Anton Xanoni, i njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku edhe mori arsim katolik. Etërit jezuitë, duke parë talentin e tij, e dërguan të kryente shkollën e lartë jashtë. Këtë ai e kreu në manastirin Kartusian në Porta Coeli në veri të Valencias, në Spanjë (1883), në një institucion jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat (1884), në Kremona të Italisë (1886), dhe në Kolegjin Gregorian në Krakov (Kraków) të Polonisë (1890-1892). Më 1892 u shugurua prift jezuit në Krakov dhe u kthye dy vjet më pas në Shkodër për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896 dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos në Itali, para se të kthehej në Shqipëri.
Bashkë me poetin lirik klasik Ndre Mjeda (1866-1937) e me të vëllanë e tij Lazër Mjeda, Xanoni ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare “Agimi”, të themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në letërsi, sidomos me anë të një alfabeti të ri.
Ishte Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qendrim purist në shkrimin e shqipes, ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk ishte vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.
Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha të tijat apo përkthime që pëlqeheshin shumë.
Ka mbetur në histori edhe për veprat “Gramatika shqyp”, Shkodër 1909, dhe “shkurtorja e historis së moçme”, 1910, si dhe në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes “Rrnoftë Shqypnia”, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915 dhe çmohet si një veteran i arsimit dhe i kulturës shqiptare.
Flora Dervishi: Këto shënime modeste për klerikun e ditur durrsak, Anton Xanoni, ia kushtoj gjeneratës sime, që i studiuan me pasion shkencat filologjike, por patën mundësi të kufizuara.
Anton Xanoni është figurë me ndihmesa të ndjeshme në kulturën shqiptare. Honorifikisht, është jo vetëm nderi i bibliografisë “Pena në Durrës”(2008), por edhe i fondit libror me kohëzgjatje për më se një shekull. Personaliteti i Xanonit radhitet denjësisht në plejadën e periudhës së Rilindasve e të “Mëvehtësisë” dhe ndër kontribuesit e parë të pedagogjisë dhe letrave shqipe. I lënë diku në sarkofagun e harresës prej gjysmë shekulli, ai rivjen tani edhe me këto shënime modeste, përpara lexuesve të dy gjeneratave…
U lind në qytetin e Durrësit, në 1862. Ai nuk ishte thjesht klerik, por mësues dhe shkrimtar. Përveç ndihmesës në hartimin e teksteve për shkollat e para të shqipes, Xanoni ka lënë edhe krijimtari letrare të mirëfilltë. Korpusi i veprës së tij, të botuar, arrin në 15 tituj. E ndër to, dy romanza: “Gjenovefa” e “Julia” dhe dy drama: “Llagoret e mullijve” dhe “Skënderbeu”. Kjo e fundit u botua në Shkodër, më 1917, por për fat të keq, autori u nda nga jeta në moshën 53- vjeçare (më 1915), kështu që nuk e gëzoi botimin e dramës së tij, e cila daton dy vjet pas vdekjes.
“Gramatika Shqyp” e Anton Xanonit është një libër 103-vjeçar dhe njëri nga dokumentet më të rëndësishëm të historisë së gjuhësisë shqiptare. Ky libër është botuar mbi një shekull më parë, më 1909, në Shkodër. Gramatika i përmbahet alfabetit të ri dhe është ndër gramatikat e para të gjuhës shqipe, pas gramatikës së Sami Frashërit. Ishte shtypur posaçërisht për seminarin dhe mësonjëtoren e Shën Saverit, në shtypshkronjën “Zoja e Papërlyeme”, Shkodër. Libri daton fill pas Kongresit të Manastirit (Kongresi i Alfabetit Shqip), që u mbajt më 1908. Gramatika e Xanonit është shkruar në dialektin gegërisht. Teksti fillon me Fonetikën, duke trajtuar: zanoret, shqiptimin, rrokjet, theksat, fjalët e bashkëngjitura e tjerë.
Autori, në vijim të këtij teksti, ndalet në mënyrë të hollësishme në Morfologji. Te pjesët e gramatikës në ligjëratë trajton: emrin, rasat (autori e njeh dhe rasën vendore), gjininë, nyjen, mbiemrin, shkallët, numërorin, përemrat, foljen, ndajfoljen, lidhëzat dhe pjesëzat. Libri ka 172 faqe, plus përmbajtjen ose perkreicin.
Në fakt, përmbajtja, pra fjala Fundi, vjen pas kreut IX, (fq.166), me ndermiet hiedha, siç i quan gegërisht Xanoni, Pasthirmat (sipas S. Frashërit, K. Kristoforidhit, A.Xhuvanit.) Xanoni respekton parimin didaktik të një aparati mirëfilli pedagogjik, ndonëse thërret në ndihmë edhe latinizmat, të cilat i sqaron po aq shkoqur (Kuer pernjimend çohen prej fundit t’zemrës s’prekun prei gazmendit , dhimtes ,tutes , a çdo t’ dindunit tjetër, kan’ hije t’madhe fort….(ndermiet hiedhat..).
Libri tjetër i Xanonit, “Prisi në lamë të letratyrës” , është libër teorik e pedagogjik për shkencën e letërsisë, po për shkollën e seminarit e të Msojtores Sh. Françesk Saverit, në Shkodër. Në rreth 102 faqe, autori ngërthen në mënyrë konkrete parimet bazë të shkencës dhe letërsisë. Ai bën të kuptueshme këndvështrimin e artit të letrave, në rrafshin estetik dhe edukativ dhe ndalet më pas, imtësisht, te figuracioni letrar, stilistika, metrika etj.
Libri biografik, “Jeta e Shen Françesk Saverit” ose “Apostulli i Hindit”, nisë me lindjen e këtij Shenjti, më 7 prill 1506, në kështjellën e Saverit, rrëzë Pirenejve. Vijon me shkollimin e tij në Paris, për Filozofi, me udhëtimet prej misionari në Lindjen e Largme, Japoni e Malajzi. Ndërsa mbyllet me mrekullitë e tij, forcëvepruese edhe dy shekuj më pas si: Ngjallja e 34 të vdekurve, 11 prej të cilëve fëmijë e etj. etj… Mënyra shprehëse, që dëshmon për kulturë të teknikave letrare, fryma lirike, realizmi semplist dhe faktet e shumta, e shpien këtë biografi në kufijtë e një gjinie romaneske.
Anton Xanoni këtë vit shënon 150-vjetorin e lindjes (1862- 1915), ndërsa “Gramatika Shqyp” hyri në 103-vjetorin e botimit, pra e ka kapërcyer shekullin.
Krijimtaria e Anton Xanonit
- Tremdhjet t’martet e Sh’na Ndout;
- Dheshkroja e Shqypniis;
- Shkurtoja e historiis( bleni i I);
- Shkurtoja e historiis (bleni i II);
- Muzhiktari i verbtë;
- Priisi n’ lamë t’letratyrës ;
- Gramatika Shqyp;
- Dotrina e madhe;
- Gjenovefa (rromanz );
- Julia (rromanz );
- Llagoret e mullinjve (dramë);
- Këndime për shkollë t’ para t’shqypes;
- Unjilli i Jezu Krishtit mas Sh’ M;
- Jeta e Sh’Françesk Saverit (biografi )
- Skënderbeu (dramë )
Veprat e Xanonit
Biblioteka Publike e Durrësit ka në fondin e saj vetëm tri nga veprat e Xanonit:
1.-“Gramatika Shqyp”(tekst shkollor ), botim i vitit 1909;
2.-“Jeta e Sh’ Françesk Saverit” (biografi), botimi i vitit 1916;
3.-“Prisi në lamë të Letratyrës” (tekst pedagogjik ), botim i vitit 1920.