Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Shqipe Asllanin, bijën e heroit të kombit, Ismet Asllani

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Shqipe Asllanin, bijën e heroit të kombit, Ismet Asllani

RKL: E nderuara Shqipe, babai i Juaj, Heroi i Kosovës, Ismet Asllani, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës, dhe,ashtu sikur të gjithë dëshmorët më në fund ka dhënë edhe jetën. Si e përfytyroni babanë, tani në 17-vjetorin e rënies?

 Shqipe Ismet Asllani:  Babanë  tim – Hero të Lirisë së Kosovës, e mbaj mend fare mirë,  edhe pse isha vetëm  9 vjeçe. Ai  Atdheun e çmonte mbi të gjitha. Liria për babin ishte gjëja më e bukur, që me patjetër do të vinte, sepse  atë nuk do të na e falte askush.  Dhe kjo u realizua  falë UÇK-së, popullit liridashës, i cili  nxori nga gjiri vet bij e bija që do të luftonin e të flijonin edhe jetën për çlirim. Pas 17 vitesh, them të vërtetën më mungon çdo ditë e më shumë. Përfytyrimi për Të më ka ngelur në kujtesë të përhershme:  -i dashur, i mirë, i vendosur dhe tejet trim e humanist i madh. Në kujtesën time mbeti si një vigan që nuk do të vdes kurrë.

RKL: Njohësit e rrethanave të luftës së UÇK-së, dëshmojnë se Ismet Asllani ka qenë njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj të luftës, në përgjithësi. Mullinjtë e tij, ishin bërë buka e popullit dhe e luftëtarëve të lirisë. Ka qenë edhe Shef i Logjistikën për Zonën Operative të Llapit. A mendoni se i dinë të gjithë dhe i çmojnë si duhet,  meritat e babait dhe familjes Tuaj për çlirimin e Kosovës?

Shqipe Ismet Asllani: Mirënjohja është akti më i lartë në procesin-JETË, por lufta kërkonte më shumë se gjak. Lufta s’bëhet duke qenë luftëtarët e lirisë pa bukë e armë. Babai im vet i gjashti vëlla nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës.
Po ua sjell një citat të shkëputur nga intervista e babait dhënë për gazetat e huaja, ku ai thoshte: “Vetëm pushka e largon shkaun nga Kosova dhe çdo gjë qe kemi është e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jemi te rreshtuar e gjithë familja e farefisi, dhe mase 30 anëtarë të familjes qe jemi, do të jemi te gatshëm të bëhemi 30 varre për lirinë e atdheut”.

RKL: Ata që e kanë njohur babanë Tuaj e përshkruajnë jashtëzakonisht të përkushtuar për punë, për familjen e njerëzit në nevojë. Ku mendoni se e gjente tërë atë forcë, frymëzim humanist e solidar?

 Shqipe Ismet Asllani: Babai im ishte punëtor i pashoq, nuk më kujtohet ta kem parë një ditë të vetme duke pushuar apo duke ndenjur  kot. Ishte i jashtëzakonshëm, njeri me principe dhe tejet i dashur për familjen, për njerëzit, për popullin. Mendoj dhe nuk ndaloj së menduari, se njerëzit e tillë lindin të veçantë, dhe lindin e jetojnë  për të bërë dhe vepra të veçanta.

RKL: Kosova, për lirinë e pavarësinë e së cilës ranë me mijëra dëshmorë, vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha. Sipas mendimit e bindjes Tuaj, cili është problemi kryesor i kësaj gjendjeje të rëndë, nëpër të cilën po kalon vendi?

Shqipe Ismet Asllani: Po. Kosova po ballafaqohet me një gjendje të rëndë ekonomike e sociale. Nuk mjaftuaka vetëm liria që të jetojmë të qetë. Liria nuk hahet dhe as nuk pihet. Liria është gjaku i më të mirëve dhe më të mirave të kombit, liri janë gjymtyrët e invalidëve, plagët e tyre, liria është shpirti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lotët e nënave, motrave, nuseve, liria e Kosovës është mallëngjimi i fëmijëve, prandaj nuk di tjetër çfarë të them veçse t’i përgjëroj të gjithë: KTHENJANI BUZËQESHJEN E SHPRESUAR KOSOVES TONË, KOSOVES TUAJ!

RKL: Jeni në mesin e atyre bija të heronjve të kombit, që merreni me krijimtari, poezi e prozë. Cilat janë temat e përmbajtja e krijimtarisë Tuaj, dhe sa keni arritur ta shpërndani fjalën poetike te lexuesit?

Shqipe Ismet Asllani Kam shkruar poezi, prozë, ese, kujtime por, nisa të merresha me shkencën dhe ia lash shpirtit të m’i ruajë dhe të vazhdoj një ditë aty ku e kam lënë, si çdo herë vargje për trimat e lirisë, popullin, atdheun….

 RKL: Përveç babait dëshmor, ti dhe dy vëllezërit keni pasur fat të jeni bija e bijë të nënë Makfires, e cila përveç bashkëshorte ka qenë edhe bashkudhëtare me babanë Tuaj. Sa e çmueshme ka qenë dhe është ndihma e saj, si nënë  për ju ?

Shqipe Ismet Asllani: Unë kam dhe dy vëllezër gjithsej, dy vëllezër dhe unë. Përveç babit tonë hero, edhe dy vëllezërit e mi Albani e Valoni ishin luftëtarë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.  Albani madje me plagë lirie në trup, gjithashtu dhe Valoni, edhe pse shumë të rinj në moshë, u përballen dhëmb me dhëmb me armikun. Për nënën tonë do të më duhej një jetë e tërë  t’i them: Faleminderit o nënë për shumëzimin e pranverave tona, për përballjen e jetës, duke qenë pa krahun e saj- shokun e jetës. Dëshira ime e vetme, është t’i ngjajë nënës me durim e qëndresë, t’i ngjajë babës me trimëri e dashuri. Dua ta përshëndes dhe NANEN e MADHE-GJYSHEN time EMINENË e cila është  dashuria dhe dhimbja jonë e madhe. Ajo i fali lirisë së Kosovës tre djem dhe 17 vite përballet me mall për bijtë e saj, përballet me merakun për neve.

RKL: Babai Juaj, Heroi i Kosovës ka rënë më 24 mars të vitit 1999, pikërisht në natën kur Aleanca ushtarake Veri-atlantike kishte filluar sulmin nga ajri kundër regjimit të Milosheviqit. A ju sjellë diçka të veçantë në kujtesë, kjo koincidencë?


Shqipe Ismet Asllani:
 Po. Dita kurë ra babai ishte edhe dita e Intervenimit nga ana e Aleancës Ushtarake Veri atlantike  kundër  regjimit  Serb në Kosovë. 24 Marsi i vitit 1999 në mua është skalitë si Datë trishtimi, krenarie dhe shprese.  Kur ra bomba e parë mbi caqet serbe në Prishtinë, u dridh e gjithë toka e Kosovës, unë në ato momente, gjendesha  në prehrin e nënës. Kishin pak orë që morëm lajmin për rënien  e babait, në Altarin e Lirisë. Aspak e lehtë  të rrëfej atë që e kemi jetuar dhe që  bashkëjetojmë  me ato kujtime sa të dhimbshme aq edhe krenare.

RKL: Keni ndonjë porosi për bashkëluftëtarët e babait, në këtë përvjetor të rënies së tij?

Shqipe Ismet Asllani: Shumë të dashur bashkëluftëtarë të babait tim- bashkëluftëtarit tuaj, Heroit të Kosovës, Ismet Asllani, ju faleminderit përjetësisht për LIRINË që na e sollët. E falënderoj Zotin dhe fatin pafundësisht që ju jetoni dhe i kujtoni shokët e IDEALIT, sepse askush si ju s’ua di peshën e meritën të rënëve për çlirim. Ju uroj shëndet, fat, suksese në rrugën tuaj mjaft të zorshme por edhe mjaft krenare.
Ballin lart, edhe pse koha nuk qe ne anën tuaj! Ju i dhatë kuptim kohës nëpër vite. Jetofshi sa Malet!

RKL: Në emër të Stafit dhe dëgjuesve të Radios- Kosova e Lirë ju falënderojmë për intervistën dhe ju dëshirojmë suksese, shëndet e fat në punë, juve dhe tërë familjes.

Shqipe Ismet Asllani: Juve Radio Kosova e Lire, shëndet dhe forcë. Për ju, betejat s’gjetën dot pushim. Jeni mbijetesa  Mbinjerëzore. Jeni  zëri i DËSHMORIT, amaneti i tyre. Përshëndetje të përzemërta Juve të nderuar Stafi i Radio Kosova e Lirë! Përshëndetje gjithë dëgjuesve të zërit tuaj atdhedashës!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …