Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Mimoza Hekuran Sulin, motra e Dëshmorit të Kombit, Astrit Suli

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Mimoza Hekuran Sulin, motra e Dëshmorit të Kombit, Astrit Suli

Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkuan edhe shumë bij e bija të trevave të ndryshme të Shqipërisë, nga jugu e veriu,  ndër ta edhe eprorë dhe ushtarakë të mirënjohur. Në mesin e tyre, në fushëbetejat e UÇK-së kanë rënë edhe disa luftëtarë e eprorë ​ emblematikë ​ si: Tahir Sinani, komandant i tri luftërave tona çlirimtare, pastaj Astrit Suli, Indrit Cara, Halit Coka, Arian Brahimi, Dinë Koleci, Bilal Breçani, Naim Cema, Artan Kovaçi e shumë të tjerë.  Për të folur lidhur me jetën dhe veprën e Astrit Sulit, kemi zhvilluar një intervistë me motrën e dëshmorit, Mimozë Hekuran Suli.

​RKL: E nderuar Mimozë, motër e​ dëshmorit të Kombit, Astrit Hekuran Suli, ​ mirë se vini në këtë intervistë për dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë! ​

Mimoza Hekuran Suli: Përshëndetje për ju dhe lexuesit tuaj Arbana ! Faleminderit për ftesën ! Fillimisht më lejoni të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time për ju familjen e nderuar Qeriqi që me shumë mund e sakrificë për më shumë se dy dekada mbani dhe drejtoni Radion Kosova e Lirë, për të sensibilizuar opinionin mbi vlerat e luftës çlirimtare dhe për të nderuar Dëshmorët e për të lartësuar historinë e lavdishme të UÇK-së! Dhe pasi jemi në prag festës kombëtare të flamurit, dhe ditës së pavarësisë së Shqipërisë, më lejoni që përmes jush t’ju uroj 28 nëntorin të gjithë shqiptarëve në trojet tona e kudo në botë gëzuar !

 RKL: Familja e Juaj luftës së lavdishme çlirimtare i dha vëllanë Tuaj dëshmor Astrit Suli. Na tregoni diçka për angazhimin e tij  në radhët e UÇK-së ?

Mimoza Hekuran Suli: Vëllai jonë Astriti, fillimisht në radhët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës u inkuadrua në qendrën stërvitore të Burrelit, në Shqipëri! Pasi kaloi të gjitha fazat e stërvitjeve dhe përgatitjes ushtarake, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, reparti ku bënte pjesë dhe Astriti i dërgua në malet e Pashtrikut në vijën e frontit në Gorozhup, gjegjësisht në Operacionin Shigjeta, detyrë të cilën e kreu me sukses deri më 27 maj 1999 kur dhe ra heroikisht në një përballje të drejtë për drejtë me forcat serbo-sllave! ​ ​

 RKL: Na thoni​ për fillim si vendosi vëllai Juaj Astriti,​ për t’ iu bashkuar luftëtarëve të UÇK-së, cili ishte motivi i tij?

 Mimoza Hekuran Suli: ​Siç e thashë dhe në më lartë ngjarjet e rënda që po ndodhnin në Kosovë, si vrasjet e shqiptarëve mes tyre shumë gra e fëmijë, spastrimi etnik nga toka e të parëve, djegiet e shkatërrimet! Përball këtij gjenocidi nga regjimi serbo-sllav nuk mundë të qëndronte indiferent, e të shikonte si digjej Dardania, si masakroheshin motrat e vëllezërit tanë! E drejta për liri e bashkëkombësve tanë, gjaku i njëjtë që na rrjedh në damar ! Dhe aspirata shekullore për liri e bashkim kombëtar! Të gjitha këto arsye ishin motivi i Astritit për tu rreshtuar në radhët e UÇK-së.

RKL: Ju si motër si e pritet lajmin kur mësuat se Astriti iu kishte bashkuar luftës së UÇK-së?

Mimoza Hekuran Suli: ​Në të vërtet nuk kishim dijeni se Astriti ishte nisur për në luftë! Në fillim muajit prill Astriti erdhi nga Greqia ka qëndruar dy natë në familje. Kur doli nga shtëpia Nëna është përshëndetur e fundit me Astritin ! Por ne e kemi ditur se Astriti do të udhëtonte drejt Austrisë për tek e fejuara e tij, dhe njëkohësisht do të vazhdonte studimet atje! Këto ishin fjalët që i ka treguar Nënës Astriti ! Por shumë ditë më vonë ka ardhur një letër e shkruar nga Astriti, drejtuar prindërve dhe vëllezërve e motrave ! Në letër na shkruante se ndodhej në Burrel, dhe nga çasti në çast presim urdhër për tu nisur drejt vijave të frontit në luftën e Kosovës! Letra përfundonte me fjalët takohemi në Kosovën e Lirë ! Unë si motër dhe dy prindërit e mi, e kemi marr lajmin ditën që arriti letra në shtëpi ! Normal nuk e kam prit me gëzim sepse ishte luftë, nuk e dija a do ta takoja përsëri vëllain tim! Me Astritin kisha ndarë gjithë vitet e fëmijërisë time ! Por vepra, guximi e vendosmëria e tij për të lënë gjithçka, e me ju bashku UÇK-së, na bënë shumë krenarë si familje.  Liria pa gjak nuk vjen ! Ishte fati jonë që gjaku i Astritit e shumë motrave e vëllezërve që ranë në altar për të mos vdekur kurrë, të bëhej gur themel për lirinë e Kosovës.

RKL: Ku veproi në fillim dhe ku u sistemua më vonë në radhët e UÇK-së?

Mimoza Hekuran Suli: Siç e ceka dhe më lartë pasi përfundoi stërvitjen bazë në qendrën stërvitore të Burrelit, Astriti së bashku me shumë luftëtar të tjerë janë dërguar në zonën operative të Pashtrikut si pjesë e operacionit shigjeta, në frontin e Gorozhupit. Në atë vij të frontit ka qëndruar dhe ka luftuar deri në ditën kritike të rënies në altarin e lirisë! ​

RKL: Çka do të mund të veçonit për të, ndonjë kujtim të rrallë, ndonjë fjalë apo porosi të tij?

Mimoza Hekuran Suli: Astriti kishte shumë veçanti ! Por mbi të gjitha ishte i dashur me të gjithë e shumë punëtor! Ndonëse ishte i ri në moshë logjikonte shumë! I respektueshëm e humanë në shpirt ! Kam shumë kujtime me Astritin, sepse ai ishte më i madh nga unë dhe e kisha njëkohësisht shokë e kujdestarë kur prindërit punonin ! Për këtë arsye çdo pjesë e fëmijërisë time lidhet me Astritin ! Nga porositë që do të veçoja ishin tema të lidhura gjithmonë me prindërit tanë! Si fëmijë të vegjël mua edhe vëllain e vogël Bledin, Astriti ne na mësonte si të ndihmonin qoftë dhe në punë të vogla në shtëpi e oborr, që kur të kthehej Nëna ta gëzonim ! Si i ri çdo këshillë apo porosi e Astritit lidhej me dashurin ndaj prindërve! Besoj se këto porosi ja kam mbajte ! Jam munduar të isha sa më e dashur me prindërit tanë të shtrenjtë ! Si përfundim për Astritin do të thosha; Njeri me zemër të madhe, vëllai i motrës.

RKL: Rënia e Astritit​ ishte humbje e madhe për UÇK-në, për ju, krejt familjen dhe bashkëluftëtarët e Tij, por në të njëjtën kohë ka qenë dhe ka mbetur për jetë edhe një krenari e përjetshme kombëtare. A ndiheni krenare me jetën dhe veprën e vëllait Tuaj dëshmor i luftës për çlirimin e Kosovës?

Mimoza Hekuran Suli: ​Rënia e Astritit në altarin e lirisë ishte një humbje e madhe jo vetëm për ne si familje dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së, por edhe për mbarë luftën çlirimtare. Astriti do të mbetet gjithmonë në zemrat tona si një bir e vëlla i veçantë për ne, Mirënjohja e nderimi i pakrahasueshëm që bashkëluftëtarët ruajnë për Astritin na bëjnë krenar e na lehtësojnë dhimbjen! Kujtimi dhe vepra e sakrifica e tij do të jetoj përjetësisht në zemrat tona!

RKL: Si ndiheni tani kur kanë kaluar 23 vjet nga rënia e Tij?

Mimoza Hekuran Suli: ​Që të jem e sinqertë, këto 23 vite nuk kanë qenë aspak të lehta për mua dhe familjen time, se pas rënies së Astritit, kemi humbur dhe dy personat tanë më të dashur. Në 2015 Nena ime u nda nga kjo jetë, apo siç njihej nga gjithë bashkëluftëtarët e Astritit, Nëna Qamile. Ndërsa në vitin 2016 u nda nga jeta dhe Babi jonë i dashur, kështu që dhimbjes që na shoqëronte gjithë këto vite, ju shtua dhe ajo e prindërve ! Do të shtoja se Astriti vërtet iku në lulen e rinisë, në moshën 23 vjeçare, por na bëri të ndjehemi shumë krenar për jetën e tij, të cilën ja fali lirisë së Kosovës!

 RKL: E nderuara Mimozë, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës, a kanë bërë sa duhet, a kanë mundur të bëjnë edhe më shumë?

 Mimoza Hekuran Suli: ​Nuk dëshiroj të lëshohem në detaje tani se çfarë kanë bërë qeveritë e një pas njëshme pas lufte për familjet e dëshmorëve! Por do të thosha se shumë dëshmorë lanë pas vetes fëmijë të vegjël, të cilët nuk mundë të rriteshin apo të mjaftoheshin me një dekoratë apo mirënjohje, por kishin nevojë për mbështetje të fuqishme sociale ekonomike për tu rritur e shkolluar në kushte normale si çdo fëmijë ! Një shqetësim tjetër ishin bashkëluftëtarët e dëshmorëve, invalidë e veteranë që mbetën rrugëve e pa përkrahje nga shteti! Por në vende se të merreshin me veteranët e vërtetë e ti trajtonin me dinjitet qeveria rriste numrin e tyre fiktiv dhe kështu shpërdoronte dhe atë pak buxhet që dedikohej kategorive të luftës! Për mendimin tim kjo është një nga veprimet apo pikat më të pafalshme të qeverive pas lufte .

RKL: Cila është përkrahja konkrete që ka marrë familja Juaj nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit, në Kosovë apo edhen në Shqipëri, ​ dhe a mjafton ajo?

 Mimoza Hekuran Suli: Për ne si familje përkrahja më e madhe ishte gjithmonë prezenca e shoqërisë në çdo kohë si në përkujtimoret që organizoheshin apo dhe vizitave të shumta rastësore ndër vite, nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shqipëria, Dardania, Ilirida, Malësia e Çamëria, të cilët vinin në nderim e respekt për veprën e sakrificën vëllait tonë e të gjithë Dëshmorëve të Kombit!

Për sa i përket institucioneve duke nisur që nga shteti shqiptar në Shqipëri, që sapo konstatuan se vëllai jonë Astriti ka rënë dëshmorë, presidenti i asaj kohe zoti Rexhep Mejdani e ka dekoruar me “Medaljen Shqiponja e Artë e Atdheut”, për kontributin që Astriti dha për çështjen kombëtare, të cilës i fali jetën ! Nderime e medalje po ashtu i ka akorduar dhe ministri i Mbrojtjes zotëri, Sabit Broka , të cilën ja ka dorëzuar familjes i shoqëruar dhe nga një delegacion i lartë qeveritar! Ne si familje mirënjohës e falënderues i jemi dhe Bashkisë së qytetit Kuçovë e cila gjithmonë ka qenë pranë nesh këto 23 vite në përkujtimore të Astritit, së bashku me organizatën e veteranëve të luftës Antifashiste nacional çlirimtare të qytetit tonë!

Gjithashtu dhe nga shteti Kosovës para pak kohe kemi pranuar një dekoratë, nga presidenti i Republikës zoti Hashim Thaçi i cili i akordoj medaljen Dëshmor i Atdheut ! Nuk ka rëndësi mjaftueshëm a po jo! Fundja Dëshmorët kanë kryer obligimin e tyre ndaj Atdheut ! Në vend të dekoratave do të mjaftonte që dy shtetet tona Prishtinë e Tiranë të punojnë për të përmbushur amanetin e dëshmorëve për Bashkim Kombëtar! Mirënjohja më e mirë për të gjitha ata Dëshmorë të Atdheut që falën jetën për realizimin e kësaj aspirate shekullore!

 RKL: A mbani kontakte me bashkëluftëtarët e vëllait, a ju vizitojnë a ju mbështesin, edhe pse shumica prej tyre kanë brengat e hallet e përditshme, meqë nuk janë të trajtuar meritorisht nga asnjë qeveri e pasluftës në Kosovë?

Mimoza Hekuran Suli: Po, motër Arbana, kemi kontakte dhe vizita të rregullta familjare me të gjithë bashkëluftëtarët e Astritit, të cilët na respektojnë dhe i respektojmë shumë ! Një pjesë e madhe e tyre janë bërë pjesë e pandarë e familjes tonë tashmë sa vjet! Shumë nga bashkëluftëtarët e Astritit djem të mirë e familjarë na bëjnë të ndjemi krenare me ta ! Prandaj qeveritë duhet të jenë të vetëdijshme e të mendojnë se pa gjakun e dëshmorëve, gjymtyrët e invalidëve, sakrificën e çdo Çlirimtare të vërtetë të UÇK-së, nuk do ishin në ato karrige të qeverisë ! Prandaj ka ardhur koha të zgjohen nga gjumi i rëndë e të mendojnë pak për ata djem që luftuan me gjithë shpirt kundër okupatorit serbë, sepse nuk janë trajtuar ashtu si meritojnë çlirimtarët, motër Arbana! Kemi rastin më të freskët të luftëtarëve të Lagjes së Trimave në Kumanovë, të njohur në opinion tashmë si grupi Kumanovës ! Shumica e tyre pjesëmarrës në disa luftëra! Çka po bënë qeveria apo shteti i Kosovës për këta çlirimtar ! Në atë grup ka dhe bashkëluftëtarë të Astritit në zonën e Pashtrikut ! Ku është shteti Kosovës ? A u kujdes ndonjëherë për ta qeveria e ta marrë këtë çështje me seriozitet, e të zbardhë të vërtetën! A nuk është e rëndë për ne si familje dëshmorëve e si shqiptare, kur shohim vëllezërit tanë në duart e Maqedonisë!

Presim nga Tirana dhe Prishtina , njëkohësisht dhe nga Shkupi shqiptar, të bëhen njëherë bashkë për të rikthyer dinjitetin tonë kombëtar, sepse populli jonë ka mbetur si ai fëmija jetim, pa shtet pa mbrojtje ! Jam e bindur se po të ishin gjallë dëshmorët do të ishin përsëri me bashkëluftëtarët e tyre, me Çlirimtarët që po dergjet në burgje! Për mendimin tim ata luftëtar janë të vetmit që ecën në rrugën dhe amanetin e Dëshmorëve për Bashkim Kombëtar! Të etiketosh njëjtë me armikun këta djem me termin apo akuzën e terrorizmit është e papranueshme! Djemtë më të mirë të Kombit, nga të cilët dhjetë Dëshmor të mbuluar me Lavdi dhe nga vetë shteti i Kosovës! Ndërsa 33 me burgime drakonike, shumica shtetas të Kosovës! Kryeministri Albin Kurti pati premtuar se sapo të vinte në pushtet do merrej me rastin e grupit Kumanovës ! Deri më tani s’kemi dëgjuar për veprime konkrete! Le të shpresojmë se qeveria e Kurti do të na jap shpresa për transferimin e Çlirimtarëve në Kosovë dhe lirimin e tyre ! Uroj që kjo të ndodhë në prag festës së 28 Nëntorit e të festonin të gjithë së bashku ! Për fund do t’jua uroj festën e pavarësisë së Shqipërisë dhe ditën e flamurit kombëtar të gjithë Çlirimtarëve të grupit të Kumanovës dhe familjeve të tyre me urimin që festat e tjera ti festojnë në liri e të bashkuar! Zoti ju bekoftë Çlirimtarë

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të vënë në vend amanetin e dëshmorëve, kur disa nga krerët kryesorë luftës tonë çlirimtare dhe fitimtare ndodhen në Hagë, të akuzuar për vepra të paragjykuara penale?

​ Mimoza Hekuran Suli: Lufta e UÇK-së, u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës, dhe kjo ishte arritja më e madhe në 100 vitet e fundit për kombin shqiptar. Por nuk do të thosha se është mjaftueshëm për të realizuar amanetin e dëshmorëve e aspiratat e popullit shqiptar, për një komb një flamur një shtet të bashkuar shqiptarë. Sepse betimi i UÇK-së, ishte se do të vazhdojmë luftën deri në çlirimin dhe bashkimin e plotë të Kombit shqiptar! Ndërsa për sa i përket Gjykatës Speciale e gjykimeve të udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, dihet botërisht se është e padrejtë, është politike dhe e njëanshme, sepse Ushtria çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër e të drejtë, prandaj presim lirimin e të gjithë të akuzuarve nga kjo gjykatë e kthimin e tyre në Atdhe.

RKL: E nderuar Mimozë, të falënderojmë që u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet.

Mimoza Hekuran Suli:  Faleminderit juve për këtë intervistë, dhe njëherë gëzuar festën e 28 nëntorit të gjithë shqiptarëve! Lavdi dëshmorëve të Kombit shqiptar!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …