RKL: E nderuara Teuta, mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë
Teuta Danush Kurtaj: mirë se ju gjeta
RKL: Babai i Juaj ka marrë pjese aktive në demonstratat e prillit të vitit 1981, në Kaçanik. Aktivitet atdhetar ka zhvilluar edhe gjatë demonstratave të pranverës se vitit 1989. Ishte i bindur se armiku mposhtet vetëm me lufte të armatosur dhe kundërvënie ballë për ballë. Në qershor të vitit 1998, përmes vëllait, Xheladinit, Agim Bajramit e të tjerëve, inkuadrohet ne radhët e luftëtarëve të lirisë, të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Sa jeni e njohur me aktivitetin luftarak të babit Tuaj?
Teuta Danush Kurtaj: Për këtë aktivitet unë skam ditur asgjë në atë kohë se unë isha veç 7 vjeç. Por tash kam mësuar nga anëtaret e familjes e sidomos nga xhaxhallarët që kanë bashkëvepruar me babin dhe axhën Xheladin të ndjerin , si Hajrushi, Afrimi , Raifi, dhe tash ende më shumë kam marrë informacione nga librat e xhaxhait Hajrush Kurtaj si libri : Shungullon Gryka e Kaçanikut – Dëshmorët e Kombit, Ditari i Luftës në rrugën e Lirisë, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Flakë e Pashuar dhe në librat Feniksët e Lirisë.
RKL: Ku jeni sot ju bija dhe biri Heroit të kombit, Danush Kurtaj, më se merreni a keni studiuar, a punoni?
Teuta Danush Kurtaj: Unë, punoj mësuese në shkollën fillore “Dituria” ne Ivajë- Kaçanik. Kam studiuar në Fakultetin e Edukim-Fillor në Prishtine dhe e diplomuar me 2017 . Vëllai im Azemi punon ushtar në Forcat e Sigurisë së Kosovës nga viti 2009, si dhe motra, Besiana studion në Ferizaj në vitin e dytë në Fakultetin AAB.
RKL: Cilët janë bashkëluftëtarët e babait Tuaj dhe a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?
Teuta Danush Kurtaj: Bashkëluftëtaret e babit tim, duke filluar nga të gjithë xhaxhallarët e mi pa i cekur me emra dhe bashkëluftëtaret e tjerë të brigadës 162 Agim Bajrami, për çdo 10 Gusht na vizitojnë të gjithë se është dita e dëshmorëve të Kaçanikut, po në këtë ditë është arrestuar babai im me disa bashkëluftëtar të tjerë. Përveç bashkëluftëtarëve na vizitojnë edhe shokët e burgut si: Fatmir Kurtaj, Hasan Dalloshi, Bajrush Xhemajli, Xhevat Haziri, Ismet Hashani e shumë të tjerë edhe nga institucione lokale dhe qëndrore. Gjithashtu kisha veçuar edhe vizitat në familjen tonë nga ndërkombëtaret si amerikan,anglez,suedez etj. Kontaktet i kemi të vazhdueshme.
RKL: Si ndiheni në përvjetorët e rënies se babit?
Teuta Danush Kurtaj: Janë momente të renda , gjithherë e ndiej mungesën e babit por duke ditur qëllimin e madh Kombëtar, dhimbjen mundohemi dhe e shndërrojmë në krenari dhe me punën tonë mundohemi që të jemi shembull dhe në shërbim të kombit e shtetit se ky ishte edhe ideali i babait tonë
RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet tona kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve?
Teuta Danush Kurtaj: Asnjëherë nuk është e mjaftueshme për fëmijët e dëshmorëve bënë çka bënë,se nuk mund të zëvendësohet mungesa e babit, por duke pasur parasysh se vendi jonë është shkatërruar shumë në luftë dhe jemi shtet në formim e sipër, prapë mendoj se nuk jemi lënë pas dore nga institucionet e Kosovës. Kemi pasur përkrahje në shkollim, pastaj edhe jemi punësuar e gjithashtu familja jonë ka një pension si familje e dëshmorit( nëna). E kisha veçuar përkrahjen e madhe të familjes, xhaxhallarëve e në veçanti gjyshes (lokës) Emine që deri në momentin e fundit të jetës se saj ishte me ne dhe në shërbim tonin.
RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, të babit Tuaj?
Teuta Danush Kurtaj: Diçka të veçantë që e kisha cekur dhe e ruajmë me mall e shumë kujdes janë disa daire, të cilat babi i kishte sjellë nga Iraku deri sa punonte para lufte. Sa herë i shikoj ato dy dajre me ngjall kujtim për babin e patjetër se edhe lot gëzimi e lot pikëllimi. Jam shumë krenare që kam arritur me përfunduar fakultetin dhe me dhënë kontributin tim në shkollimin e gjeneratave të reja, se babi im e kishte dashur shumë shkollimin dhe për shkak të kushteve të vështira ekonomike ia ishte detyruar të punonte punë të ndryshme që t i’u mundëson vëllezërve të tij të vazhdojnë shkollimin . Larg familjes e larg atdheut kurrë i kënaqur e i ngopur me familjen e tij. Ketë ma kanë shpjeguar xhaxhallarët e mi.
RKL Ku ishit Ju familja e ngushtë kur morët vesh se babai Juaj ndërroi jetë?
Teuta Danush Kurtaj: Ne kemi qenë shumë të vegjël se kemi ditur se çfarë po ndodhte, por mbas informacioneve që ka marr xhaxhai është bërë e ditur se babai është vrarë në burgun e Dubraves, dhe nga 20 Qershori 1999 deri me 08.08.1999 janë bërë hulumtime dhe është gjetur trupi i pa jetë i babait në varrezat masive ne fshatin Rakosh komuna Istogut. Varrimi është bërë me 10 Gusht 1999 në varrezat e dëshmorëve të Kaçanikut. Familja ime e ngushtë dhe farefisi kur kuptuam lajmin për gjetjen e trupit të pa jetë të babit, ne ishim në shtëpinë tonë, në Gabrricë dhe pasi kemi qenë shumë të vegjël na kujtohen pak gjëra.
RKL: E nderuara Teutë, ju falënderojmë se u bëtë pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë!
Teuta Danush Kurtaj: Faleminderit për mundësinë dhe ju uroj punë të mbarë. Suksese në punën Tuaj.