Arbanë Qeriqi-Gashi: “Zëri çlirimtar i luftëtares së lirisë, veprimtares dhe publicistes, Fetnete Ramosaj”

Temë e lexuar  për Konferencën Shkencore Ndërkombëtare: “Roli i grave në jetësimin e shtetit të Kosovës (Aspekte sociale, kulturore, politike nga viti 1980 e deri në ditët e sotme)

 

Jeta dhe veprat e Fetnete Ramosajt, pa dyshim se zënë vend meritor në mesin e femrave  luftëtare e intelektuale, ndër më të njohurat jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet tona e më gjerë. Është histori e veçantë e një femre e cila qysh në rininë e hershme e kishte kuptuar se jeta nuk është vetëm sa  për ta jetuar e për ta gëzuar, por është edhe angazhim punë, aktivitet, detyrë e përgjegjësi, qofshin ato familjare, shoqërore, kombëtare por edhe humane.

E lindur dhe e rritur në një familje bujare, e edukuar kombëtarisht e njerëzisht, e pajisur me pajën më të bukur të intelektit e të mbrothësisë, Fetnetja  kishte çarë rrugën e saj jetësore duke u armatosur me dije dhe me virtytet më të mira e më të shtrenjta të traditës kombëtare.

Në moshën e saj të pjekurisë ajo inkuadrohet në radhët e rinisë revolucionare të Kosovës, jo vetëm si një studente e zellshme por në radhë të parë si një aktiviste  kombëtare, e cila me  kohë e kishte kuptuar se Atdheu padrejtësisht vuante nën robërinë serbe, e kishte kuptuar se Kosova si pjesë e tërësisë etnike të Shqipërisë, iu kishte shkëputur trungut, dhunshëm e padrejtësisht, e kishte kuptuar se ajo   e meritonte lirinë, drejtësinë e barazinë. Por liria  ajo nuk vinte me lindjen e përditshme të diellit, as me pranverën kur natyra gjallërohet.  Me kohë e kishte kuptuar se liria nuk vinte vetvetiu, por duhej punë, angazhim, bashkim mendjesh, idesh e forcash, në mënyrë që ajo të fitohej, me çdo kusht, me çdo sakrificë e me çdo çmim…

Në rrugën e lirisë ajo kishte takuar bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë, me të cilët ishte nisur në rrugën e madhe, në rrugën e rrezikshme, me mund e sakrifica, duke i besuar fortë fitores dhe duke u bërë pjesë e pandashme e saj, ashtu sikur kanë bërë femrat shqiptare  gjatë tërë historisë.

Hyrje

FETNETE  MAXHUN RAMOSAJ, ka lindur më 12 shtator 1972, në fshatin Carrabreg i Poshtëm, komuna e Deçanit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, Fakultetin dhe studimet pasuniversitare, në Prishtinë. Ka magjistruar në shkencat e sigurisë.

Që nga viti 1989, si nxënëse e shkollës së mesme ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithë popullore në Kosovë.

Ishte udhëheqëse e Grupit Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare (1992), pjesëmarrëse në demonstrata, anëtare e kryesisë së Forumit Rinor dega në Deçan, iniciatore dhe bashkëthemeluese e revistës “Zgjimi”- Deçan (1991-1997), ishte nënkryetare e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (në Nën këshillin në Deçan); nënkryetare në Partinë e UNIKOMB-it, Dega në Deçan, pas shuarjes së kësaj partie, ishte sekretare në Partinë Parlamentare të Kosovës (PPK), Dega në Deçan.

Fetnetja krahas aktivitetit legal ka zhvilluar edhe aktivitet ilegal deri në fillimin e luftës së UÇK së. Gjatë këtyre viteve në Deçan por edhe në tërë rajonin e Dukagjinit e më gjerë, Fetnetja ishte e pranishme pothuajse në të gjitha aktivitet politiko-shoqëror. Gjatë luftës, ka qenë Eprore e lartë. Ka qenë përgjegjëse për Informim Publik dhe Zëdhënëse e UÇK-së, për Zonën Operative të Dukagjinit. Gjatë kësaj kohe ka raportuar nga fronti i luftës për Radion “Kosova e Lirë”, Agjencinë e Lajmeve të Kosovës “Kososvapress”, Radio Televizionin Shqiptar etj. Gjatë luftës ka bashkëpunuar me agjencitë e lajmeve “Deutsche welle”, “BBC”, “Zëri i Amerikës” dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e në Mërgatë etj.

 Pas përfundimit të luftës ka qenë Shefe e Sektorit të Informimit Publik të Zonës së Tretë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, me gradën e koloneles, deri në fund të vitit 2001 ku ishte demobilizuar me vetë dëshirë nga radhët e TMK-së.

Prej vitit 2010, ka qenë bashkëthemeluese dhe drejtoreshë për hulumtime shkencore në Institutin për Studime Gjeopolitike dhe Siguri (ISGJS) me seli në Prishtinë.

Ka punuar në shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë.

Në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka punuar nga viti 2013 deri në gusht të vitit 2018.

Fetnetja është autore e qindra biografive për Dëshmorët e kombit që janë botuar në edicionin “Feniksët e Lirisë”, ku ishte bashkëpunëtore deri sa ndërroi jetë.

Është autore e disa fejtoneve e dhjetëra shkrimeve publicistike, të botuara në shtypin legal e ilegal të kohës që nga viti 1991, pastaj recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare, ekspozita, etj

Fetnete Ramosaj, personalitet i kompletuar në të gjitha segmentet intelektuale, shoqërore e kombëtare 

Ftenete Ramosaj jetoi 20 vjet pa një punë meritore, më meritorja e kohës së luftës dhe të paqes, Po aq vjet përballje me të gjitha sfidat, pa një ndihmë meritore nga Shteti, të cilit i dha tërë jetën e saj nga rinia  e hershme e deri në fund, kur gjysmën tjetër të jetës ia mori para kohe, vdekja e tmerrshme.

Ishte shumë e vrullshme dhe e papërmbajtur  kundër dhunës e barbarisë serbe. Ishte e pranishme kudo ku flitej për atë dhunë e barbari, në takime e simpoziume, ashtu sikur edhe kishte raportuar nga frontet e luftës në Dukagjin, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtare e së cilës ishte qysh në radhët e para.

Fetnetja kudo ku ishte shfaqej e gatshme për të  treguar njerëzi, kulturë, dinjitet e temperament të një femre shqiptare, e cila eci krah hapur me trimat e trimëreshat e Kosovës në rrugën e saj për çlirimin e atdheut, të përparimit dhe bashkimit të kombit. Ajo ishte kudo në vendet ku flitej e dëshmohej e vërteta për Kosovën, në Deqan, në Pejë, në Prishtinë, në Shkup, Shkodër në Tiranë e kudo në trojet tona…

Ajo nuk i duronte maskat, ajo i çirrte ato, andaj sado që  u anashkalua  nuk mbeti në margjina, sepse puna e saj e pandërprerë, e ndershme, e përkushtuar shkencore e profesionale kishte çarë me dinjitet rrugën drejt emancipimit dhe perceptimit tejet realist të problemeve, të cilat i ka trajtuar në studimet e saj.

 Fetnetja me jetën, punën, veprën e saj radhitet në mesin e femrave shqiptare që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për çlirimin e vendit, për emancipimin shpirtëror të shqiptarit e të shqiptares  të kohës sonë, për studimet shkencore në zbardhjen e krimeve dhe të gjenocidit shekullor serb mbi shqiptarët dhe tema të shumta që i ka trajtuar gjatë tërë jetës së saj të shkurtër, por të pasur, të begatë e shumë  të dinjitetshme.

Digresion

Që kur ike në amshim Fetnete, vërehet mungesa e zërit të së vërtetës për gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve, mungojnë shkrimet për dëshmorët nga ZOD, mungojnë shkrimet analitike që ju çirrnin maskat mashtruesve, pseudo analistëve, mungojnë shkrimet për zërin e fuqishëm në mbrojtje të çlirimtarëve… po çka nuk mungon nga dora jote, nga mendja jote e ndritur e mbushur plot e përplot atdhedashuri, plot e për plotë frymëzim për kombin e atdheun.  Ende nuk doli askush pas teje që të bëjë studime të tilla si ato që i bëje për krimet e luftës në Kosovë. Tek ty Fetnete Maxhun Ramosaj, ishin kombinuar në mënyrë të përsosur fisnikëria e idealeve me argumentimin e fakteve reale, historike.  Përkundër të gjitha këtyre kontributeve të Fetnetës, në zbardhjen e gjenocidit në Kosovë, që i argumentoi me fakte historike, e mbyllën Institutin për Krime të Luftës në Kosovë.

Tani e sa kohë duan ta ri themelojnë por ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Duke e ditur punën kolosale të çlirimtares Fetnete Ramosaj, së bashku më shokët e idealit: Faton Mehmetaj e Fatmir Arifi dhe shumë të tjerë, iniciuam që kurdo që ri themelohet Instituti, edhe pse nuk po duket asgjë ende në horizont, ky Institut të mbajë emrin e veprimtares, çlirimtares, studiueses, Fetnete Maxhun Ramosaj. Duke i vënë emrin e saj, Instituti do të jetë kuptimplotë, sepse ishte pikërisht studiuesja,  Fetnete Ramosaj, ajo që e bëri me emër atë Institut me punën e saj madhore, me veprat e botuara për krimet serbe të  luftës në Kosovë, me ekspozitat, me projektet kapitale, që asnjë e them me kompetencë të plotë nuk bëri sa Fetnetja. Andaj emri i saj do ti bënte nderë institucionit dhe mbarë Kosovës por edhe më gjerë. Andaj në këtë konferencë sërish publikisht i bëj thirrje Ministrisë së Drejtësisë të marrë mundin ta shqyrtojë këtë kërkesë.

Përfundimi 

Fetnetja me zërin e saj sa të qetë e të dashur, nuk është më fizikisht në mesin tonë, por ka qenë,  është dhe do të mbetet kurdoherë në kujtesën tonë, me sjelljen dhe veprat e saj, me intelektin e botën e pasur me dije, kulturë e emancipim. Ajo, na i ka lënë veprat dëshmi të jetës, punës, aktivitetit, të një jete të tërë në shërbim të kombit e atdheut.  Për jetë e mot   do të kujtohet në mesin e femrave më të njohura të historisë   sonë më të re. Dhe ne, Fetnete,  jemi krenarë që të patëm, krenare për kohën, luftën e pas luftën  që kaluam bashkë,  për amanetin që na ke dhënë, për të mos e ndalur luftën,  sepse po u ndal lufta, vdes jeta.

Mjafton ta lexoni këtë fjali të shkruar nga Fetnete Ramosaj dhe të kuptoni personalitetin e saj: ‘Jam shumë e nderuar dhe krenare që isha pjesë e luftës për liri, e njerëzve të terrenit, që mbi gjithçka e kishim lirinë! Ashtu janë dhe duhet të jenë të gjithë bashkëluftëtarët e mi, pavarësisht sfidave të kohës! Jo gjithkush e ka fatin të jetë pjesë e bërjes së Lirisë!”   Shkruante mes tjerash Fetnetja, motra jonë e paharruar.

Andaj, askush më shumë se Fetnete Maxhun Ramosaj nuk e plotësoi rolin e Grave në jetësimin e shtetësisë së Kosovës në të gjitha segmentet.

Fetnetja me punën, aktivitetin, angazhimin e saj jetësor u bë pjesë e femrave të mirënjohura  ilire, arbërore, shqiptare që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit.

Ju faleminderit.

 

Arbanë Qeriqi-Gashi

5 maj 2023

Prishtinë

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …