Babi, është hera e dytë që më del në ëndërr. Herën e parë, pesë ditë pas vdekjes, të pashë në ëndërr, jo vetëm ty, por edhe babëlokun. Ishit të dy në odë, në Krojmir, të shtrirë në shtretër. Ti ishe më lart se babëloku, por në odë kishte një rreze të madhe drite sa të verbonte. Fillova të qaja, jo që e dija që ti nuk ishe më, por nga gëzimi që të shihja të shëndoshë, ashtu si ishe para se të rrëmbej kjo sëmundja. Mu lute ta mbyllja dritaren, dhe pasi e mbylla, më doli gjumi… ishte një realitet i hidhur.
Parmbrëmë, të pashë sërish, ama kësaj radhe të pashë i sëmurë. Më zgjatë duart dhe më the: “Nuk po ngopem me frymë.” Të mora në krah, unë po qaja, por nuk dëshiroja që të më shihje, Ti. Dhe po në atë çast, sërish më doli gjumi, dhe po, babi, atëherë qava deri sa u ngopa…
Babi, na porosit të mos derdhim lot, por ja që në shumë raste nuk po mundemi ta mbajmë atë amanet dot. Në fakt, nuk duhet të derdhim lot, pavarësisht që zemra rënkon, po sikur edhe një mijë jetë të kisha, sikur edhe një mijë herë të lindja, çdo herë do të dëshiroja të ishe ti, babi im.
Të kujtoj kur isha e vogël, kur na tregoje përralla, të kujtoj kur na blije lodra, biçikleta, të kujtoj në dhomën e fshehur që rrije në ilegalitet, ku gëzoja se e dija që ishe pranë nesh. Të kujtoj në Krojmir, në kohën sa qëndroje i fshehur, kur më merrje në ag të mëngjesit dhe ngjiteshim rrugës përpjetë, dhe më mësoje të mos kem frikë kurrë nga asgjë dhe askush.
Të kujtoj nën grilat e burgut të Prishtinës, ku të shihnim në terr, të kujtoj në Suboticën e largët, ku bënim dy ditë e net për të ardhur në vizitë. Të kujtoj kur na mbaje në prehër ne të pestëve. Të kujtoj kur më korrigjoje në gabimet drejtshkrimore në letrat që shkëmbenim, nuk më qortoje, por më thoshe: “Me siguri nga ngutia të kanë rrëshqitur disa gabime.”
Të kujtoj si një lis të pamposhtur përballë aq shumë sfidave që ke kaluar, të kujtoj kur ika nga Kosova dhe ta theva zemrën aq shumë, sepse ti e doje këtë vend, nuk doje që fëmijët e tu të degdisen rrugëve të botës. Por babi, atë ditë të dhashë fjalën që do të kthehem, dhe e mbajta, u ktheva dhe u lehtësova në shpirt. Babi, të kujtoj qetësinë tënde, të kujtoj kur më gjykove të mos e ngrita zërin me fëmijët e mi, të kujtoj si, në ditët më të vështira të jetës sime, ti, me këshillat e tua, më shpëtove mua dhe familjen time.
Të kujtoj në Krojmir, duke punuar pa ndalur, të kujtoj në ditët që ti krijoje me mijëra e mijëra faqe romanësh, biografi dëshmorësh, analiza, komente, kalendarin mujor enciklopedik etj. Të kujtoj si një gjysh shembullor për nipërit e mbesat e tua, si je baba shembull, i qetë, fjalë pak, por vepra shumë.
Eh, të kujtoj edhe në ditët e zymta, përballë një sëmundjeje të cilës i rezistove deri në momentet e fundit, edhe ditën e 6 marsit, kur për pak mendova se të mori vdekja, ti e mposhte dhe ato momente kërkove të uleshe dhe të punoje në kompjuter.
Babi, do të kujtoj çdo ditë të jetës sime si njeriun e drejtë që nuk kishte frikë nga asgjë, njeriun që na mësoi se atdheun duhet ta duash pa kushte, duhet edhe qelizat e fundit të jetës t’i shfrytëzosh në dedikim për lirinë, për të vërtetën, por asnjëherë në këmbim të asgjëje.
Ti me të vërtetë ike fizikisht nga ne, por prapa teje ke lënë me qindra e mijëra shkrime, ke zbardhur figura historike të kombit të cilat as historianët nuk i njihnin. Veprat e tua nuk do të mbesin vetëm në hapësirën shqipfolëse; ato më vonë do të bëhen edhe pjesë e botës, njësoj siç është realizuar. “Guri i Betimit”, apo “Der Stein des Eides”, i cili u botua në datën më të shenjta të historisë sonë kombëtare, në ditën e Flamurit, më 28 nëntor 2023, doli në shtyp në tri vendet gjermanfolëse, siç janë Gjermania, Zvicra dhe Austria, dhe më pas shtëpia botuese Novum Verlag kërkoi leje nga ti që ky roman të përkthehej edhe në gjuhën angleze dhe të botohej edhe në Angli, Amerikë dhe Kanada. Pra, penda jote e artë u bë pjesë e bibliotekave kombëtare gjermane dhe përtej.
23.03.2025 Shtime
Ky ishte falënderimi yt drejtuar shtëpisë botuese Novum Verlag.
Të nderuar dhe të vlerësuar punonjës të Novum Verlag, të cilët kontribuan në botimin e romanit tim “Guri i betimit” në gjermanisht.
Ju falënderoj nga zemra për veprën e madhe që u keni sjellë lexuesve gjermanë me botimin e romanit tim “Guri i betimit”, dhe lexuesve të Goethe, Schiller, Lessing, Thomas Mann, Hermann Hesse, Franz Kafka, Hans Fallada, Heinrich Heine, Günter Grass, Berta M., Erich Maria Remarque dhe shumë të tjerëve, për të cilët kam publikuar shumë këndvështrime të ndryshme.
Disa nga veprat e këtyre dhe autorëve të tjerë i kam lexuar gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare në Prishtinë, por edhe gjatë qëndrimit tim shtatëvjeçar në burgjet e ish-Jugosllavisë si i përndjekur politik (në vitet 1980). Meqenëse ka shumë vepra të përkthyera nga gjermanishtja në gjuhën serbe.
Letërsia gjermane, që nga periudha klasike e deri më sot, ka emra të shumtë krijuesish që ishin ndër shkrimtarët më të njohur në botë dhe është krejt e natyrshme që veprat e këtyre dhe shumë autorëve të tjerë të jenë botuar dhe lexuar në gjuhë të ndryshme të botës, përfshirë edhe shqipen.
Ju falënderoj dhe ju përgëzoj nga zemra!
Ahmet Qeriqi
29.11.2023
Prishtinë