Komuna e Ankarasë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kosovën ne fushat e kulturës, rinisë, sportit e më gjerë, si dhe ka ofruar përkrahje për zhvillimin e komunave të Kosovës.
Në një takim në Ankara që pati zëvendësministri i MKRS-së, Rexhep Hoti me nënkryetarin e kësaj komune, Ali Gökşin u diskutua për mundësitë e lidhjes së bashkëpunimit në fusha konkrete në kulturë, rini, sport, por edhe në fusha tjera të rëndësishme.
Gökşin, pas pritjes që i bëri zëvendësministrit Hoti tha se janë të gatshëm në çdo kohë ta ndihmojnë Kosovën dhe të kontribuojnë në zhvillimin e çdo komune të saj.
Ai u shpreh i interesuar të mësojë më shumë rreth kulturës në Kosovë dhe ofroi gatishmërinë e Ankarasë për të lidhur ura bashkëpunimi.
Ndërkaq, zëvendësministri Hoti falënderoi Gökşin për pritjen dhe siguroi se Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar për të forcuar lidhjet me Ankaranë.
Ai tha se ndër pikat ku do të mund të bashkëpunohej janë trashëgimia kulturore, rinia e sporti por edhe fusha tjera.
Ai shprehi edhe idenë e organizimit të përbashkët të seminareve, konferencave e simpoziumeve të ndryshme.
Hoti dhe Gökşin u pajtuan që në një të ardhmen të afërt, të shihet mundësia e konkretizimit të hapave bashkëpunues për çështjet të cilat u diskutuan në takim.