Kurrë s’kemi pasur,
një kohë të artë,
ndaj vulë e mjerimit,
na nxin përmbi hartë!
Shqipëria jonë,
sot e prej fillimit,
ka qenë në pragun,
e falimentimit!
Varfëri pa fre,
në fushë e në mal,
sot Migjeni i Madh,
është kaq aktual!
Është kaq aktual,
ky yll i pashuar,
kënga e mjerimit,
kurrë s’ka pushuar!
Me hapa vigane,
para eci Bota,
qeveritë tona,
bëjnë punë të kota!
Rrahin edhe rrahin,
ujët në havan,
dhe për dreq-ky popull,
qëlloi shumë hajvan!
Komunizmi-vite,
që këtu ka vdekur,
po neve atje,
ora na ka mbetur!
Enveri i ikur,
tridhjetë vjet e ca,
politikën ndezur,
edhe sot e mba!
Qeveria jonë,
me supe të njoma,
me topet e dashit,
po merret akoma!
Do bien-s’do bien,
politikët zihen,
po të shkreta tope,
asgjëkundi s’bien!
Në Tetëdhjetë e Pesën,
Enveri ka vdekur,
po dhe ora jonë,
fiks aty ka mbetur!
Përpara-përpara,
ecën çdo lloj shteti,
vetëm koka jonë,
kthyer mbrapa mbeti!
Shqipëria ecën,
si mbi fije peri,
po fajin akoma,
e paska Enveri!
Këtu monument,
u ngrit nihilizmi,
fajin për të gjitha,
e ka komunizmi!
Mbetëm atë kohë,
veç duke mallkuar,
antikomunistët,
si bajga janë shtuar!
Antikomunistët,
janë plot e plot,
por një komunist,
as për farë s’gjen dot!
Kërmat e gjithë jetës,
“luftën” s’e ndalojnë,
me mullinjtë e erës,
kanë kohë që luftojnë!
Shikoni të sotmen,
o rracë kodoshi,
këtu-komunizmi,
historinë e sosi!
Tani ai rend,
quhet rend i vjetër,
njëzet e shtatë vjet,
jemi në rend tjetër!
Jemi në rend tjetër,
dot s’i japim dum,
ç’të bëjë qënëria,
vetëm ham e hum!
Vetëm ham e hum,
lehja nuk mbaron,
për një kohë që iku,
dhe më s’ekziston!
Daulles së çarë,
bjeri-more-bjeri,
fajin për të gjitha,
e paska Enveri!
Fajin për të gjitha,
e ka Komisari,
po këta nuk dinë,
nga lidhet gomari!
Ecin në rrëmujë,
në tym e në mjegull,
njeri shton një tullë,
tjetri heq një tjegull!
Na duket gallatë,
një çudi vërtet,
kur thonë dit’ e natë,
se do bëjnë shtet!
Ne e kemi pasur,
lumi pse s’u mori?!
Këtu super shtet,
ngriti Diktatori!