Arbanë Qeriqi: Intervistë me zëvendës-kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi

RKL: Mirë se vini në Valët e Radios Kosova e Lirë, zotëri, zëvendës-kryeministër!

Hajredin Kuqi: Faleminderit për mundësinë që të jem mysafir Juaji.

RKL: Fillimisht, në emër të stafit të Radios-Kosova e lirë, ju falënderojmë për përkrahjen financiare, që na keni dhënë ju personalisht dhe Kryeministria, për botimin e tri vëllimeve të Arkivit të lajmeve të Radios dhe të Agjencisë Kosovapress, gjatë luftës, vëllime këto që gjatë këtyre ditëve do të dalin në dritë.

Hajredin Kuqi: Ka qenë në nderin tim dhe do të thoja edhe të Qeverisë së Kosovës që t’ ia japim mundësinë, që një pjesë e historisë së luftës sonë një pjesë e rezistencës sonë dhe një pjesë që identifikohet edhe me krenarinë e vendit të ketë dritën e vet. Ne kemi marrë iniciativën nga ana e juaj dhe kemi mbështetur këtë iniciativë mu për atë se kjo është pjesë që identifikot me lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe do të ishte mëkat, nëse nuk do të kishte një mbështetje të tille ngase përmes saj njerëzit mund të kenë emocione për atë kohë, do ta kenë krenarinë për atë kohë, por edhe respektin për ata njerëz që kanë kryer punën në atë kohë me aq nderë me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë, i cili ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në motivimin e gjeneratave të njerëzve anekënd Kosovës.

RKL: Z. Kuçi, ju, të paktën sipas bindjes sonë, njiheni si zyrtari më komunikativ me mediet, gjithnjë i gatshëm për të dhënë informacionet e duhura dhe të nevojshme. Pavarësisht nga kjo shpeshherë keni marrë kritika nga disa gazetarë. Si ndiheni kur ju kritikojnë pikërisht në këtë segment?

Hajredin Kuqi: Unë tentoj që gjithë mendimin tim që e kam, por njëkohësisht edhe bindjen që e kam për punën e Qeverisë ta jap përmes medieve, sepse mediet janë ato që e mbrojnë interesin publik, por edhe që i përçojnë idetë tona te opinioni publik, te qytetari, dhe për hir të qytetarëve ne e bëjmë një gjë të tillë natyrisht edhe mediat kanë qenë korrekte. Ne mediet i shohim në tri drejtime: e para janë partner në punën tonë për interesa të përbashkëta, e dyta janë korrektues të veprimeve tona ngase nuk kemi iluzion që jemi perfekt, meqë në momente të caktuara bëjmë edhe lëshime dhe gabime dhe e treta besoj se janë gjithsesi konkurrues, në momente të caktuara të ndonjë ideje, apo të ndonjë veprim i yni që konkurron në opinionin publik dhe natyrisht përmes debateve që bëhen në media fiton edhe besimin e qytetarëve. Unë edhe vërejtjet edhe lëvdatat edhe sugjerimet e medieve i marrë si shumë korrekte, dhe dua të them se sa herë që marrë ndonjë sugjerim, ndonjë kritikë ndonjë vërejtje e marrë me seriozitet dhe bëj përpjekje që ta përmirësoj një gjë të tillë.

RKL: Qeveria e Kosovës është kritikuar dhe po kritikohet nga opozita, sidomos për korrupsion, për mungesë vizioni, madje edhe për mungesë vullneti për të kryer obligimet, e të tjera. Ka fakte për këto akuza, apo krejt kjo është strategji e mirënjohur e opozitës?

Hajredin Kuqi: Ne e kuptojmë rolin opozitarë në Kosovë e kuptojmë edhe të qenit në opozitë, meqë edhe ne kemi qenë për një kohë të gjatë në opozitë. Ne e kuptojmë po ashtu që nuk jemi të përkryer, por tentojmë të bëjmë punën më të mirë te mundur, e dimë që mund të ketë lëshime dhe në kuadër të sistemit tonë dhe ftojmë opozitën që të forcojë identitetin e vet. Sa më e fortë dhe më cilësore që është opozita aq më cilësore do të jetë puna e Qeverisë, se vetëm përmes një konkurrence të mirëfilltë do të rritet cilësia. Po nuk kishim dashur që refuzimi të ndodhë blanko, për hir të asaj që njerëzit janë në opozitë. Ka projekte që duhet të përkrahën, sikurse që edhe jemi të bindur që në momente të caktuara edhe të kritikohemi. Por mendoj që edhe pozita edhe opozita e kanë një qëllim të përbashkët: jetën më që mirë dhe kualitetin e jetës për qytetarë. Dhe nëse shkojnë punët tona dhe kritikat e opozitës në këtë drejtim mendoj përfitues është qytetari dhe në këtë drejtim duhet të vazhdojmë.

RKL: Pavarësisht akuzave, që janë të rëndomta në shoqëritë demokratike dhe që janë pjesë e përditshmërisë, sa keni arritur t’i realizoni planet Tuaja relevante në drejtim të qeverisjes efikase?

Hajredin Kuqi: Ne jemi munduar të konsolidojmë shtetin e pavarur dhe Sovran të Kosovës, kemi punuar shumë në dy drejtime edhe në shtet ndërtim por edhe në qeverisjen e mirë. Për herë të parë ne kemi qeverisur do të thoja pa faktorin ndërkombëtar njëkohësisht edhe ndërtimin e shtetit në bazën legale dhe institucionale. Dhe nëse i marrim parasysh pritjet që i kanë pasur qytetarët e Republikës dhe premtimet që ju kemi dhënë atyre, besoj që tanimë ato janë të prekshme të ndjeshme anekënd Kosovës dhe tanimë për qytetarin e Republikë ka pikë reference se mund të punohet në këtë vend. Kushdo që mund të qeverisë me këtë vend edhe ne në të ardhmen dhe të tjerët nuk mund të jenë më Qeveri djerrakohëse, meqë qytetarët do t’i rrisin kërkesat e tyre. Në anën tjetër projektet kapitale i kemi realizuar për qytetarët dhe unë jam i bindur se qytetarët kanë pritje dhe më të mëdha, dhe çdo ditë e pyesim vetën si mund të bëjmë edhe më shumë, si mund të koordinojmë më shumë aktivitete dhe të rrisim cilësinë për qytetarët. Mendoj që ne po punojmë që çdo ditë që t’i prekim pritjet e qytetarëve të Republikës për Qeverinë tonë për qeverisjen dhe për jetën në të ardhmen.

RKL: Shpeshherë Qeverisë së Kosovës i adresohen edhe kritika se nuk ka bërë sa duhet, ose ka bërë fare pak në realizimin e premtimeve për shtresat e prekura dhe të dëmtuara nga lufta, sikur janë dëshmorët, martirët, invalidët, veteranët. A mund të na thoni diçka në këtë segment?

Hajredin Kuqi: Një prej preokupimeve kryesore të kësaj Qeverie janë kategoritë e dala nga lufta, meqë për to kemi obligim moral, institucional por edhe kombëtar. Dua ta citoj kryeministrin, në një rast kur e ka thënë që nuk do të ndihet rehat asnjëherë pa i rehatuar këto kategori. Ne kemi bërë një zgjidhje relativisht të mirë për familjet e dëshmorëve, do të thoja ata kanë një lloj pensioni që është mesatarja e pagës në Kosovë, një veprim të tillë e kemi bërë edhe për invalidët e luftës nga një janari i vitit 2010 do të jenë të kategorizuara në nivelin e familjeve të dëshmorëve, sipas shkallës dhe kategorisë së invaliditetit. Kemi tendenca të bëjmë zgjidhje edhe për veteranët e luftës, kemi marrë disa masa lehtësuese për ata edhe në kuptimin e lehtësimeve për pajisje teknike për rehabilitimin e tyre, për dërgimin e tyre për shërim jashtë vendit, por edhe forma të tjera rehabilituese, po ashtu edhe lehtësimet doganore që mund të jenë. Por besoj që shumë shpejtë jemi duke e përgatitur edhe ligjin e përmes ligjit do të rregullohen këto kategori ashtu si duhet. Por dua të them që është një preokupim yni i vazhdueshëm, i cili do të mbetet preokupim edhe në të ardhmen.

RKL: Cilat janë angazhimet Tuaja ditore, në punë, që ju marrin më së shumti kohë dhe që nuk shihen, ose shihen fare pak?

Hajredin Kuqi: Puna në Qeveri jo vetëm e imja por edhe e secilit prej nesh 99%, nuk shihet në opinion publik, ne merremi prej punëve që kanë të bëjë me menaxhimet ditore, teknikë administrative, kështu deri te ato që mund të jenë filozofike apo edhe qëndrime publike. Çdo punë e jona, çdo qëndrim publik është i ndërtuar paraprakisht. Ne kemi kontakte në përpjekje që t’i realizojmë pritjet tona programore, por njëkohësisht duke tentuar të jemi edhe afër qytetarëve. Dua të them që, ne kemi pritje të vazhdueshme edhe për qytetarët e ndryshëm, për hallet e tyre, për organizimin më të mirë efikas të administratës brenda përbrenda Qeverisë, dhe kontaktet që i kemi me institucionet vendore e ndërkombëtare, të cilat nuk shënohen nga mediet, por kanë efektivitet të plotë për harmonizimin e qëndrimeve tona. Por ajo çka dua të them unë, do ta ndijë vetën të lumtur, jo sa vërehet puna ime në opinionin publik, por sa i vërejnë qytetarët pozitivisht ndryshimet e punës së kësaj Qeverie.

RKL: Në emër të dëgjuesve dhe stafit të Radios, ju falënderojmë për kohën e çmueshme, që keni ndarë për ne gjatë kësaj bisede.

Hajredin Kuqi: Faleminderit për mundësinë dhe unë ndihem mirë që flas për Radion Kosova e Lirë dhe për dëgjuesit tuaj të nderuar.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …