RKL: I nderuari kryetar, jeni përballur dhe po përballeni me shumë sfida duke përfshirë edhe procesin e tej zgjatur zgjedhor, ku u detyruat tri herë të vërtetoni fitoren kundër kandidatit të LDK-së, pastaj mosmarrëveshjet në kryesinë e degës e PDK-se, rreth emërimit të drejtorëve.
Qemajl Mustafa: Për fat te keq pas balotazhit të rregullt, më 13 dhjetor e deri më 14 mars, ishte një përudhë e pakuptimtë, ishte zvarritje, degradim i qeverisjes në komunë, kështu e kam kualifikuar, atë kohë gjatë këtyre ditëve, pasi që e konstituuam qeverinë komunale.
Tani kemi kthesa në inkasim të taksave komunale edhe zhvillim përgjithësisht të komunës, të shërbimeve dhe e kualifikova atë periudhë, si një periudhë të një anarkie, kur natyrshëm gjatë proceseve zgjedhore, motivi për punë, vetë klima zgjedhore, bën që të bie, pastaj ngarendja për pozicionet politike e subjekteve e kandidatëve etj. Është gjë e natyrshme që krejt këto e ulin pak nivelin e shërbimeve po kjo zgjati shumë, zgjati rreth gjashtë muaj, madje patëm edhe një muaj zgjatje pa arsye për shkak të këtij fërkimi që patëm brenda kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Më në fund e kam marrë një qëndrim, që të mos e lejojmë degradimin e mëtutjeshëm të gjendjes, dhe u kam nënshkruar kontratë edhe atyre dy drejtorëve, të cilët nuk kanë qenë preferencë e imja, e që kanë ardhur prej kryesisë së partisë, vetëm e vetëm që qytetari i komunës ta ketë idenë që është formuar dhe është themeluar një qeveri e re dhe e cila është në punë, dhe ditët që vijnë do të shohim si bëjmë me drejtorët, në fund të fundit është e drejta ime ligjore edhe për t’i ndërruar drejtoret, por gjithmonë bazuar në performancën reale të tyre. Nuk jam i pirur të ndërrojë drejtorët pa arsye. Është punuar mirë për këtë periudhë, po them është bë një kthesë jashtë zakonisht e madhe. Po e marrim vetëm te inkasomi në urbanizëm janar -maj kemi 86 mijë euro, ndërkaq vetëm muaji qershor është mbi 80 mijë, do të thotë kemi bërë një kthesë të jashtëzakonshme sepse e kemi rikthyer disiplinën në terren, inspekcioni është 100% operativ është shumë i disiplinuar, është shumë i përkushtuar Drejtorati i Urbanizmit, shërbimet publike, gjeodezia, dhe i kemi lidhur krejt hallkat për një kohë shumë të shkurtë, se më të vërtetë gjendja degradohej shumë rëndë, mandej gjithmonë e pësonte qytetari i komunës i cili ai më së paku ka faj. Ai na përkrahu në tri proceset zgjedhore. Nuk përtoi të dalë në zgjedhje as herën e parë as të dytën as të tretën po krejt kjo kthehej në kurrizin e tij.
RKL: Planet dhe perspektiva e komunës gjatë këtij mandati e që kësaj radhe përfshinë periudhën katër vjeçare. Cilat janë prioritetet?
Qemajl Mustafa: Po janë plane jashtëzakonisht ambicioze të cilat janë shpalosë bashkë edhe me kryeministrin e vendit, do të thotë me kryetarin e partisë z. Hashim Thaçi. Qytetarëve të komunës u kemi premtua dikush thotë shumë, por unë them jo shumë. U kemi premtuar optimalisht sa janë mundësitë e Qeverisë së Kosovës dhe të komunave, edhe ne kemi projektuar diku pak mbi 100 milion investime gjatë këtyre katër viteve me prioritet gjithmonë arsimin, zhvillimin edhe avancimin e bazës ekonomike të komunës, pastaj infrastrukturën përgjithësisht edhe rrugore edhe sistemimin e ujërave të zeza pra kanalizimet edhe furnizimin me ujë të qytetit, të fshatrave, investimet në ambient të cilat në mënyre të dukshme Gjilani po i bën, edhe natyrisht duke mos i harruar kurrë edhe prioritetet tjera siç janë kultura, rinia, sporti, zonat për sport për rekreacion, hapjen e mundësive për zhvillim të komunës siç janë ndërtimet me partneritet privat publik, në zonën urbane dhe në zonën e ngushtë urbane, përvetimin e planeve zhvillimore urbane dhe komunale, planeve rregulluese të cilat po i bën komuna.
Ka jashtëzakonisht shumë punë, dhe këto punë janë ndoshta ndonjë herë edhe është edhe vështirë me i thanë se janë të shumta,po aq më vështirë është me i implementuar se me të vërtetë donë shumë miliona, duan para se gjithash projekte të mira, duan projektim të mirë, projektim të saktë, mandej përkushtim prej momentit të shpalljeve së procedurave të prokurimit, udhëheqjes së tyre, përmbylljes së tyre, implementimit të atyre projekteve, deri në pranimet teknike, nuk është e lehtë aspak dhe të drejtën me thanë deri në këtë kohë nuk kemi pas përkrahje prej qeverisë në këtë periudhë, kjo periudhë ka shkuar zbrazët nuk kemi investime përveç atyre deklarimeve në fushatë.
Unë po pres që me këtë rishikim tash të buxhetit të marrim hisen tonë që na takon. Nuk kemi kërkuar as më shumë, që ti dëmtojmë komunat tjera, përkundrazi qëndrimi im ka qenë edhe në asociacion të komunave edhe para Qeverisë edhe para kryeministrit që nëse duhet vetëm se le të jetë qëndrim formal, parimor, zyrtar ne komunat nga 1% të investimeve tona mund t’iu japim zonave të pazhvilluara po e zëmë qysh ka qenë Drenica deri tash, ose zonave që kanë dalë me një shkatërrim më të madh prej lufte etj. Po një gjë e tillë nuk ka ndodhë, edhe më duhet ta them shumë publikisht që është krijuar ideja që ministritë e caktuara kanë investuar rrafsh sipas shijeve të ministrave kah kanë dashtë dhe kah kanë mundur dhe kjo nuk është mirë.
Kryeministri është shumë i njohur për këtë qëndrim timin edhe për një reaksion, dhe sot në njëfarë mënyre po e bëj publik. Ai e di shumë mirë se qëndrimi i kryetarit të komunës së Gjilanit nuk është vetëm qëndrim i imi po edhe i kryetarëve të rajonit, sepse është investuar shumë pak, ndërkohë deri tash përcaktimi për të ndarë financat për komunën e Gjilanit dhe në rajon është shumë i vogël.
RKL: Me rastin e ditës së çlirimit të Gjilanit Ju vendosët gur themelin e Memorialit të Dëshmorëve në pikën më të lartë të qytetit, projekt madhor ky që kap vlerën 1 milion euro, por siç dihet për fazën e parë janë siguruar vetëm 300 mijë euro. Nëpër sa faza do të kalojë ky projekt dhe si do të arrini t’i siguroni mjetet?
Qemajl Mustafa: Ky është projekt i cili do të duhej të ishte, sikurse projektet tjera të kësaj natyre me shumicë investuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ashtu si është Kompleksi i Prekazit, qysh është kompleksi i Reçakut qysh janë edhe momente tjera nëpër komuna. E kam bërë kërkesën dhe nuk është marrë parasysh deri tash, fund të fundit ata njerëz që kanë ra janë të barabartë, dëshmorët janë të barabartë me të gjitha të tjerat e kuptojmë momentin kulmor të sakrificës së Jasharajve dhe do të duhej të ishte Prekazi me prioritet e kuptojmë gjithashtu Reçakun që do të duhej të ishte një prioritet i dytë mandej, po tani do të duhej të gjitha komunat të kenë nga një monument memorial, që të investohet dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë nga Qeveria. Unë po shpresoj se do të ketë ndonjë investim, dhe vetë do ta sigurojmë këtë pjesën e parë që ju me të drejt e thatë, se bëhet fjalë për rreth 300 mijë euro. Po ashtu është përzgjedhë punëkryesi, ne jemi përcaktuar, nuk do të ndalemi, do të investojmë edhe si komunë, po nuk kemi shumë mundësi. Mandej pesë hektarë që janë për rreth, është një kodër e cila do të shndërrohet në një zonë rekreative, në një zonë që kulmon, se edhe konfigurimi është i tillë, që kulmon dal nga dal me lëvizje deri në kodër të dëshmorëve ku mandej është memoriali dhe është një projekt jashtëzakonisht i mirë projekt i cili do të shërbejnë për rikujtim, për edukim të fëmijëve e të brezave që po rriten në liri…
RKL: Po të mos ishte problem ana financiare për sa kohë do të përfundonin punimet ?
Qemajl Mustafa: Realisht, pjesa e parë, e cila është imperativ për mua, do të mund të përfundonte këtë vit dhe unë i kryej obligimet, këtë po ua them shumë hapur. Është humanizimi i varrezave, muri memorial, është gjelbërimi përreth, ka shëtitore, lulishte. Pra ky është imperativi im, që ato motra dhe ata vëllezër që kanë rënë për lirinë e Kosovës të mos të mbeten të gjuajtur dhe në harresë në një farë mënyre. Thënë të drejtën, unë sa herë që kam shkuar iu kam thënë kolegëve kur kemi shkuar për homazhe se këta nuk kanë nevojë për përkuljen tonë, por jemi ne ata të cilët kemi nevojë për përkulje para tyre dhe për humanizimin e kësaj hapësire sepse përmes sajë ne reflektojmë për kujdesin tonë për të veten tonë, për të kaluarën, për gjuhën, për sakrificën sis dhe reflektojmë kulturën e një komuniteti, të një kombi. Kështu siç ka qenë deri më sot, ne kemi reflektuar një angazhim të ultë si dhe mungesë të një kulture ngase nga viti 1999 kanë kaluar 10 vite dhe vetëm kur kamë ardhur unë në qeverisje në vitin 2008, i kam hyrë procesit që ka qenë shumë i rëndë dhe i ngadalshëm, shpalljen e konkursit, marrjen e ideve për projekt , përvetësimin e idesë më të mirë, mandej atij agjencioni ia kemi dhënë të drejtën për ta përpiluar projektin zbatues dhe kjo ka marr shumë kohë. Ka qenë dashtë për të debatuar me të gjitha shtresat e shoqërisë sepse ka qenë aspekt i ndjeshëm që të mos mbetet ndokush i pakënaqur ,sepse dikush ka qenë komandant i zonës dhe nuk është në qeverisje dhe mundet t’i ngelet hatri. Janë shoqatat e dala nga lufta, janë familjet, shoqëria civile, spektri politik, kemi bashkëpunuar me të gjithë dhe kemi marrë miratimin prej të gjithëve. Kështu që projekti tani është miratuar prej të gjithëve edhe punë-kryesi këtyre ditëve ka vënë gurë themelin, ka filluar të punoi dhe unë besoj se deri në vjeshtë do të përfundojë faza e parë e këtij projekti.
RKL: Gjithashtu edhe rreth përfundimit të “Projektit të Mirushës” punët kanë hyrë në fazën përfundimtare, kur pritet përfundimi i këtij projekti madhor i cili me siguri se do të ndikoj dukshëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Gjilanit?
Qemajl Mustafa: Po të kishim një financim më intensiv unë do të pretendoja, që sivjet të përfundojnë rreth 2/3 e projektit që të mbetej edhe një 30 % për vitin e ardhshëm. Kjo nuk ka ndodhë së paku deri më tani por shenjat janë që Qeveria do t’i ndajë 500 mijë euro, por këto janë pak, jashtëzakonisht pak për të vazhduar puna pa u ndalur së paku duhet edhe 1 milion euro. Qeveria ka ndarë 1 milion gjatë vitit të kaluar, komuna ka ndarë 500 mijë të cilat po i shfrytëzon për shpronësimin e tokave sepse kemi plotë pengesa meqë projekti kalon nëpër ara, livadhe që janë toka private dhe pronarët nuk lejojnë të fillojë realizimi i projektit pa shpronësim paraprak. Komuna është duke e bërë këtë me plotë vështirës edhe financiare edhe procedurale. Ne i kemi hap rrugë projektit dhe projekti ka kaluar mbi 1 mijë metra, rreth 1.200 metra është realizuar nga 4 mijë metra sa janë gjithsejtë. Unë shpresoj se shumë se sivjet do të shkojmë deri kah stadiumi i qytetit, d.m.th mbi gjysma e projektit të materializohet. Ky është një projekt shumë madhor për komunën. Nuk është sikur flitet, sikur njerëzit shpeshherë duke mos e ditur përmbajtjen e tij shpeshherë thonë shtrati i lumit Mirusha. Nuk është ai shtrat i lumit, ajo është njëfarë përroske, në fakt, lum kurrë nuk ka qen, por vend ku janë grumbulluar ujërat e zeza, në mungesë të rrjetit të mirëfilltë të kanalizimit të ujërave të zeza që derdheshin këtu dhe mandej filloi të thuhej se është njëfarë lumi. Ai nuk është lumë dhe në kushte normale aty nuk ka ujë. Shtrati i lumit do të ndërtohet dhe do të mbetet i hapur për ujëra atmosferike, kur të ka reshje atmosferike si borë, shi, që të mos grumbullohen ujërat nëpër qytet ne po e ndërtojmë sistemin e grumbullimit të ujërave atmosferike në mënyrë që të gjitha ujërat të derdhen në atë përroskë edhe të shkojnë jashtë qytetit ndërkaq ujërat e zeza të sistemohen në të dy anë e shtratit dhe të shkarkohen në dy tuba të mëdhenj me një diametër prej 80 deri në 100 cm e kështu me radhë, varësisht prej segmentit. Pra ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën e Gjilanit.
RKL: Z. Mustafa, si e përfytyroni Gjilanin në fund të këtij mandati qeverisës, me çfarë të arriturash ?
Mustafa: Me përkrahjen e duhur të Qeverisë, këtë unë e kam thënë disa herë gjatë fushatës dhe po e them prapë unë ju kam premtuar qytetarëve se për këto 4 vite, pavarësisht që jemi penguar pak në fillim, unë me stafin tim do të kisha arritur t’ ia ndërrojë pamjen e këtij qyteti, jo vetëm në kuptim vizual e estetik por para së gjithash në kuptim përmbajtjesor dhe funksional. Do t’ i ndërroj dhe do t’ i vendos kanalizimet kryesore, do t’i sistemoj ujërat e zeza, do ta furnizoj qytetin me ujë, duhet ndërruar gypat e ujësjellësit sepse është fyt i ngushtë dhe rrjeti është i vjetër. Do ta shtrij rrjetin e ndriçimit publik, asfaltimet e reja në qytet, trotuaret e reja, zonat e gjelbëruara, fasadimet, të cilat vetëm jemi duke i tani në zonën e ngushtë të qytetit, që është një projekt jashtëzakonisht i mirë. Investimet në ndërtime në lokacionet interesante ku toka është e komunës, me partneritet publiko-privat. Edhe kriteret i kemi ndërtuar, do t’i shpallim kriteret përmes kuvendit dhe do t’i thërrasim investimet private. Ka zona interesante ku do të ndërtojmë hapësira edhe afariste dhe për banim dhe pjesa, që i mbetet komunës do të grumbullojmë prej secilit investim edhe kemi jashtëzakonisht nevojë për rikonstruim të qendrës së qytetit. Gjykatat vetëm po zhvendosen jashtë qytetit dhe ju kemi krijuar kushte dhe po ndërtohen jashtë qytetit, dy policitë, Prokuroria, Qendra për regjistrim civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Burgu i Qarkut po kalon mbi fshatin Pasjak, kështu që qendrën e qytetit po e shkarkojmë prej atyre objekteve dhe aty do ta ndërtojmë një ndërtesë për administratën e komunës që do të jetë një ndërtesë, e cila do t’i ofrojë të gjitha shërbimet, pra do të jemi në një vend, sepse komuna e Gjilanit ka problem në këtë aspekt se tani jemi në 9 ndërtesa nëpër qytet, diku tjetër është urbanizmi, kadastra është në vendin tjetër, kuvendi është diku tjetër. Jemi të dislokuar anembanë qytetit dhe kjo ka bërë që të vështirësohet tej mase komunikimi dhe natyrisht, që i rrit edhe shpenzimet. Pra është një imperativ që të lirohen hapësira vazhdimisht dhe këto hapësira t’i vë në shërbim të qytetarëve, hapësira për lëvizje të lirë, hapësira të gjelbra, për pushim, për rekreacion dhe hapësira për ndërtime të reja, është planifikuar të jetë diku tjetër biblioteka, qendra kryesore e mjekësisë familjare.
Kam vizionin e plotë se si duhet të zhvillohet ky qytet, edhe me rrugët anësore, edhe me ato rrugët transite që po i themi, sepse janë të planifikuara në planin zhvillimor urban dhe komunal dhe me plane rregullative.
Natyrisht që duhet shumë ndihmë nga Qeveria në këtë aspekt për shkak se për të ndodhë preventivi i këtyre zonave, e kjo do të thotë se nëse duam ta ruajmë rrugën që është planifikuar e ajo kalon nëpër pronë private ne duhet të ia blejmë tokën pronarit ndërsa komunat nuk kanë kapacitet me i ble tokat sepse kanë buxhete shumë të vogla. Ne inkasojmë rreth 3 milionë euro dhe jemi shumë mirë me inkasim dhe kështu janë edhe qytetet me madhësi të nyejt si Peja, Ferizaj dhe Gjakova, por këto janë mjete shumë të vogla për të blerë edhe tokë dhe për të preventuar plane zhvillimore.
Qeveria duhet të përfshihet shumë seriozisht në këtë aspekt dhe ajo duhet që t’i financojë makro projektet ambicioze të komunave duke u bazuar në numrin e popullsisë së komunave, në territorin e saj dhe në prioritet e komunës, sepse jo të gjitha komunat kanë nevoja të njëjta, sepse disa komuna kanë nevoja më të mëdha e disa kanë nevoja më të vogla meqë janë zhvilluar më herët dhe janë zhvilluar më mirë. Për shembull lavdërohet për zhvillim Prizreni, sepse ka pasur një përkujdes më të mirë edhe një komunitet biznesi më të hershëm, një traditë pune. Për fat të keq, në Prizren ka ndodhë ndryshe, ka ndodhë që pikërisht siç e tha kryeministri, të shndërrohet në Jerusalem të Kosovës dhe të agjendës së tij. Nëpër Prizren kalon autostrada, Universiteti, kështu që patjetër duhet të ndodhin makro zhvillime të jashtëzakonshme, trashëgimia kulturore, përqendrimi me investime atje, etj, etj. Unë nuk jam për këtë, ne jemi fëmijë të një nëne dhe nëse është kështu atëherë ne duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë. Deri tani, në Gjilan nuk kanë ndodhur investime por shpresojmë se me rishikimin që do të jetë këtyre ditëve në Kuvendin e Kosovës, Gjilani do ta merr hisen e vet meritore.
RKL: Ne urojmë që këto punë, plane të Juaja të realizohen në afatin sa më të shkurtër kohor, dhe ju falënderojmë për kohën që keni gjetur për të qenë mysafir në valët e Radios “Kosova e Lirë”
Mustafa: Shumë faleminderit edhe për Ju dhe për kontributin që keni dhënë e po jepni, sepse jeni një radio e cila në spektrin e mediumeve është një medium i veçantë që i duhet Kosovës dhe është mirë që po vazhdoni e nuk po e humbni traditën sepse reformat nganjëherë janë të dëmshme, nëse nuk bëhen me koncept, përparimet gjithmonë duhet përmbajtja, esenca, duhet të ruhet gjithmonë.