqizuar ligji për propagandë.

  1. Më 1 dhjetor të vitit 1987, jeni  liruar nga burgu dhe jeni  kthyer në gjirin e familjes në Shtime.  

Më 1 dhjetor të vitit 1987, jam liruar nga burgu dhe jam kthyer në gjirin e familjes në Shtime.  Gjatë tre muajve të parë, pas lirimit nga burgu kanë ardhur për të më vizituar shumë të njohur dhe shokë të burgut që ishin liruar para meje.  Një pjesë e konsiderueshme e tyre ka ardhur në mbrëmje apo natën, me qëllim për të mos rënë në sy të pushtetit.

Kam filluar të punoj në punëtorinë e zdrukthëtarisë të babait, me qëllim për ta mbajtur familjen. Milicët e Shtimes më vëzhgonin dhe përcillnin çdo lëvizje. Më kishin mbajtur disa orë në arrest për shkak se nuk kisha letërnjoftim, të cilin SPB-ja e Ferizaj ma ka vonuar për një vit, me qëllim të mos lëvizjes, sepse me ligjin e asaj kohe mungesa e letërnjoftimit ishte vepër kundër-vajtëse dhe parashihej dënimi me gjobë në të holla, apo një muaj burg.

 Pas kthimit nga burgu kam punuar me babanë, Aliun dhe vëllezërit për rregullimin e Shtëpisë, meqë fëmijët banonin në një bodrum të shtëpisë së vjetër i cili kishte lagështirë. Në dimër, meqë mori kohë e mirë,  shtëpisë i kemi rregulluar kulmin. Kam filluar punën në zdrukthëtarinë e babait në Shtime. Asokohe Vëllai Osmani me Haki Hysiqin kishin filluar montimin e një mulliri të madh në oborrin e Haki Hysiqit. Kohë pas kohe kam punuar në mulli por edhe në ahurin e përbashkët si dhe në punë bujqësie.

Ndërkohë kam vënë kontakte me shokët që vinin për të më parë, por edhe shokët e hershëm të ilegales. Kanë ardhur nga Shkupi, Muhamet Ademi, Beqë Derveni e të tjerë.

 

Kam  vazhduar punën në zdrukthëtari, kam  kontaktuar me ish të burgosurit, Imer HaliliSheqir Zeneli, Kadrie Gashi, Azem Syla, Ismet Shamolli, Zenun Gjoci, e shumë të tjerë. Asokohe kam mbajtur shënime dhe kam filluar të shkruaj Kujtime nga Burgu. Po ashtu kam shkruar edhe veprën: “Meditime në Arrati”, të cilat i kam botuar pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe.

Krahas punës të përditshme fizike, mbrëmjeve zakonisht kam lexuar dhe jam marrë me shkrime të ndryshme dhe me studime. Kam bashkëpunuar me “Rilindjen”, më vonë me “Bujkun” gazetën “Bashkimi” dhe revista e gazeta të tjera, por kryesisht me Bujkun, që ishte redaksia e ish-Rilindjes.

Me rastin e organizimeve në nivelin jugosllav për 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, më 28 qershor të vitit 1989 SPB-ja e Ferizajt më kishte ftuar në bisedë informative. Inspektorët, Adem Ibrahimi dhe  Nezir Sherifi, më kishin bërë me dije se për tri ditë duhet të mos dilja nga shtëpia. Ishte njëlloj arresti shtëpiak, me kërcënim për arrest, në rast se nuk përfillja. Kjo ishte një praktikë unike e UDB-së, për të gjithë ata që ishin në shënjestër të pushtetit. Nën masa të tilla kisha qenë edhe në vitin 1979, kur Titoja për herë të fundit kishte vizituar Kosovën.

15.Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja pas burgut?

 Kam marrë pjesë në aktivitete shoqërore të zhvilloheshin asokohe, por nuk kam pranuar t’i bashkohem LDK-së, e cila me rastin e themelimit kishte marrë qëndrim që në atë parti  të mos inkuadroheshin të burgosurit politikë, të cilët po liroheshin nga burgjet. Asokohe kam mbajtur kontakte shoqërore me Ruzhdi Jasharin, Avdyl Hajredinin, Ibrahim Sylën, Xhevat Salihun, Isa Haxhiun, Jakup Beqën, Sherif Beqën, Banush Imerin e veprimtarë të tjerë. Zakonisht kam punuar në zdrukthëtari. Vëllai Osmani punonte pa ndërprerë dhe së bashku me disa miq e shokë kishte ngritur Mullirin elektrik dhe fabrikën e letrës, “Letplast” në Shtime. Gjatë vitit 1990, janë liruar shumë nga të burgosurit politikë, nga mesi i tyre edhe Nezir Myrtaj, me të cilin ishin njohur në Burgun e Smrekovnicës. Kam vizituar disa prej tyre me rastin e lirimit. Asokohe kam mbajtur kontakte më të shpeshta me Kadrie Gashin, Imer Halilin, Hilmi Ramadanin, Shaqir Zenelin, Nezir Myrtajn  e të tjerë.

 

16.Ku jeni punësuar, a keni pasur probleme në punë?

Pas kthimit nga burgu ka vazhduar dënimi për pesë vjet pa të drejtë pune në arsim. Kam punuar fizikisht në zdrukthtari e ndërtimtari për ta mbajtur familjen. Vëllai Osmani punonte pa ndërprerë dhe së bashku me disa miq e shokë kishte ngritur Mullirin elektrik dhe fabrikën e letrës, “Letplast” në Shtime,

Gjatë vitit 1990, janë liruar shumë nga të burgosurit politikë, nga mesi i tyre edhe Nezir Myrtaj, me të cilin ishin njohur në Burgun e Smrekovnicës. Kam vizituar disa prej tyre me rastin e lirimit. Asokohe kam mbajtur kontakte më të shpeshta me Kadrie Gashin, Imer Halilin, Hilmi Ramadanin, Shaqir Zenelin, Nezir Myrtajn  e të tjerë.

Gjendja në Kosovë pas pezullimit të autonomisë dhe fillimit të luftës në Kroaci ishte përkeqësuar. Lëvizja pacifiste me Ibrahim Rugovën në krye kishte filluar pacifikimin e Lëvizjes militante dhe kishte fituar besimin e shumicës së shqiptarëve që kishin bashkëpunuar dhe bashkëjetuar gjatë viteve të autonomisë.

Vëllai Osmani kishte zgjeruar punën në montimin e mullinjve. Kam marrë pjesë, së bashku me Osmanin, babanë Aliun, vëllanë, Hasanin, ish të burgosurin politik,  Isuf Dragaçina  e punëtorë të tjerë në montimin e një mulliri në fshatin Jashanicë, afër Klinës, pastaj në një mulli tjetër Buzez të Dragashit dhe më vonë edhe në Prekaz të Epërm të Drenicës dhe në fshatin Semetisht, afër Therandës, ish-Suharekë.

Nuk e kam ndërprerë punën në Zdrukthëtari, ku kam angazhuar në punë edhe  Isuf Dragaçinën nga Bujani, ish i burgosur politik, me të cilin jam njoftuar në Burgun e Gjyrakocit. Më vonë kam angazhuar në punë edhe pedagogun, Agim Olluri, i cili ashtu sikur të gjithë punëtorët e arsimit regjimi i Milosheviqit i kishte larguar nga procesi mësimor, meqë nuk kishin pranuar të punonin me plan programe të Serbisë dhe nuk e njihnin regjimin që ia kishte hequr Kosovës autonominë. Më vonë kam pranuar në punë edhe Nehat Imerin, një tezak nga Gllogoci i Lypjanit, vëlla i të burgosurit politik, Refik Imeri.

Me insistimin e disa të burgosurve politikë, si Bashkim Mazreku, Kadri Kryeziu e të tjerë kam pranuar të anëtarësohem në Partinë Parlamentare të Kosovës, në krye të së cilës ishte i burgosuri politik, Bajram Kosumi dhe disa të burgosur të tjerë. Partia fillimisht ishte udhëhequr nga Veton Surroi dhe një klan titist, por kishte ardhur deri te përplasje me ish të burgosurit. Surroi kishte ikur nga partia, por  prapa kishte lënë disa mbetje.

 

  1. Cilat kanë qenë aktivitetet në angazhimin Tuaj, në arsim dhe në jetën shoqërore?

Me propozimin e disa profesorëve dhe intelektualëve të Shtimes kam pranuar të udhëheq sektorin e arsimit,  (pa pagesë),  dhe pa e ndërprerë punën në lokalin e zdrukthëtarisë, ku nga puna arrija të mbaja familjen dhe t’ iu ndihmoja disa prej shokëve të burgut që e kishin  gjendjen e rëndë ekonomike, po ashtu paguaja edhe përqindjen për arsim. Me kohë e kam kuptuar se kryetari i Qeverisë në hije, ( e cila ishte improvizuar dhe mbahej fshehtë) që ishte edhe kryesuesi i LDK-s, Ali Sadriu, kishte pranuar ta drejtoja sektorin e Arsimit. Ai kishte hapur dy paralele të mjekësisë në Shtime, pa përfillur konkursin zyrtar, vetëm për të zënë me punë të vetët e LDK-së, edhe pse nuk kishte kushte elementare për paralele të mjekësisë..

Distancimi im nga veprimet e tij në LDK ishte komentuar si qëllim keq me faktin se i takoja një partie tjetër. Të gjithë ata që më përkrahin nga LDK-ja si Ruzhdi Jashari, Abdyl Hajredini, Fehmi Mujota, Ramadan Veliu, Xhevat Saliu, Isa Haxhiu Sherif Beqa  e të tjerë ishin shantazhuar dhe ishin anashkaluar.

Ishin thelluar mosmarrëveshjet me kryetarin e improvizuar të komunës, Ali Sadriu, i cili pretendonte se kryente detyrën e kryetarit, edhe pse karshi organeve të dhunshme serbe, asnjëherë nuk e kishte pranuar ekzistimin e postit të tillë, ‘ekzekutiv’.

Përplasja me strukturat paralele ishte acaruar tejmase.

Kisha kontaktuar me kryetarin e LASH-it, në Prishtinë, Rexhep Osmanin, të cilin e kisha lajmëruar edhe me shkrim lidhur me të gjitha lëshimet që kisha evidentuar gjatë punës sime në cilësi të sekretarit të Arsimit. Ai jo vetëm që më kishte pritur ftohtë, por nuk kishte treguar gatishmëri ta pranonte shkresën time zyrtare. Duke parë injorimin që nuk arrinte ta fshihte e kisha shikuar me cinizëm, ia kisha vënë para raportin dhe isha larguar pa e përshëndetur.

Më 23 qershor të vitit 1995, Komisioni Parlamentar për Arsim, ( Kosova nuk kishte as Parlament të improvizuar) me shumicë votash kishte votuar shkarkimin tim nga pozita edhe ashtu e improvizuar, pa publikuar asnjë fjali të arsyetimit, nga ana ime.

Kanë votuar për shkarkim: Xhavit Ahmeti, Rexhep Osmani, Avdyl Rama, Fadil Hysaj.

Kanë abstenuar: Ramë Buja i LDK-së, dhe Aziz Pacolli i PPK-së.

Ka votuar kundër shkarkimit,  përfaqësuesi i PPK-së, Jonuz Salihaj i PPK-së dhe kryetari i Partisë Fshatare, Hivzi Islami. (Dokument i arkivuar, ashtu sikur të gjitha dokumentet e tjera personale të këtij jetëshkrimi).

Para shkarkimit, Fehmi Agani së bashku me Ali Sadriun kishin kontaktuar Bajram Kosumin, kryetar i PPK-së dhe ia kishin paraqitur versionin e tyre, duke kërkuar nga ai që të mos e bënte problem shkarkimin tim. Bajrami së bashku me Osman Dumoshin i kishin marrë si të vërteta deponimet e Ali Sadriut, edhe pse unë u kisha paraqitur faktet me shkrim, me dëshmitarë dhe me një qëndrim krejtësisht real që nuk më bënte fare përshtypje se çka kishin kurdisur krerët e LDK-së. Kërkesa e Fehmi Aganit dhe Ali Sadriut që të më përjashtonin nga Partia Parlamentare nuk u mor aq seriozisht në PPK, por as më interesonte fare, meqë isha në kontakt me disa nga krerët e UÇK-së.

  1. Pas problemeve me LDK-në e Shtimes shtohen shantazhet e milicisë vendore. Policia financiare më kishte bërë një kontroll në Punëtorinë e Zdrukthëtarisë dhe kishte konstatuar se nuk e kisha paraqitur gjendjen reale të punës. Më kishin dënuar me një gjobë disa milionë dinarë, që në marka gjermane kapte vlerën rreth 1000 dm. Nuk e kisha paguar gjobën në arsyetim se dyert e dritaret që i mbaja në Punëtori, ishin bërë gati për treg,  por nuk ishin shitur. Meqë në afatin e caktuar nuk e kisha paguar gjobën policët në Shtime më kishin mbyllur punëtorinë.

Asokohe, së bashku me profesorin, Avdyl Hajredini kemi punuar në lokalin e zdrukthëtarisë  te Musë Maçiteva në fshatin Lutogllavë, afër Prizrenit. Aty kam punuar nga pesë ditë në javë, gati një vit.

Një natë dimri deri sa po kthehesha me autobusin e mbrëmjes i cili qarkullonte në relacion Prizren Shtime, Prishtinë, dëbora kishte zënë rrugën në Duhle ku ishte dashur  të pritnim shumë orë. Ndërkohë kam takuar, Jetë Hasanin, i cili kishte mbetur në rrugë me veturën e tij. Jeta ishte një veprimtar nga Godanci, i cili ishte maltretuar sa e sa herë nga milicia serbe. Atë e kisha njohur edhe me herët, meqë babai i tij, kishte lidhje familjare me dajat e nënës sime, në Ribar të madh. Jeta më kishte treguar se ishte takuar me Muhamet Malësorin, një shok i ngushtë i Ukshin Hotit, të cilin e njohja dhe më njihte. Ata bënin plane për ta nxjerrë ilegalisht Ukshinin nga Burgu dhe për ta vrarë inspektorin që e kishte arrestuar dhe e kishte torturuar, dy vjet më parë. Jetë Hasani mbante kontakte ilegaliteti me kushëririn tim, Sylë Qeriqi, me arsimtarin, Elez Durmishi dhe me një grup, të cilët i kishte stërvitur në Tiranë dy vjet më parë. Syla dhe Elezi mbanin kontakte me njësitë  e armatosura të Adem Jasharit në Prekaz e më gjerë.

  1. Kur filloi organizimi i UCK-së, dhe çfarë roli kishit ju në të?

Organizmit të UÇK-së i ka paraprirë në një segment edhe Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila doli nga kreu i Lëvizjes ilegale, sidomos pas  vitit 1981. Të gjitha grupet ilegale në Kosovë, të cilat kanë vepruar në drejtim të organizmit të Lëvizjes  aktive të rezistencës kanë vepruar në platformë të programit kombëtar shqiptar, për çlirim dhe bashkim të trojeve me Shqipërinë-Amë.

Organizatat e fshehta atdhetare  që vepruan nga pas Lufta e Dytë Botërore, si LNDSH-LRBSH-LPK-OMLK-PKMLSHJ, e të tjera, në gjysmën e dytë të  shekullit XX  e mbajtën  gjallë idenë për luftë të armatosur. Kjo solli rezistencën heroike të Adem Jasharit dhe të Jasharëve në Prekaz, më 5.6 dhe 7 mars luftën e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe  intervenimin ushtarak të NATO-s kundër regjimit shqiptar-vrasës serb.

 Situata e përgjithshme në vitin 1997 kishte shpërthyer me dhunë e terror të përditshëm policor kundër shqiptarëve, të cilët nuk i bindeshin regjimit. Dhuna sistematike, kishte kaluar kufijtë e çdo durimi, në të cilin insistonte LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Në të njëjtën kohë ishin intensifikuar edhe sulmet e grupeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër policisë serbe dhe kolaboracionistëve shqip-folës. Duke qenë se mbaja lidhje ilegalitet me disa nga grupet, kisha reduktuar të gjitha lëvizjet në publik. Në rrugë për në Prishtinë nuk shkoja në stacion për nisesha rrugës dhe ndërkohë ndalonte ndonjë veturë. Edhe gjatë kthimit, kërkoja nga shoferi të ma ndalonte autobusin pa hyrë në Shtime. Shpeshherë zbritja në fshatin Davidoc dhe pastaj vazhdoja këmbë. Rrugën për në Krojmir e bëja këmbë, nëpër fshatrat: Godanc, Zborc, Pjetërshticë.

Asokohe kisha dhënë dorëheqje nga Partia Parlamentare e Kosovës, meqë nuk isha pajtuar me përjashtimin nga partia të Kadri Kryeziut e Merxhan Avdylit, të cilit pa lejen e Adem Demaçit, asokohe kryetar i PPK-së, kishin shkuar në Shqipëri dhe kishin takuar krerët e Partisë Socialiste. Nga PPK-ja ishte larguar edhe Nezir Myrtaj, i burgosur politik, bashkëshorti i Kadrie Gashit. Me Nezirin vazhdimisht kemi gjetur gjuhë të përbashkët dhe kemi vepruar në të gjitha angazhimet  e mëpastajme.

Nga kontaktet e vazhdueshme që mbaja me shokun e studimeve, Sheqir Zeneli, isha në dijeni për aktivitetet ilegale të Azem Sylës dhe  disa të veprimtarëve të tjerë.

Gjendja sociale në familje ishte përkeqësuar. Nuk kishte punë dhe nuk mund të lëvizja lirshëm nga frika e ndonjë arrestimi të papritur. Kushëriri im, Haki Qeriqi më kishte dërguar të holla për meremetimin e shtëpisë së tij, të cilën e kishte blerë,  në Ferizaj. Në punë e kisha angazhuar edhe vëllanë tim, Hasanin, i cili po ashtu ishte pa punë dhe nuk e mbante dot familjen 9 anëtarë. Nëna ishte e sëmurë. Babai im,  Aliu kishte probleme me gurët në veshkë dhe ishte bërë operacion. Familja e Isufit të ndjerë mezi mbahej. Duhet të kujdesesha edhe për taBijtë e tij: Gazmendi e Shpendi, kur kishin kohë më ndihmonin në punëtori. Më ndihmonte edhe djali im, Epiri, 16-vjeçar edhe pse ishte bërë  dy herë operacion nga hernia. Ai edhe pse në moshë të brishtë kujdesej për shumë punë në shtëpi dhe ishte nxënës shembullor.

Kontakte ilegaliteti mbaja edhe me Kadrie Gashin, Reshat Gashin dhe Faruk Gashin, i cili përflitej për shoqërim me policët. Sheqir Zeneli më kishte shpjeguar se Faruku ishte në lidhje me Azem Sylën, dhe ai dinte për çdo veprim të tij dhe ishte nën urdhrat e tij. Gjatë atij viti kam mbajtur kontakte ilegaliteti edhe me Ruzhdi Jasharin, inxhinier, i cili më kishte mbështetur vazhdimisht dhe ishte një person me ndikim në Shtime, edhe pse në shënjestër të pushtetit, meqë ishte angazhuar në KMDLNJ për ku edhe raportonte lidhur me dhunën sistematike që ushtronte pushteti serb kundër shqiptarëve. Për qëndrim parimor që mbante ndaj meje, dega e LDK-së, në Shtime, qysh moti  e kishte larguar nga radhët.

Demonstrata e studentëve e  1 Tetorit të atij viti, në Prishtinë dhe dalja publike e UÇK-së, në Llaushë të Skënderajt, gjatë varrimit të mësuesit martir, Halit Geci, kishin shënuar ngjarjet më me rëndësi të vitit. Gjatë vitit 1997 kam intensifikuar takimet me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin dy luftëtarët e hershëm të Adem Jasharit.

 

  1. Ishte viti që do të bënte kthesën vendimtare në historinë më të re të Kosovës, kthesë e cila kishte filluar në vitin 1981, me kërkesë për çlirim nga robëria serbe, krijimin e Republikës së Kosovës dhe Bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Prej fillimit të vitit kam intensifikuar takimet dhe bashkëpunimin me Jetë Hasanin, Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Sheqir Zenelin, Nezir Myrtajn, Kadrie Gashin, Hilmi Ramadanin, Imer Halilin, pastaj anëtarët e Shoqatës së të Burgosurve politikë,  Hydajet Hysenin, Jakup Krasniqin, Mehmet Hajrizin,  Sokol Dobrunën, e të tjerë.

Kam vajtur shpesh edhe në Krojmir te xhaxhai, Mehdi Qeriqi dhe tezja Ajshe Beba-Qeriqi. Meqë shtëpia ishte buzë malit, Sylës dhe Elezit i kam propozuar që atje të mbaheshin takimet e grupit të UÇK-së, në Krojmir.

Qëndresa titanike dhe heroike e Komandantit të parë të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së ngushtë e të gjerë Jashari, më 5. 6 dhe 7 mars 1998, në Prekaz të Ulët të Drenicës, kishte shkundur përfundimisht letargjinë tetëvjeçare të politikës pacifiste, e cila edhe nëse kishte pasur, pas atyre ditëve, kishte humbur kredibilitetin, meqë nuk kishte qenë në gjendje të inkuadrohej në zgjidhjen reale të çështjes së Kosovës.

Asokohe gazetës bujku i kam drejtuar një shkrim kundër, fyerjeve dhe paraqitjeve  antikombëtare të gazetarit dhe partiakut, Jusuf Buxhovi”, i cili kishte kërkuar nga Ibrahim Rugova ta pacifikonte Drenicën e përgjakur nga kriminelët e Millosheviqit dhe të mos lejonte të ndodhte, sipas tij,  sikur në kohën e Shaban Palluzhës. Shkrimi nuk ishte botuar.  Disa shkrime i kam botuar në një gazetë sindikale, në Prishtinë.

Kam marrë pjesë aktive në organizimin e  luftës së UÇK-së prej vitit 1997, fillimisht në pikën e Krojmirit, së bashku me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Heset Ollurin, Halil Ollurin, Vehbi Qeriqin, Naim Rizanin, Mehdi Qeriqin e shumë  të tjerë.

Prej nëntorit të vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999 kam qenë përgjegjës dhe gazetar i Radio-Kosova e Lirë, e cila ka transmetuar program në Malet e Berishës.

(Periudha kohore prej majit të vitit 1998 e deri më 24 qershor të vitit 1999 është përshkruar ditë për ditë, në 400 ditë, në shënimet që kam mbajtur gjatë luftës, në veprën në dorëshkrim: Kronikë lufte I dhe II.)

  1. Kur ka filluar punënRadio-Kosova e Lirë dhe kush e kishte themeluar?

Radio-Kosova e Lirë ka filluar transmetimin më 4 janar të vitit 1999. Transmetimi i programit është bërë nga malet e fshatit Berishë, në Rrafshnaltën e Drenicës, zonë e cila qysh prej fillimit të luftës ishte nën kontroll të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte rajoni që nuk është shkelur asnjëherë gjatë kohës së Luftës së UÇK-së. Radio është themeluar më 13 nëntor të vitit 1998 me vendim të SHP të UÇK-së.

Stafin e Radios e përbënin: Përgjegjës, Ahmet Qeriqi, Redaktor i informimit, Nezir Myrtaj, Reporter në terren, Martin Çuni, folës dhe zgjedhës i muzikës, Nusret Pllana, gazetarët dhe korrespondentët në terren: Sheqir Zeneli, Fetnete Ramosaj, Murat Musliu, Muharrem Mahmutaj, Ruzhdi Jashari, Sabit Gashi, Habib Zogaj, Nuhi Paçarizi e të tjerë. Teknikë dhe operatorë zëri: Valdet Hoti, Fatmir Dugolli, shofer, Razah Berisha.

Radio dhe Zonat Operative të luftës kanë qenë të pajisura me telefon satelitorë. Informatat në Radio janë dërguar nga gazetarët përgjegjës të zonave, të cilët kanë përgatitur raporte nga terreni dhe  të njëjtin e kanë transmetuar në Radio përmes telefonit. Një pjesë të informatave i kemi marrë edhe nga komandantët e zonave, apo të operatives, me rastin e luftimeve. Për zhvillimet diplomatike kemi shfrytëzuar të dhënat nga TVSH,  BBS, DW, CNN dhe agjenci të ndryshme botërore. Përveç edicionit të lajmeve, ku mesatarisht kemi transmetuar 20 deri në 35 informata ditore, kemi transmetuar edhe intervista, komente lidhur me zhvillimet diplomatike e politike, biseda me ushtarë dhe eprorë, biseda në vijën e luftimeve, reportazhe të luftës për jetën e banorëve të zhvendosur  nëpër gryka malesh dhe njoftime të ndryshme për popullatën.

 Në raste të caktuara gazetarët dhe reporterët: Martin Çuni, Nusret Pllana kanë bërë incizime edhe me kamerë, në disa raste edhe gjatë luftimeve. Ata kanë bërë fotografime të shumta në shumicën e zonave të luftimeve.

Pas intensifikimit të bombardimeve të NATO-s kur nga Kosova ishin larguar të gjithë gazetarët, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress kishin mbetur të vetmet burime të informimit në Kosovë. Asokohe Dojçe Vele, Zëri i Amerikës e medie të tjera, u bënin me dije dëgjuesve se lajmet nga Kosova mbështeteshin ekskluzivisht nga mediet e UÇK-së. (RKL në vitin 2009  ka botuar në tri vëllime tërë arkivin e kohës së luftës).

2o. A ju kanë sulmuar  trupat serbe në selinë e Radios?

Qysh prej fillimit të transmetimit të programit e deri në mbarimin e luftës, Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress kanë qenë në shënjestër të përhershme të goditjeve nga distanca, por edhe cak i goditjeve nga dy aeroplanë bombardues. Më 27 mars  1999, në orën 8 të mëngjesit dy aeroplanë ushtarakë jugosllavë, kanë goditur lagjen  me tetë arka bomba të tipit kasetë, ku ne strehoheshim, me ç rast është martirizuar një i ri 16-vjeçar, ndërsa kanë marrë plagë edhe tetë të tjerë. Po atë ditë, në orën 12.00  mediet serbe kishin dhënë lajmin për shkatërrimin e bazës transmetuese të Radios Kosova e Lirë, ndërsa ne kemi transmetuar programin në orën 16.00, në orën e caktuar kur ka filluar transmetimi gjatë tërë kohës së luftës. Asokohe, krimineli serbe Sheshel dhe disa komandantë të armatës jugosllave  kishin deklaruar në medie se së shpejti do të pinin kafenë e mëngjesit në Berishë, ku do të ndërtonin edhe një stadium futbolli.

Me qëllim për të mbijetuar në kushte dhe rrethana të sulmit të pandërprerë, në fillim të prillit të vitit 1999 kemi ndërtuar një bunker të fortifikuar mirë, në një maje mali dhe nga bunkeri kemi transmetuar programin ditor, (deri në 1 orë e 30 minuta në ditë), gjatë tre muajve të fundit të luftës. Vendi afër Bunkerit  është goditur sa e sa herë nga arma  armike, por nuk është shkatërruar. Më 8 qershor 1999,  dy ditë para përfundimit të luftës, forcat serbe kanë  goditur bazën e strehimit të stafit, në vendin e quajtur “Rrezja e Baliqit”. Ata kanë goditur me 16 raketa tokë-tokë, të cilat kanë shpërthyer në një rreze: 50 deri  100 metra në afërsi të bunkerit. Në momentin kritik  të fillimit të goditjeve jemi futur në bunker dhe kemi shpëtuar të gjithë. Gjatë dhe pas luftës kemi tubuar shumicën dërrmuese të pjesëve dhe skeleteve të raketave, me qëllim për t’i ruajtur në Muze, por ato i kanë marrë ushtarët  e KFOR-it në muajin e parë pas mbarimit të luftës, mbase me qëllim për t’i zhdukur edhe gjurmët fizike të luftës.

  1. Cila ka qenë dita më e vështirë e luftës?

Dita më e vështirë për mua, për Radion dhe stafin gjatë luftës  ka qenë 27 marsi i vitit 1999, dita e bombardimit të vendqëndrimit nga aeroplanët serbë.  Ishim para dilemës, si t’ ia bëjmë. Meqë serbët kishin informuar për shkatërrimin e Radios, ne si kundërpërgjigje, doemos se do të emetonin programin ditor, në kohën e caktuar, duke ndërruar paraprakisht vend-emetimin. Ishte me rrezik fakti që ata ta identifikonin lehtë vend-transmetimin dhe të na godasin me raketë teledirigjuese. Pavarësisht rreziqeve kemi përgatitur emisionin e lajmeve,  duke i shkruar informatat me laps në një fletore, nga ku duhej t i lexonte drejtpërdrejt spikeri, meqë teknika e incizimit paraprak nuk funksiononte. Në fillim të edicionit të lajmeve kemi njoftuar opinionin se programi është reduktuar për shkaqe dhe rrethana të luftimeve të pandërprera, në zonën ku po transmetonim, ndërkohë që kemi dhënë edhe lajmin e bombardimit të selisë dhe pësimeve të popullatës civile. I kemi bërë me dije dëgjuesve se ne nuk do të ndalojmë programin e Radios dhe do të vazhdojmë  transmetimin nga zonat, që i mbante nën kontroll UÇK-ja. Gjatë tërë asaj dite tërë stafi i Radios dhe i Agjencisë kemi qëndruar në një pyll me lisa të mëdhenj, te varrezat e fshatit, gjithnjë në shënjestër të breshërive të pandërprera të granatave. Vazhdimisht kemi ndërruar vendqëndrimin dhe në kushte e rrethana të tilla kemi përgatitur informatat e ditës. Pas bombardimit të selisë nga aeroplanët e armikut, në fshatrat përreth  ishte përhapur lajmi i goditjes së Radios. Për të parë dhe për t u bindur se ç’ kishte ndodhur kishin rrugëtuar këmbë, për pesë orë rresht nga Krojmiri deri në Berishë, bija ime Arbana dhe djali Epiri me një bashkëluftëtar të tij. Ata u gëzuan pa masë kur na panë të gjithëve shëndosh. Pas transmetimit të programit, me disa anëtarë të stafit kemi vajtur për ngushëllime te familja e Mehmet Berishës, meqë iu kishte vrarë nipi, Elbasan Berisha, vëlla i vetëm i katër motrave dhe ishin plagosur  tetë anëtarë të familjes, në mesin e tyre edhe prindërit e Elbasanit…

Askush nuk e dinte se çka do të na sillte mëngjesi, edhe pse fortifikatat e luftës  së UÇK-së në Rrafshnaltë qëndruan të patundura deri në mbarim të luftës. Në mbrojtje të zërit të lirisë kanë rënë 13 dëshmorë, tre prej tyre anëtarë të stafit.

  1. Cila ka qenë dita e fitores?

Më 21 qershor të vitit 1999 kemi dhënë kumtin  e fitores, pasi është bërë i njohur lajmi për largimin definitiv të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Së bashku me ushtrinë kriminale po largoheshin  edhe shumë serbë, sidomos ata që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve. Kësaj radhe serbët e kanë realizuar çdo pikë të Marrëveshjes për tërheqje e cila është realizuar dy ditë më parë, por sot është zyrtarizuar. Forcat franceze kanë zënë Mitrovicën ndërsa një pjesë e madhe e serbëve është ndalur në pjesën veriore të qytetit. Edhe forcat ruse janë stacionuar në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Prishtinës. Po flitet se forcat ruse do të inkuadrohen në radhët e KFOR-it. Në Kosovë tanimë kanë depërtuar forcat amerikane, gjermane, austriake e të tjerë.

Pikërisht kur kishim festua  morëm një lajm të hidhur. Në përpjekje për të deminuar vendin në oborrin e Shkollës, në Lagjen e Bytyçëve, kanë rënë dy luftëtarë të lirisë, dy ushtarë anglezë dhe një rojtar i shkollës. Me rastin e largimit të minave, njërit nga ushtarët e huaj i ka shpëtuar bomba kasetë nga dora dhe nga shpërthimi kanë gjetur vdekjen të gjithë. Barbarët janë larguar por prapa kanë lënë gjurmët e sodomisë së tyre kriminale. Në mesin e ushtarëve të rënë janë Sami Gashi dhe një luftëtar tjetër nga Arllati.

Më 21 qershor të vitit 1999 kemi paralajmëruar ditën e fundit të transmetimit të emisionit në majën e Pallanikut. Përmes një shënimi që e kam hartuar i kam bërë të ditur emrat dhe mbiemrat e anëtarëve të stafit dhe punën që kanë kryer gjatë kësaj periudhe  afër gjashtëmujore.

Ndërprerja e programit pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të serbëve nga Kosova ka  simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar ishte një hap tejet i guximshëm, por tani i bërë realitet.

Radio-Kosova e Lirë ka kryer misionin që ka caktuar vetvetes dhe sot po e përmbyll kapitullin më të rëndë por edhe më të lavdishëm të ekzistencës së vet. Ishte radioja e vetme e luftës në Kosovë që së bashku me agjencinë Kosovapres, u bënë jehonë e vërtetë e luftës çlirimtare.

Me radion tonë kanë bashkëpunuar qindra liridashës nga mbarë trevat e përfshira në luftime. Në fushën e nderit ka rënë Xhavit Bajraktari anëtar i stafit në terren. Në mbrojtje të Rrafshnaltës dhe të pozicioneve tona nga ku kemi transmetuar prej 1 prillit deri më 2 maj 1999 kanë rënë  11 dëshmorë të lirisë.

  1. Sa dëshmorë ka dhënë  Brigada-Kumanova dhe cilët janë dëshmorë që kanë rënë në mbrojtje të pozicioneve, ku ka transmetuar program Radio-Kosova e Lirë?

Në Brigadën 121, të Zonës Operative të Pashtrikut, ku e ka shtrirë aktivitetin transmetues Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia kosovapres kanë rënë 65 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Ismet Jashari -Komandant Kumanova.

Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të institucioneve informative të luftës dhe të popullatës së zhvendosur përreth vend emetimit të Radios dhe të Agjencisë prej 1 prill deri më 11 qershor të vitit 1999, kanë rënë dëshmorë:

ELBASAN JAKUP BERISHA 16-vjeçar, është vrarë nga predhat e bombave kasetë më 27 mars të vitit 1999, gjatë sulmit të dy aeroplanëve bombardues MIG 21 të armatës okupatore jugosllave, afër selisë së Radios.

XHAVIT KELMENDI nga Karaçica, ka rënë dëshmor më 1prill të vitit 1999, në luftë kundër forcave ushtarake serbe në mbrojtje të pozicioneve te UÇK-së në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.

VEZIR KOLSHI, nga fshati Baicë e Kolshit, ka rënë dëshmor më 1 prill 1999, në luftë kundër forcave serbe, në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së, në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.

MEHDI BYTYÇI nga Arllati, komandant Toge, ka rënë dëshmor me 16 prill 1999 te Lagja e Bytyçve, në Arllat në mbrojtje të pozicioneve, me rastin e përpjekjeve të forcave serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë.

SYLEJMAN BYTYÇI nga Arllati, ka marrë plagë vdekjeprurëse nga arma armike më 16 prill 1999, te Lagja e Bytyçve. Nga plagët ka ndërruar jetë pesë ditë më vonë.

ISLAM KASTRATI, nga Kizhareka

MENTOR MORINA, nga Arllati

RAMADAN BYTYQI, nga Gjergjica

MENTOR GASHI nga Llapushniku

HALIM BAJRAKTARI, nga Çikatova, kanë rënë dëshmorë më 18 prill të vitit 1999, në betejën ballë për ballë kundër këmbësorisë serbe në pozicionet strategjike të UÇK-së te Gradina, mbi Grykë të Llapushnikut.

XHAVIT BAJRAKTARI, nga fshati Studençan i Therandës ka rënë dëshmor me 2 maj 1999 së bashku me Fetah Gegën, në fshatin Shirokë, në përleshje të drejtpërdrejt me forcat armike. Xhaviti ka qenë reporter i Radios dhe i Agjencisë, prej shkurtit të vitit 1999.

SHAQIR HOXHA, nga fshati Shalë ish-Sedllar, ka rënë dëshmor në hyrje të Grykës së Gashit në Nekoc, më 24 prill 1999.

William Walker dhe Ahmet Qeriqi

 23.Si ka vazhduar jeta pas luftës, si jeni rimëkëmbur?

Më 8 korrik 1999 Radio-Kosova e Lirë  rifillon transmetimin në Kodrën e Diellit në Prishtinë.

Dështojnë përpjekjet për ta marrë në mbrojtje institucionale Radion Kosova e Lirë.

Qeveria e Përkohshme në fillim kishte ndarë 200.000 DM për Radion dhe Kosovapressin. Më vonë ishte marrë vendin që Radios t’ i ndaheshin vetëm 25.000 DM, ndërsa të tjera 175.000 DM për Kosovapress.

Qeveria nuk kishte ndarë financat për blerjen e pajisjeve të reja teknike. Paratë e ndara fillimisht për Radion iu kishin dhënë Kosovapressit.

Për shkak të krizës financiare në Radio,  detyrohen të largohen nga puna 15 gazetarë, të cilët ishin pranuar në punë pas luftës, pa asnjë kriter, por vetëm me porosi nga “lart”.

Teknika e vjetër defektohej deri edhe dy tri herë në muaj.

Një ndihmesë financiare 5.000 DM e ka dhënë komuna e Pejës. Et-hem Çeku, Ahmet Mahmutaj etj.

LPK-ja ndanë 10.000 DM për mjete dhe pajisje teknike. Pa vonuar kam blerë një transmetues 500 wat, antena dhe pajisje të reja.

Në mungesë të theksuar të rrymës elektrike kemi blerë gjeneratorë.

Kushëriri im, Haki Qeriqi i ka dhuruar Radios një veturë të vjetër të tipit “mercedes”, në gjendje të rregull puna.

Bija ime Arbana ka diplomuar në Pedagogji dhe ka rifilluar punën në Radio.

Në shkurt të vitit 2001 me Valdet Hotin dhe Hilmi Ramadanin, kemi depërtuar në zonat e luftës së UÇPMB-së dhe kemi montuar teknikën e “Radios-Zëri i Lirisë”, në malet afër Konçulit. Marrëveshjen  paraprakisht e kisha arritur me Nexhat Behlulin. Kemi dërguar transmetuesin e parë të Radios-Kosova e Lirë. Atje ka punuar Selim Zeqiri, ish gazetar i Radios-Kosova e Lirë. luftëtar i UÇPMB-së. Radio ka funksionuar afër dy muaj.

Radio Kosova e Lirë nuk kishte më asnjë mbështetje financiare, pos në të ardhura nga reklamat, të cilat i kishin  intensifikuar në terren, gazetarët e Radios: Jeton Syla dhe Shefqet Zeka, me 25 për qind provizion. Xhevat Mehmeti nga Sllatina i ka dhuruar radios një veturë tip Xheta, në gjendje të rregull të punës.

Në maj të vitit 2001 kemi themeluar Redaksinë, “Dëshmorët e UÇK-së”, monografia “Feniksët e lirisë” dhe kemi nxjerrë vëllimin e parë  me emrat e dëshmorëve të UÇK-së.

Në fillim të marsit, të vitit 2009 së bashku me birin tim, Epirin kam shkuar në Shqipëri, ku fillimisht jam vendosur në banesën e mikut tim Ismet Shamollit, te Shkëmbi i Kavajës, në Durrës. Më 13 mars jam shtruar në Spitalin Ushtarak, tani Spitali Amerikan në Tiranë. Më 16 mars më ka operuar kardiokirurgu, Edvin Prifti. Operacioni doli me sukses. Pavarësisht disa komplikimeve pas operacionit me kohë e mora veten. Ia hodha edhe kësaj radhe, thonë në Shqipëri. Pas 40 ditë qëndrimi në Shqipëri kam kthyer në shtëpinë time në Shtime.

  1. Cila është krijimtaria juaj publicistike, letrare e artistike, përkthimet, çka keni botuar dhe çka kenë në dorëshkrim?

Me shkrime jam marrë qysh në  kohën e studimeve në vitet 70-të shekullit 2o-të, dhe  nuk e kam ndërprerë asnjëherë aktivitetin studimor letrar dhe publicistik. Kam bashkëpunuar me gazeta, revista e mediume të shumta. Kryesisht kam botuar dhe botoj në Radion-Kosova e Lirë.

 

Vepra  të botuara, sipas viteve:

 

Prej vitit 2002 e deri tani, kam shkruar dhe kam botuar:

Meditime në arrati, 2002.

Në Gjurmim të lashtësisë, 2002

Milush Kopiliqi serb apo shqiptar? 2003.

Burgu, 2004.

Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit, kryeredaktor dhe bashkëautor, 2004.

Fenomene shqiptare, 2005.

Luftëtarë të NDSH-së, (1945-1950) 2005.

Krojmiri, monografi, 2007.

Koha e jeniçerëve, 2009.

Gjurmime dhe studime, 2011.

 “Trëndafili i bardhë” (përkthim)  roman i shkrimtarit hungarez, Jokai Mor. 2013

Çlirimtarët e mercenarët, 2015

Luftëtarë të NDSH-së, II 2016

Varri i Nizamit, 2016.

Tal Shema dhe Jami Çupi  2017.

Januz Bajçinca me bijtë 2018

Zëri i lirisë, 2019.

Sadri Sahit Çatani, 2019.

Luani i Janinës, përkthim,  roman i shkrimtarit hungarez, Jokai Mor. 2019

Guri i Betimit 2020. në vitin 2023 është botuar edhe në gjuhën gjermane.

Medreseja e Ulët e Mesme Shqiptare e Prishtinës, version i printuar…2021

Mulla Sherifi i Kizharekës, 2022.

Betimi i motrës, 2022.

 

Vepra në dorëshkrim:

 

Kthimi,  roman i papërfunduar. (Pjesa e tretë e trilogjisë, Arratia, Burgu, Kthimi)

Saga e Malmirit, e përfunduar

Vegimtari, vepër e përfunduar,

Fenomeni e Besës ndër shqiptarë,

Nëpër shekuj kënga e popullit,

Varri i Nizamit,

Tal Shema dhe Jani Çupi,  e përfunduar

Kronikë lufte I

Kronikë lufte II

Pema e jetës, vepër e pa përfunduar.

Bashkautor  dhe redakton në 19 vëllime të monografisë, “Feniksët e lirisë”.

10 vëllime me studime, gjurmime, artikuj, komente të botuar në Radion Kosova e lirë dhe në gazetat e revistat: Jeta e Re, Rilindja, Bujku, Zëri i Kosovës, Zëri i lirisë, dhe në revista e portale të ndryshme, prej vitit 1971 e deri në vitin 2023.

 

Ju falënderoj që më mundësuat këtë paraqitje të gjerë e të gjithanshme, pa kufizime.

Ahmet Qeriqi

23 korrik 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Artisti i Popullit”, Luftar Paja: Ndihem i vlerësuar nga fjalët e Agollit dhe Kadaresë

-Në Greqi pronari i djalit  të madh ishte si sozia ime, e shikonim njeri tjetrin …