Organizata zvicerane që merret me sektorin e shëndetësisë AQH, ka dhuruar një donacion në mjete pune për shëndetësinë në Komunën e Malishevës, në vlerë prej 32 mijë euro, përkatësisht ka dhënë tetë pako në mjete për gjashtë Qendra të Mjekësisë Familjare dhe dy pako për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.
Sipas drejtorit të QKMF në Malishevë, Nuhi Morina, këto pako në mjete pune, përbëjnë otoskop, oftamoskop, peshore, reflektor, inhalator, çanta për punë në terren dhe mjete tjera pune, që janë të nevojshme për punë të përditshme në qendrat mjekësore. Me këtë rast, drejtori Morina, i ka falënderuar AQH-në, e cila në vazhdimësi e ka ndihmuar QKMF-në.
Për këtë donacion mjaft domethënës, organizatën AQH, e ka falënderuar sot edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti. “AQH në vazhdimësi e ka përkrahur shëndetësinë në Malishevë, me mjete pune dhe me trajnime dhe për këtë, në emër të drejtorisë, i falënderoj AQH-në, pasi këto mjete pune, ndihmojnë në masë të madhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve”.