Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, sot dhe nesër merr pjesë në Konferencën e Komisioneve për Çështje Evropiane të vendeve anëtare të BE-së-KOSAK, që mbahet në Paris, në kuadër të Kryesimit Francez me BE-në. Pas Sesionit të Parë të Konferencës kushtuar “Realizimit të prioriteteve franceze në periudhën e kaluar nga 1 janari 2022, fjalim hyrës kishte kryeministri francez, Zhan Kasteks, me fokus në zhvillimet aktuale në Ukrainë dhe solidaritetin dhe mbështetjen evropiane në këto momente të vështira për vendin.
Gjatë këtij sesioni, Ademi theksoi se Maqedonia e Veriut mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke informuar për miratimin e djeshëm të Deklaratës që dënon sulmet ushtarake që e rrezikojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të Ukrainës. Duke mbështetur kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE, kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian për të përshpejtuar procesin për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur, gjë që sigurisht do të kenë efekt pozitiv në kontekstin ekonomik dhe të sigurisë për vendin dhe rajonin e gjerë. Në margjinat e Konferencës, Ademi realizoi disa takime bilaterale me kolegët e tij deputetë nga parlamentet e vendeve anëtare, si dhe nga rajoni, ku u shkëmbyen mendime dhe qëndrime për temat e rendit të ditës. Gjithashtu, Konferenca trajtoi “Planin Evropian për Rindërtim, Ndryshimet Klimatike dhe Transmetimin e Energjisë, si dhe Konferencën e ardhshme për të Ardhmen e Evropës.”