Arbër Cërvadiku: Mijëra Dëshmitarë të Jehovait mes miliona viktimave të nazizmit

Arbër Cërvadiku: Mijëra Dëshmitarë të Jehovait mes miliona viktimave të nazizmit

Më 27 janar, në të gjithë botën, shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit[1], një datë simbolike për të kujtuar viktimat e nazizmit. Terrori vrastar nazist kishte në shënjestër miliona njerëz për shkak të racës, kombësisë ose ideologjisë politike. Por pak njerëz e dinë që viktimat e nazizmit përfshijnë edhe Dëshmitarët e Jehovait të cilët vuajtën për shkak të besimit të tyre të krishterë.

Një nga personat e dërguar në kampin e përqendrimit nazist, Mauthausen, ishte edhe shqiptari Nikodhim Shyti, Dëshmitar i Jehovait, lindur në Vlorë më 18 prill 1900. Numri i tij i identifikimit në burg ishte 100355. Nikodhim Shyti vdiq në kampin e përqendrimit më 23 dhjetor 1944, siç tregohet në dokumentin e bashkëngjitur, marrë nga Mauthausen Gusen Death Book.

Dëshmitarët e Jehovait, të njohur në atë kohë si Studentët e Biblës, ishin «i vetmi grup në Rajhun e Tretë të cilët përndiqeshin vetëm për shkak të besimit të tyre fetar», thotë Profesor Robert Gerwarth.[2] Sipas historianes Christine King, regjimi nazist i cilësonte Dëshmitarët si «armiq të shtetit» për shkak të «refuzimit të tyre publik për të pranuar qoftë edhe elementët më të vegjël të nazizmit të cilët nuk përshtateshin me besimin dhe parimet e tyre.»[3]

Bazuar në parimet fetare, Dëshmitarët, duke qenë asnjanës politikisht, refuzonin të bënin përshëndetjen «Hajl Hitler», të merrnin pjesë në akte raciste dhe të dhunshme ose të bashkoheshin me ushtrinë gjermane. Për më tepër, «në literaturën e tyre ata identifikonin publikisht problemet e regjimit, përfshirë këtu atë që po u ndodhte hebrenjve»-thotë King.[4]

Dëshmitarët ishin ndër të parët që u dërguan në kampet e përqendrimit ku mbanin një simbol unik në uniformë—trekëndëshin ngjyrë vjollcë. Nga rreth 35.000 Dëshmitarë që jetonin në Evropën e pushtuar nga nazistët, më shumë se një e treta vuajti përndjekje të drejtpërdrejtë. Shumica u arrestua dhe u burgos. Qindra fëmijë të Dëshmitarëve u dërguan në shtëpitë e nazistëve ose në shkolla riedukimi. Rreth 4.200 Dëshmitarë u dërguan në kampet naziste të përqendrimit. Udhëheqësi Detlef Garbe shkroi: «Qëllimi i deklaruar i udhëheqësve NS (nazistëve) është që të eliminojë plotësisht Studentët e Biblës nga historia gjermane.»[5] Rreth 1.600 Dëshmitarë të Jehovait vdiqën, 370 prej të cilëve u ekzekutuan. [6]

Nazistët donin të thyenin bindjet fetare të Dëshmitarëve duke u ofruar lirinë në këmbim të bindjes. Standardi Erklärung (publikuar në fillim të 1938-ës) i kërkonte personit që firmoste të hiqte dorë nga besimi i tij ose i saj, të denonconte Dëshmitarët e tjerë në polici, t’i bindej plotësisht qeverisë naziste dhe të mbronte ‘atdheun’ me armë në dorë. Zyrtarët e burgut dhe të kampit shpesh i torturonin Dëshmitarët që t’i detyronin të firmosnin. Sipas Garbe, vetëm «një numër shumë i vogël» Dëshmitarësh hoqën dorë nga besimi i tyre.[7]

Geneviève de Gaulle, mbesë e Gjeneralit Charles de Gaulle dhe anëtare e Rezistencës Franceze tha për Dëshmitaret femra të burgosura në kampin e përqendrimit në Ravensbrück: «Ajo që admiroja tek to ishte fakti që ato mund të largoheshin në çdo moment vetëm duke hequr dorë nga besimi… Në fund, këto gra që dukeshin të dobëta dhe të rraskapitura, ishin më të forta se SS-të, të cilët kishin fuqinë dhe çdo mjet në dispozicion. Ato kishin një forcë e vullnet që nuk mund ta mposhtte askush. »[8]

Dështimi i metodave naziste për të thyer Dëshmitarët e Jehovait është në kontrast me konformizmin aq të përhapur social ndaj qëllimeve naziste para dhe gjatë Holokaustit. Rezistenca  paqësore e njerëzve të thjeshtë ndaj racizmit, nacionalizmit ekstrem dhe dhunës, meriton një reflektim të kujdesshëm në këtë Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

 

Më shumë informacion për Dëshmitarët e Jehovait gjatë Holokaustit mund të gjendet në jw.org:

[1] https://www.ushmm.org/remember/international-holocaust-remembrance-day

[2]   Hitler’s Hangman: The Life of Heydrich, p. 105.

[3]   Jehovah’s Witnesses Stand Firm Against Nazi Assault (vcf/-E), Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, 1996.

[4]   Responses Outside the Mainstream Catholic and Protestant Traditions (yadvashem.org), accessed on Jan. 3, 2022.

[5]   Garbe, Detlef (2008). Between Resistance and Martyrdom: Jehovah’s Witnesses in the Third Reich. Madison, Wisconsin: University of Wisconsin Press, p. 521. ISBN 978-0-299-20794-6.

[6]   “Number of victims persecuted in National Socialist Germany and in occupied countries,” Central Europe PID fact sheet.

[7]   Garbe, pp. 287-288.

[8]   Jehovah’s Witnesses Stand Firm Against Nazi Assault (vcf/-E), Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, 1996.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …