Arben Llalla

Arben Llalla: Nuk ishte gjithë ortodoks takimi i 18-26 qershorit në Kretë të Greqisë

Që nuk ishte gjithë ortodoks takimi i 18-26 qershorit në Kretë të Greqisë, këtë gjë, u kujdesën kishat jo pjesëmarrëse ta cilësonin, fuqishëm madje. Që ishte një sinod i çuditshëm, nga ata që s’ishin parë ndonjëherë në historinë e Kishës Ortodokse, edhe këtë gjë, u kujdesën teologë dhe peshkopë të mëdhenj ta thoshin, pasi ky sinod, nuk i ngjante asnjë sinodi paraardhës, pasi s’ishte parë kurrë më parë, që të mblidheshin 14 burra, me delegacionet e tyre, dhe të vendosnin për fatet e ortodoksisë botërore, bazuar vetëm në 14 vota (4 prej tyre munguan si shenjë proteste). Kjo gjë, edhe në mendjen më liberale ortodokse, përbën një paradoks të madh, pasi koncilet ekumenike, vendimet i kanë marrë, bazuar në qindra vota e firma peshkopësh nga e gjithë bota dhe jo nga klika të dyshimta…

Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizojë paradokset e ortodoksisë botërore, pasi ato i kanë bërë tashmë mendimtarët kishtarë, por paradokset tona lokale këtu, pasi askush deri më tani, nuk ka guxuar të kritikojë kryepeshkop Anastas Janullatosin, pasi siç kemi thënë, janë të gjithë të kapur nga buka e gojës. Çudirat më të mëdha në këtë sinod, i shpuri kisha shqiptare, aq sa disa prej këtyre bëmave, sot kanë marrë famën e barcaletave panortodokse. Si fillim, çudia e parë ishte kur Janullatosi shpalli hapur, se nuk mund të ecej më me parimin e konsensusit, pasi sinodet ekumenike bazoheshin në parimin e votës së shumicës. Primati ynë i shquar tha se sinodet nuk kanë pse t’i ngjajnë atyre të mileniumit të parë, pasi ne mund të zgjedhim dhe forma të reja. Dhe pikërisht kjo deklaratë shkaktoi habi panortodokse, pasi si mundesh të thuash, që ne shpikëm një sistem sinodik të ri (14 votash) dhe të marrësh një parim sinodik të vjetër (shumicë e thjeshtë), kur dihet se në gjirin e 14 kishave autoqefale, shumica e tyre janë greke, përfshirë de facto, edhe kishën tonë. Ata që e pranuan këtë sistem të ri sinodik, e vunë qëllimisht për t’u siguruar nga abuzimet dhe nga ekspansioni grekoman, parimin e unanimitetit. Nëse Janullatosi do t’i kthehet parimit të vjetër të shumicës, atëherë le të propozojë abrogimin e sistemit nonsens të një kishe konfederative, pasi kisha nuk është organizatë politike, as OKB-ja.

Sigurisht që Sinodi nuk mori ndonjë vendim esencial dhe kishat nëpër botë po e deklarojnë vetëm si një mbledhje ndër ortodokse primatësh, vendimet e të cilës, nuk kanë kurrëfarë fuqie detyruese për t’u zbatuar, ndaj historia kishtare, do ta konsiderojë këtë sinod, si një konferencë verore në buzë të detit. Sigurisht kronikat historike do të regjistrojnë për herë të parë, formimin e një sinodi lokal, me gjysmën e anëtarëve, peshkopë të konvertuar nga Islami. Një çudi paradoksale të tillë, historia e ortodoksizmit, ka 2000 vjet që nuk e ka dokumentuar, dhe për këtë risi botërore, Janullatosi sigurisht që duhet komplimentuar.

Por primati ynë nuk u mjaftua me kaq. Për t’u justifikuar nga akuzat vendore që e sulmojnë atë për mësime dhe predikime greqisht, ai organizoi atje, një meshë shqip, ku u kujdes që të mos meshonte vetë, as të mos plagoste ndjenjat e pjesëmarrësve me peshkopët myslimanë, por vuri të vetmin peshkop ortodoks, që nga emocionet e tepërta, i ngatërronte frazat në greqisht dhe lëvizjet liturgjike, aq sa kur e mbylli, Janullatosi mori frymë i lehtësuar. Paradoksi tjetër ishte pjesëmarrja e korit shqiptar, i cili në Tiranë këndon himne greke, dhe në Kretë, u detyrua për vitrinë, të këndonte himne në shqip. Po këto janë histori që duhen më shumë për konsum të brendshëm, ku Janullatosi do të betohet para besimtarëve se e do shumë shqipen.

Në fund të meshës, pas lavdërimeve tipike bizantine që shkëmbejnë primatët në të tilla raste, kryepeshkop Anastasit  i dorëzoi Bartolomeos së Stambollit, një album me foto nga thagmat që ka ndërtuar në Shqipëri, si për t’i thënë se kur u referohesh mrekullive të mia, duhet të dish, se këto dhe më të mëdha akoma, bëhen kollaj, kur shteti grek të akordon fonde publike apo europiane, vetëm për të bërë të mundur helenizimin e një kishe autoqefale dhe të popullit shqiptaro-ortodoks. Janullatosi u kujdes, siç ka bërë këto 25 vjet, që të kurojë me detaje kultin e tij të individit, dhe të rishprehë sa herë që i jepet rasti, se po të mos qe për të, KOASH-i as që nuk do të ekzistonte.

Paradokset vazhduan edhe në periudhën pas sinodit. Me t’u kthyer në Shqipëri, Anastas Gjerasimo Janullatosi vijoi me traditën e tij të vjetër, ku në festat e tij kryesore, vendosen edhe ngjarjet kryesore të kishës, në mënyrë që populli të mësojë përmendësh jetën dhe bëmat e udhëheqësit legjendar. Ashtu siç shumicën e veshjeve të priftërinjve, Janullatosi i bën në datat kyçe të përvjetorëve të arritjeve të veta në karrierën e dyshimtë kishtare, kështu edhe kësaj here, ai shpalli se 2 gushti i fronëzimit të tij të zhurmshëm, kur populli shqiptar thërriste kundër tij, këtë vit do të festohej në Librazhd.

Kjo do të ishte dhe dita, kur Janullatosi do të inaugurojë një investim për ndërtimin e një hidrocentrali, por që është i dyshimtë fakti, se si një kishë lokale, i gjeti fondet, apo cili ishte burimi real, për një investim të tillë. Dhe sigurisht, cili autoritet do të mundet të kontrollojë nëse këto para janë të ligjshme, pasi KOASH-i në Shqipëri gëzon imunitet fiskal të çuditshëm. Dhe gjithashtu, cili autoritet auditiv do të kontrollojë, nëse fitimet e këtij investimi në energjetikë, do të shkojnë për nevojat e kishës, apo të propogandës filogreke, e cila, nga këto fitime të konsiderueshme, do të marrë një hov të ri. Edhe kjo mbetet për t’u parë.

I vetmi veprim logjik, dhe aspak paradoksal që ka bërë Janullatosi këtë periudhë, ishte vizita e tij, në selinë e partisë greke të Demokracisë së Re, në Athinë, ku takoi Qirjakon, birin e Kostandin Micotaqisit, të ish kryeministrit grek (1990-1993), të viteve kur Janullatosi u katapultua në Shqipëri, dinakërisht. Edhe pse Greqia e ka shpikur demokracinë, trashëgimi i pushteteve familjare, në parti dhe në shtet atje është i zakonshëm. Sigurisht që në këtë prag fronëzimi, Janullatosi e ka mirësinë për t’u treguar mirënjohës. Ai nuk mund të mos i shprehte falënderimet e tij të mirësjellta birit të atij, që ndërhyri fuqishëm pranë Fanarit, u pagoi rryshfete të majme pushtetarëve shqiptarë, dhe detyroi gjithë makinën shtetërore dhe ideologjike greke, për të vënë në jetë, planin afatgjatë të instalimit të Anastas Janullatosit si kryepeshkop të KOASH.

Janullatosi është akoma duke luajtur aktin e tij të fundit, të planit ogurzi, të iniciuar nga Micotaqisi i vjetër. Por a do jemi ne aq naivë, sa për ta lejuar që t’ia dalë? Unë e bëra detyrën time, jua thashë. Shtetarët shqiptarë, do e bëjnë të tyren?!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …