Arbanë Qeriqi: Rugovë e nderuar, mirë se vini në Radion Kosova e Lirë!
Rugova Tahir Sinani: Përshëndetje. Mire se ju gjej. Unë jam vajza e madhe, fëmija i parë i Tahir Sinanit.
– Arbanë Qeriqi: Komandant Tahir Sinani, është emblemë e heroizmit të kombit shqiptar. Ishte pjesëmarrës në tri luftërat tona çlirimtare, ku ka dhënë një kontribut madhor në çlirimin e trojeve tona të robëruara me shekuj nga serbët e sllavët përgjithësisht. Si ndiheni para përfytyrimit të figurës, jetës dhe veprës së tij si bijë e një heroi të këtyre përmasave? –
Rugova Tahir Sinani: Ai ishte simbol i forcës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Të jesh vajza e një heroi është nderë e krenari. Teksa dëgjoj të flitet e këndohet për babin kudo ka shqiptarë, rritet dhe përgjegjësia ime për ta lartësuar emrin e tij. Ndjej obligim ta bëj krenar atje ku është, si dhe të angazhohem për çështjen kombëtare, një ëndërr e dëshmorëve tanë.
Arbanë Qeriqi: Ju mbani emrin e një krahine shqiptare të Kosovës, Rugovës së legjendave dhe të trimërive. Unë kam një motër që mban emrin e krahinës së Labërisë. Ka shumë emra të tillë në Kosovë, në Shqipëri e gjithandej. Si mendoni është çështje folklori apo diçka më shumë?
Rugova Tahir Sinani: Po unë quhem Rugova. Emrin ma ka vënë babi. Më thoshte kur të pyesin për emrin, thuaju se jam “Rugova e Pejës”. Më vonë kuptova se nuk ishte thjesht një emër ,por ishte dëshira e madhe që emri i një perle të bukurisë natyrore të Kosovës të ndriçonte e ti kujtonte Shqipërisë mëmë, se Rugova është tokë shqiptare. Vendosja e emrave të qyteteve shqiptare është një mënyrë për tu ndjerë më pranë njeri tjetrit si komb.
Arbanë Qeriqi: Cili ka takimi i fundit me babin Tuaj, çka ju ka ngelur në kujtesë nga ajo kohë?
Rugova Tahir Sinani: Takimi i fundit me babin ka qenë me 3 Qershor 2001, për ditëlindjen time. Atë kohë babi na solli në Tiranë për 10 ditë, na tha se do shkonte në Kukës se kishte punë e do kthehej shpejt. Momenti i fundit ishte kur me puthi ballin te porta jashtë dhe me uroi ditëlindjen. Vetëm njëri xhaxha e dinte arsyen e vërtetë të ikjes tij. Telefonata e fundit ka qenë me 24 korrik për ditëlindje të motrës, 5 dite para rënies. Edhe pse kanë kaluar kaq vite e ndjej dhimbjen e mungesën tij shumë. Mbaj mend kur vinte në shtëpi e si i hidheshim në qafë, mënyrën si rrinte të trokiturën e veçantë të derës që ta dallonim se ishte ai. Me thoshte “çika e babit”e ma puthte ballin.
Një moment që më ka ngelë thellë në mendje është kur morëm vesh lajmin se kishte vdekur. Ishte lajm i rendë për ne. Largimi i tij me nderë e lavdi na ka bere më të fortë. Gjithmonë do e ndjej një vend bosh në zemër se mungesën e tij nuk e plotëson asgjë dhe asnjë.
Arbanë Qeriqi: Rënia dëshmor e Komandant Tahir Sinanit ishte humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për UÇK-në, por para se gjithash për familjen, e bashkëluftëtarët. A ju vizitojnë bashkëluftëtarët e tij nga Kosova e Ilirida?
Rugova Tahir Sinani: Vizitat në familjen tonë kanë qenë të shumta si nga bashkëluftëtarë edhe nga njerëz të politikes. Dua të përmend faktin se shteti i Kosovës se vlerësoi siç e meritonte kontributin dhe gjakun e derdhur të Tahir Sinanit.
Pas 16 viteve, ka kaluar vetëm një muaj nga dhënia e statusit të dëshmorit nga Shteti Kosovar. Gjithë shqiptaria kudo nëpër botë e njeh veprën e Tahir Sinanit, nuk mund të pretendoj më shumë nga pushtetarët tanë. Gjithsesi kështu kuptoj se kush ishin miqtë e vërtetë të Komandantit.
Arbanë Qeriqi: A vini ndonjëherë në Kosovë, a keni pasur rast të vizitoni ndonjë nga vendet ku ka luftuar babai i Juaj, Heroi Tahir Sinani?
Rugova Tahir Sinani: Në Kosovë shkoj sa herë kam mundësi, për pushime e raste tjera. Nuk kam mundur të vizitoj shumë vendet ku ka luftuar babi, por dua shumë dhe do shkoj në vendin e rënies tij heroike.
Arbanë Qeriqi: Për dëgjuesit e Radios Kosova e Lirë mund të na tregoni çka keni studiuar, a punoni… –
Rugova Tahir Sinani: Unë këtë vit diplomohem në profilin Bankë-Financë, në Fakultetin e Biznesit të një Universiteti shtetëror këtu në Shqipëri. Shpresoj që pas diplomimit të akomodohem në një punë të profilit tim.
Arbanë Qeriqi: E nderuara Rugovë, Ju falënderojmë për kohën që ndatë me ne. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë.
Rugova Tahir Sinani: Faleminderit për intervistën. Ishte kënaqësi për mua. Ju uroj punë të mbarë ju dhe gjithë stafit të Radio Kosova e Lirë