Ansambli i Vlorës, fitues i Festivalit Folklorik “Oda e Llapushës”

Ka përfunduar Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Oda e Llapushës”, edicioni i tretë, ndërsa fitues i edicionit të sivjetmë ishte Ansambli i Qendrës Kulturore nga Vlora, të cilët me prezantimin e tyre, më të kompletuar, sipas rregullave të festivalit, ku përveç këngëve dhe teksteve, ashtu edhe me valle dhe me veshje, sipas jurisë u vlerësuan më të mirët në prezantimin e tyre. Çmimin kryesor të festivalit “Salih e Feriz Krasniqi”, drejtorit të këtij ansambli, ja dorëzoi Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Edicioni i tretë i festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, u karakterizua me pjesëmarrje nga të gjitha trojet shqiptare, përfshi edhe diasporën, e deri në Amerikën e largët.  Po ashtu, edhe publiku ishte në masë të madhe, ku morën pjesë, përveç qytetarëve të shumtë, edhe njerëz të artit e të kulturës, e sidomos nga diaspora.

Mërgimtarët tanë, ishin pjesa më e mirë e festivalit, ku morën pjesë shumë personalitete nga vendi, por edhe nga Malisheva, që jetojnë e veprojnë në mërgim, në mesin e tyre shoqëri të ndryshme kulturore, artistike dhe atdhetare, pastaj njerëz të kulturës, siç ishte mbrëmë edhe Nazmi Telaku, këngëtar i njohur, që publiku e njeh nga paraqitjet e tij në ish Radio Televizionin e Prishtinës.

Pas paraqitjes të rapsodëve dhe shoqërive artistike në natën e dytë të festivalit, derisa juria profesionale, që përbëhej nga ekspertët vendorë të fushës së folklorit, trashëgimisë dhe albanologjisë, kanë bërë përzgjedhjen e më të mirëve, është shfaqur një dokumentar për Salih e Feriz Krasniqin, ikonat e rapsodisë shqiptare, që vijnë nga Komuna e Malishevës. Pastaj, jashtë konkurrence, kanë kënduar edhe këngëtaret Zyle Krasniqi dhe Motrat Krasniqi, ndërsa shoqata “Atdheu” nga Graci i Austrisë,  ka ndarë një mirënjohje të veçantë për rapsodin më të vjetër të festivalit Ali Krasniqin.

Sipas jurisë profesionale e përbërë nga prof.dr.Zymer Neziri, prof.dr.Adem Zejnullahu dhe prof.dr.Izet Duraku, çmimin e diasporës e fitoi rapsodi Shefqet Karaçica, që jeton në SHBA. Çmimi i grupit më të kompletuar, këtë edicion ju nda ansamblit nga Librazhdi. Çmimin e publikut e mori Naxhije Bytyçi-rapsode. Çmimin e karrierës e fituan “Vëllezërit Kryeziu 2”. Çmimin “Beqir Gashi”, që ndahet për pjesëmarrësin e ri , më të mirë, ju nda Anita Krasniqi, nga ansambli i Drenasit.

Ndërsa për tri vendet e para, juria profesionale i kanë vlerësuar, SHKA “Rafsha” Drume-Hot, nga Malësia e Madhe në Mal të Zi, vendi i tretë, ndërsa vendi i dytë për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Dëshmorët e kombit”-Kastriot dhe vendi i parë, që mori çmim “Salih e Feriz Krasniqi”, ju dha Ansamblit të Qendrës Kulturore të Vlorës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …