Nga një tubim i refugjatëve shqiptarë, mbajtur në Sarajevë ditën e krishtlindjeve ,më 26 dhjetor 1912, u vendos t’i nisin një Apel ministrit të jashtëm austrohungarez, kontit Berchtold, me kërkesë që ai t’i përdor shërbimet e tij të mira për t’i përkrahur ineresat e Shqipërisë.
Depeshet iu nisën Madhërisë së tij, Perandorit Franc Josef, dhe sekretarit britanik të shtetit, Grey. Ja teksti i Apelit dërguar kontit Berchtold:
Shkëlqësia Juaj,
Në kushtet kur armiku i ka rrokur armët për ta shkatërruar atdheun e baballarëve tanë dhe për ta zhdukur popusllinë që ia ka dalë ta ruajë karakterin nacional gjatë shekujve, ne, të nënshkruarit, të mbledhur në Sarajevë më 25 dhjetor, kemi vendosur t’ju bëjmë thirrjes Shkëlqësi, duke ua parashtruar këtë kërkesë.
Populli shqiptar e përbën një pjesë të rëndësishme të popullsisë së Gadishullit Ballkanik dhe tash është i shpërndarë në vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. E flet ekskluzivisht shqipen.
Tash që rreziku është i madh që ky popull të shfaroset, përderisa armiku përdor zjarrin dhe shpatën për ta shkatërruar atdheun tonë dhe të gjitha ata që mendojnë dhe ndihen shqiptarë, ju bëjmë thirrje, Shkelqësi, që të përdorini të gjithë ndikimin dhe pozitën tuaj për t’i ruajtur integritetin dhe lirinë e plotë të Shqipërisë – liri për të cilën shqiptarët përherë e kanë dëshiruar. Fëmijët e shqiponjës le t’i hapin krahët dhe me ndihmën dhe mbrojtjen e Shtëpisë me nam të Habsburgëve, le të fluturojnë për t’iu bashkuar poujve të civilizuar të Europës. Me shekuj kemi vuajtur në terr dhe në padituri. Ndiznani flkadanin e kulturës, na jepni atë që e kemi dashur përherë – lulëzimin e një pranvere të re, një pranvere të gëzimit, kulturës dhe lirisë për të gjithë Shqipërinë.
Lajmet e fundit na tregojnë se Pavarësia e Shqipërisë është garantuar, por që kuftijtë e saj ende nuk janë përcaktuar. Sipas raporteve që botohen në gazeta, Shkodra e uritur po vuan nën shtetrrethimin e malazezëve dhe njerëzit gjithandej janë të tmerruar. Familjet tona në Gjakovë dhe në trevat përreth jetojnë me drojën e përhershme qëkur udhëheqësit e tyre që të gjithë kanë shkuar jashtë për të kërkuar ndihmë dhe për të bërë thirrje për drejtësi mbi të cilën kemi vënë aq shumë shpresë. E gjithë popullata e territoreve të okupuara frymon me ne, porse nuk mund ta ngrenë zërin, ngase një shpatë e Damokleut rri varur mbi kokat e tyre dhe as nuk mund të ikin. Disa nga të nënshkruar kemi qenë dëshmitarë të të bëmave. Vuajtja i ka detyruar ta braktisin atdheun, qytetin e tyre të lashtë të Gjakovës dhe tash janë refugjatë këtu, duke pritur ditë më të mira. Është e mundur që zërat nga atdheu të jenë dëgjuar se janë të kënaqsur me gjendjen e tanishme, por këto janë deklaata të dhunshme. Nëse këta njerëz do të ishin të lirë të shprehnin atë që vërtetë e ndiejnë, do të thoshin po këtë që po themi ne, dhe do ta përkrahnin thirrjen tonë si thirrjen e gjithë Shqipërisë.
Ka rrezik të madh që vilajetet e Shkodrës dhe Kosovës, që gjithmonë e kanë ngritur zërin për ta mbrojtur atdheun para vdekjes së sigurt, mund të ndahen nga pjesa tjetër e kombit dhe t’i dorëzohen, në mëshirën apo mungesën e saj,serbëve dhe malazezëve. Do të ishte më mirë për ne që ta paguanim çfardo çmimi sesa të biem në duart e tyre. Por kjo nuk do ta zgjidhte çështjen e Ballkanit. Në këto kushte, kush mund të garantojë të ardhmën e shqiptarëve të stërtorturuar?
Të bindur se kauza jonë është e vlefshme dhe e drejtë, po u dorëzohemi durve të Shkëlqësisë suaj, duke shpresuar se do të jeni të gatshëm që t’i merrni parasysh dëshirat tona modeste dhe të drejta. Besa jonë, e cila përherë i ka bashkuar shqiptarët, le të jetë premtimi i falënderimit dhe përkushtimit të popullit të shumëvuajtur shqiptar.
Bashkangjitur 319 nënshkrime.
_______
(Nga libri: KOSOVA – një histori dokumentare, redaktuar nga Rober Elsie& & Bejutllah Destani)
Zgjodhi dhe përgatiti për botim, Adil Fetahu