I nderuar kryetar
Qytetarët e Pejës të votuan me mendimin se ti e do Pejën. 3 vite e gjysëm zhgënjim, ndryshuan mendjen e tyre, e që ti do të bindesh shumë shpejt, pasi që po mbaron koha jote. 22 tetori, është data kur ti do e marësh verdiktin.
Po të shkruaj letër të hapur, sepse kërkesa ime që u bë para 2 javësh në lidhje me shqetësimin e banorëve të qendrës së qytetit hasi në vesh të shurdhër. Qendër, të cilën ti me keqmenaxhim e me keqpërdorim të parasë publike, e katandise si mos më keq. Por, nuk është bukuria e pastërtia ajo që na intereson neve në radhë të parë. Me projektet tua, ke rrezikuar jetën dhe sigurinë e familjes time dhe fqinjëve.
Ka një muaj, që neve na u zu hyrja dhe nuk kemi çasje në pronën tonë, ose të paktën çasja bëhet me shumë vështirësi. Asnjë projekt që ngulfat qytetin, qendrën e saj, pa bërë zgjidhje për banorët, nuk bëhet nga njerëz me mendje të shëndosh, por juve si duket ju ka ikur dhe mendja. Paramendoje situatën e ndonjë shpërthimi zjarri, nevoje emergjente të ndonjë të sëmuri, apo edhe incident apo krim. Na thuaj i nderuar kryetar, se nga cila rrugë do të duhej të intervenojnë zjarfikësit, ambulanta apo policia?
E vetmja mundësi që u dha nga ju, është çasja nga veriu, ku gjinden lokalet hoteliere, e që rruga është e zënë nga to. Të kalosh në atë pjesë, e të prishësh komoditetin e njerëzve, përveç se është turp, bëhet edhe e pamundur nga parkimi i makinave mu te hyrja e parashikuar nga ju. Me këtë veprim, si duket ti dëshiron të na degradosh dhe krijosh konflikte mes qytëtarëve. E vetmja hyrje e logjikshme, e cila ishte për t’u çasur në pronën e shtëpitë tona, tani më është shndërruar në parkim për hotel Dukagjinin, në gjoja sheshin që ti e premtove për qytetarët.
Ne do të detyrohemi që ta mbyllim hyrjen e lagjes tuaj, me protesta apo edhe me pengesa fizike, në mënyrë që ti, ta përjetosh pik së pari degradimin, por edhe ta provosh në lëkurën tënde pasigurinë që na ke krijuar neve. Nuk ta kishim me borxh, sepse je kryetar i të gjithëve, e ti besimin qytetar, e shfrytëzove për inatet tua personale.
Ka shumë për t’u shkruar për të bëmat tua gjatë mandatit, e investimi i fundit koruptiv, është vulja e së keqes që ti i’a shkaktove qytetit tonë. E inatin e mbajte edhe me të vdekurit. As varret e të parëve tanë nuk u pastruan tradicionalisht nga komuna, siç veprohej më parë. E si mund ta bëj këtë një kryetar, që në historinë e Pejës do mbahet në mend si kryetari i bërllogut.
(Shqetësimi në këtë letër nuk është personal. Është i të gjithë banorëve, që mund të vërtetohet shumë lehtë)