leoni

Arben Shaka: Sot ka më shumë humor të shtirur, se sa humor inteligjent

Arben Shaka: Sot ka më shumë humor të shtirur, se sa humor inteligjent

(Intervistë e Albert Xholit me aktorin e mirënjohur të humorit Arben Shaka)

Me këtë aktor të madh shqiptar të humorit, Arben Shaka  kam takime të shpeshta. Natyra e tij, e qeshura e tij, shakatë e tij janë  një stimul për ta parë jetën ndryshe. Nuk qahet kurrë dhe me humor kalon çdo situatë. Kur ulemi në fillim më kontrollon nga xhepat se mos kam hapur diktofonin dhe duke qeshur thotë, tani fillojmë dhe flasim. Në këtë bisedë krejt ndryshe këmbyem mendime për filmat e fundit që ai ka luajur, për planet e së ardhmes por dhe për shumë aktorë të humorit që kanë ndërruar jetë dhe janë lënë në harresë. Sipas tij sot ka më shumë humor të shtirur se sa humor inteligjent.

 -Aktualisht me çfarë krijimtarie po merret Arben Shaka?

Mbas realizimit të filmit të animuar “Ban Boni Pelivoni”, skenari i të cilit është shkruar prej meje, tashmë jam në një periudhë selektimi të skenarëve dhe punëve që kam pasur dhe kam në duar. Janë shumë vite punë që duhet të bëj një sistemim të krijimtarisë.

-“Ban Boni Pelivoni”, ishte një film i veçantë që u vlerësua nga kritika. Si u realizua ky film?

U realizua në bashkëpunim me shtëpinë filmike ‘Cinemania e cinemasë’ dhe me një fond modest nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Me të vërtetë ai u vlerësua nga kritika dhe ndihem mirë që një film i tillë ngjalli interes.

 -Thatë që keni gati një skenar tjetër..?

Po, kam gati një skenar tjetër për film të animuar, por akoma s’ja kam gjetur prindërit. Marrëdhëniet e bashkëpunëtorëve krijues janë vështirësuar shumë jo vetëm ndaj problemit financiar, por edhe ndaj mos-sinqeritet ndërmjet palëve.

-Kush kaq qenë dita më e vështirë pas ardhjes nga emigracioni?

Dita më e vështirë mbas ardhjes nga emigracioni është ndarja nga jeta e nënës time…..

-Sa role ke luajtur pas ardhjes nga emigracioni 18-vjeçar në Greqi?

Mbas ardhjes nga emigracioni kam lozur rolin e dados tek seriali i parë televiziv “Dado e Pallatit Tonë”. Rrolin e një pensionisti tek reklama e frutave të thata. Seriali ringjalli emocionet e xhirimeve dhe bashkëpunimin me regjisoren Elona Paja, partnerët e rritur dhe të vegjël. Ndërsa roli i pensionistit tek reklama ishte një kënaqësi e përgjithshme emocionale mbasi për herë të pare xhiroja një reklamë, por ama edhe këtu s`isha i planifikuar. Rastësia dhe dashamirësia i solli realizuesit e reklamës tek unë.

-Si do ti komentonit emisionet e humorit në televizionet shqiptare?

Për emisionet e humorit në televizionet shqiptare do të flas me zemër të hapur. Aktorët janë të talentuar në përgjithësi, por ka shumë prej atyre që se kanë aromën e aktorit. Ka edhe ndonjë që në marrëdhënie me publikun krijon një lloj kapadaillëku dhe “sigurie”, madje në ndonjë rast japin edhe komente personale për situatën politike…..gjë që për mua është e mbrapshtë. Në ndonjë emision të humorit ka edhe imitime të personazheve politike apo mediatike në një mënyrë jo profesionale. Në qoftë se duam të imitojmë një figurë publike apo popullore, duhet servirur jo direkt (shabllon) tek spektatorët por situata që krijohen në marrëdhënie autoriale profesionale që ti tregojnë spektatorit se për kë bën fjalë ai monolog ose ajo skenë. Ka edhe ndonjë teprim me banalitete shqeto banale, që edhe në rrugë i dëgjon rrallë. Ngarkesa e aktorëve është e madhe por regjisorët duhet të kenë bashkëpunim të ngushtë me një grup krijuesish dhe mos ta lënë humorin në dorën e atyre qe se bëjnë dot. Eshtë e vërtetë që disa aktorë të talentuar kanë krijuar personalitetin e tyre ndaj spektatorëve, por duhet të jenë gjithnjë shumë kërkues për shtigje të reja.

-Ku është ndryshimi mes humorit të djeshëm dhe atij të sotëm në emisionet e humorit në televizione?

Ndryshimi ndërmjet humorit të djeshëm dhe atij të sotëm në emisionet e skeçet humoristike është se: Në sistemin e kaluar kishim një vijë ideologjike dhe orientuese për humorin. Kishte kufizim për informacionin si zhvillohej arti jashtë kufijve të vendit tonë. Pra estradat me aktorët dhe artistët e tjerë ishin i vetmi variacion i humorit. Për fat, në atë brez dolën disa talente që u bënë shumë popullorë dhe fituan zemrat dhe respektin e popullit, kështu që edhe sot mbahen mend, kujtohen e respektohen. Në formë janë njëlloj si Estrada e atyre viteve dhe vartietetë e sotme por… sot jeta është shumë dinamike pra edhe servirja e humorit është dinamik. Ndryshimi me të djeshmen është shumë i madh në drejtim të teknikës, modernes dhe luksit. Ashtu si në atë sistem që ishim, dolën figura komike apo humoristike të dashur për popullin, edhe sot ka artistë në fushën e humorit me personalitet artistik që po fitojnë famë. Sot ka më shumë humor të shtirur se sa humor inteligjent

– A mund të jetoj sot me art një aktor i humorit në Shqipëri?

Sot ka artistë të humorit që bëjnë një jetë të vërtetë prej artisti pa dallim me artistët nëpër botë, por këta janë pak. Shumica duhet të trajtohen akoma më mirë. Këtu e kam fjalën për artistët e sotëm se sa, për në brezin e tretë jemi të përvëluar. Ne nuk jetojmë por marrim frymë….

– Janë larguar shumë mera të mëdhenj të humorit si i kujtoni?

Është e vërtetë që kohët e fundit janë larguar nga jeta shumë artistë dhe me disa prej tyre kam patur (për kohën që punonim) marrëdhënie të rregullta dhe respekt. Dëshpëruese është se disa u larguan në varfëri apo mjerim kur na fakt i ka dhënë shumë humorit shqiptar. Mendos se shteti duhej të kishte më shumë kujdes ndaj tyre. Ata me artin e tyre e bënë të qeshin këtë popull në ditë të vështira, kur hallet ishin të shumta. Në atë kohë për të parë estradën zije radhë.

-Në një bisedë para shumë vitesh më patët thënë se për shumë kohë keni punuar si piktor në Greqi, madje, keni bërë shumë piktura murale të përmasave të mëdha deri në 8 me 3 metër. Po sot a e vazhdoni pikturën?

Pikturën në fakt nuk e fillova në Greqi, me pikturë fillova të merrem qysh në moshën 35 vjeç. Kur isha në Cirk, punoja dhe me pikturat. Ishte një ndjesi e brendshme. Shumë skena në cirk i organizoja vetë. Bëja dhe portrete dhe peizazhe, madje dhe kompozime. Por në Greqi e bëra profesion të parë. Kur kam bërë pikturën e parë murale me përmasa të tilla vetë pronari grek është habitur, pasi unë përmasat e trupave i bëja me llogari matematike duke shumëfishuar pjesët në raport me origjinalin. Kur ja shpjegoja pronarit grek ai habitej, pasi thoshte që s’do t’ja arrish. Dhe unë me shaka i thashë. Mos u mërzit qirje, se do ta bëjmë Greqinë “lule” si Shqipëria. Ai filloi të qeshë me mua. Kur pyeta nënën për hobin tim të pikturës ajo më tha se babai yt Nuçi (Naun), pikturonte. S’e dija këtë hob të babait tim. Pastaj mora vesh se ai kishte konkurruar për pikturë me Guri Madhin, por më vonë puna ja solli që të merrej me hetuesi. Edhe sot kur kam kohë të lirë, unë pikturoj. Kam shumë piktura që më ngjallin dëshirën për punë.

Mendoni se do hapni ndonjë ekspozitë?

-Nuk e di. Unë eci me moton kurrë mos thuaj kurrë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …