leoni

Arbana Delia: Lulja e Gjakovës, Guri i Gjirokastrës

Arbana Delia: Lulja e Gjakovës, Guri i Gjirokastrës

Ajo ishte ulur në karrigen e parë të autobusit, i cili po udhëtonte nga Gjakova për në Prishtinë. Teksa hyra në autobus sytë e mi u ndeshën me sytë e saj krejt spontanisht.
Më buzëqeshi dhe me buzëqeshje e përshëndeta.

Seç mu duk si fytyrë e njohur por nuk e mbaja mend se ku e kisha parë, prandaj vendosa të rrija aty pranë saj sepse mbase do të më kujtohej. Ajo përmblodhi veten te karrigia dhe më ftoi të ulesha pranë saj. Refuzova ftesën me një shaka,-“ Jo jo nuk synoj karrige”. Buzëqeshi dhe ktheu vështrimin nga dritarja e autobusit, ndërsa unë u mbështeta tek karrigia ku ajo ishte ulur. Autobusi ishte plot me udhëtarë që kishin marrë rrugën për Prishtinë. Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo më trokiti në dorën me të cilën  kisha mbështetur në  karrigen ku ajo ishte ulur.
-Hajde ulu me mua ! Po më dhimbsesh që po qëndron në këmbë.
Dukej sikur diçka po diktohej në botën tonë dhe prapë me të qeshur i thashë: “S’ka gjë, nuk jam mësuar me rehatinë e karriges dhe me pëlqen të rri kështu sepse jam rritur në lëvizje.”

 Ajo qeshi aq fort, saqë e qeshura i zbuloi edhe dhëmballët. Ai zë i saj seç më tingëlloi çuditshëm dhe ëmbël, fytyra e saj e qeshur më nxiti kureshtjen për të mësuar të vërtetën se ku e kisha parë këtë fytyrë plot mëshirë, dashuri, dhembshuri, butësi dhe qetësi.
Dikush nga udhëtarët e thirri:
-Lule, a je mirë?
-Mirë jam unë, po kjo çika po më dhimbset që po rri në këmbë,-u përgjigj ajo duke më shikuar me një shikim urdhërues të ulem pranë saj. Nuk rezistova sepse po prisja të më ftonte edhe një herë. U ula pranë saj duke e falënderuar, ndërsa ajo më tha :
-Po më vinte shumë keq që po qëndroje në këmbë, nuk ndihesha mirë  as unë që isha ulur. Kisha frikë të këmbëngulja me kërkesën time që të uleshe pranë meje. Dikur më lindi dyshimi mos kishe probleme me kurrizin, -vazhdoi ajo, duke mbledhur supet  dhe duke më vështruar çuditshëm pse unë qesha dhe me të qeshur iu përgjigja: “Jam top fare me shëndetin.”
-Oh, çika e nanës! Gëzohem që je mirë me shëndet se më lindi dyshimi derisa ti refuzoje të ulesh në karrige. Ti studion apo punon diku?-pasoi pyetjen ajo.
-Mësuese historie jam, i thashë .
-Oh, sa profesion të mirë që paske! -vazhdoi ajo duke më folur për rëndësinë e arsimit. Fliste aq bukur dhe me shembuj aq të bukur saqë nuk u durova dhe e pyeta: “Ju, punoni  me nxënës të ciklin e ulët apo të lartë?“
Buzëqeshi arsimdashja dhe tha:

-Një pyetje të tillë ma kanë bëre edhe disa miq nga Shqipëria të cilët më thanë të kemi njohur si nëna Lule, por do na pëlqente t’ju quajmë nëna gjirokastrite, sepse ti flet aq bukur e aq rrjedhshëm saqë u ngjan grave zonja që ka Gjirokastra.
Vërtet edhe mua më krijoi përshtypjen e një gruaje intelektuale sepse shembuj për arsimin që më tregoi ishin të veçantë dhe bindës që ishte një arsimdashëse e vërtetë. U lumturova shumë që gjeta një bashkëudhëtare që do të ma kuptonte gjuhën, dëshirën dhe mallin për profesionin tim.
-Ka kohë që jam pushuar nga puna për shkak qe nuk kisha diplomë partiake …
Ajo me kureshtje po më vështronte dhe më ndërpreu bisedën për të folur për veten e saj.
-Të faleminderit për vlerësimin por unë jam veç një arsimdashes dhe kurrë nuk kam punuar në këtë profesion sepse profesioni im është amvise, në pamundësi të përfundimit të shkollimit.
-E pra, tani në këtë ulëse jemi të barabarta, po deshe mund të flasim edhe për gatimin,-vazhdova unë duke e ftuar në një bashkëbisedim krejt ndryshe.
Ajo tundi kokën mendushëm, më vështroi çuditshëm dhe sikur donte të më rrëfente diçka por ofshama nuk e linte. Ndërkohë një telefonatë i ndërpreu mendimin dhe bashkëbisedimin me mua.
Pasi mbaroj telefonatën u kthye tek tema e gatimit. Rrëfimi nisi me bukën e gatuar që i kishte mbetur e papjekur në një ditë  lufte në  Kosovën e vitit 1999. Ajo, atë ditë lufte në Kosovë  kishte gatuar bukën për më të dashurit e saj, por dora gjakatare i kishte vrarë burrin dhe dy djemtë e saj dhe buka kishte mbetur e pa pjekur. Ajo tashmë po jetonte e vetme në shtëpi, por gjithmonë aktive në protesta që kërkonin zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe në protestat e Albinit, siç i quante ajo. Derisa po më fliste për protesta mu kujtua shoqata “Thirrjet e nënave” dhe kureshtja ime se ku e kisha parë këtë grua u shua. Në ballë të protestave gjithë herë. Dora i dridhej teksa nxori nga çanta dy brosha me shkronjën V.
Valoni dhe Visari janë djemtë e mi dhe “Lëvizja Vetëvendosje” më kujton ata, prandaj në çdo ftesë të protestave të Lëvizjes Vetëvendosje  përgjigjem pa hezitim. Në protestat e  “Thirrjeve të Nënave” vetëm Albinin kishim përkrah, të tjerët kurrë nuk deshën të na e kuptojnë dhimbjen që sfilit zemrën e nënës, motrës dhe gruas shqiptare e në veçanti asaj gjakovare. Ofshamat u shpeshtuan dhe gruaja që kisha pranë filloj të nxjerrë vrerin mbi politikën e gabuar të papagajve politikë të Kosovës. Sërish një telefonatë i ndërpreu bisedën me mua. Më kërkoi të falur sepse duhej t’i përgjigjej telefonatës së mikut të saj nga Tirana. Telefonata i dha një kurajo për rrugën e nisur dhe filloi të fliste qetësisht sikur po më tregonte diçka të lexuar e jo të përjetuar.
Teksa dëgjoja rrëfimin e trishtuar të saj që kishte përjetuar në kohë lufte duke humbur me të dashurit e saj, pyesja veten se ku e gjen gjithë këtë forcë të rrëfente qetësisht një histori që tmerron dëgjuesin.
Ajo po rrëfente, e para meje shfaqej Gjirokastra me gurët që i mbijetuan stuhive të kohës. Gjirokastra e atyre që nuk u dorëzuan kurrë. Gjirokastra e komisarëve, Gjirokastra e guximtarve. Prandaj me të drejtë miqtë e saj Nënën Lule e paskan quajtur Nëna gjirokastrite, sepse nëna Lule qëndron e fortë si guri i Gjirokastrës që historikisht njihet në gjithë botën.

VV -ja e nënës lule është simboli më i mirë që mbi kështjellën e zemrës së saj do të valvisë përherë flamuri për Visarët e kombit shqiptar.
VV-ja e nënës lule është trokitje në ndërgjegjen e atyre që kanë guxim të lartësojnë luftën, përpjekjen sakrificën e një kombi për çlirim duke i prerë rrugën politikës së atyre që pa njohur luftën shekullore të shqiptarëve e në veçanti luftën e re të fundshekullit XX, luftën e UÇK -së, duan ta njohin fatin e atyre që erdhën si pushtues në  trojet tona, si gjakatarë në shtëpinë e Nënës Lule dhe në shtëpitë e shumë e shumë nënave e baballarëve shqiptarë.
Fati i atyre që kanë pushtuar tokat shqiptare nuk ka si të jetë ndryshe. Historia na e ka dëshmuar që pushtuesit nuk mund të kenë fatin njësoj me çlirimtarët.
VV-ja e nënës Lule nuk është VV politike, por është flakadan lirie, është gjaku që nuk falet.

Nëna Lule duke besuar në kundërshtimin që VV i bëri dikur krijimit të Gjykatës Speciale vendosi të rreshtohet në radhët e saj. Ajo të vetmin ngushëllim e gjen në besimin që ka tek VV politike.

Kjo është edhe arsyeja që vendosa të shkruaj për nënën Lule, në kohën kur në VV janë shtuar zërat për emra të përveçëm, kinse të kriminelëve të UÇK-së.

Askush më mirë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ditur të bëj krenar kombin me historinë e lavdishme të UÇK-së. Bëmat e lavdishme të luftëtarëve të kësaj ushtrie i lartësoi edhe më  shumë në kohën kur ish-gjeneralët, komandantët dhe disa nga luftëtarët e kësaj ushtrie i thanë “Po” Gjykatës Speciale.
Ndërsa sot Lëvizja Vetëvendosje nuk është ajo që ishte dje. Sot Lëvizja Vetëvendosje ka emra të përveçëm që me politikën e tyre të cekët e shpeshherë të qëllimshme  kundërshtojnë bëmat madhështore të lëvizjes  e cila u dha mundësinë të zbarkojnë si parashutistë apo siç thotë populli:” Pa u fal  po u kryque”.
Këta emra të përveçëm nuk duhet të kenë hapësirë në Lëvizjen që rreshtonte dikur mendjendritur. Prandaj , VV politike ka obligim të madh ndaj atyre që e besuan, në veçanti ndaj nënës Lule dhe VV të saj që i ruan në shpirt. Lëvizja Vetëvendosje çdo herë bën thirrje për popullin: “Na shkruani sugjerime, kritika ose edhe lavdata.”

Unë po i përgjigjem thirrjes përmes këtij shkrimi:
VV politike, mos ia vrisni VV-në nënës Lule e cila sytë i ka nga ju…!
VV politike, mos i flisni nënës Lule me gjuhën e atyre që i thanë “Po” Gjykatës Speciale!
Lulja e Gjakovës, Guri i Gjirokastrës, është ciceroni më i mirë që ju fton në rrëfimin e përjetuar. Qetësisht vetëm ajo di t’ju rrëfejë për krimet e luftës, ajo i di emrat e përveçëm të kriminelëve, ajo di t’ju rrëfejë guximshëm për madhështinë e UÇK -së, ajo di më shumë sesa sharlatanët, që si shushunja të janë ngjitur. Ajo është dëshmitare e kohës së luftës së shenjtë të UÇK-së dhe deshmitare e krimeve të kryera nga emrat e përveçëm të kriminelëve të ushtrisë gjakatare.
Pra ,Luljeta Sharani-Lulja rron për të treguar.
Lulja e Gjakovës, guri i Gjirokastrës na fton të gjithëve, pa dallim partie që t’ia dëgjojmë rrëfimin.

Arbana Delia (ish mësuese)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …