Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se kryetari Hashim Thaçi duke qenë i anshëm dhe kundër Lëvizjes Vetëvendosje po dëshiron të krijojë huti tek qytetarët e presion tek ne. Ajo përmes një postimi në rrjetin social, ka shkruar se çështja është e qartë dhe nuk ka nevojë që presidenti i vendit të bëjë presion apo të krijoj huti në kuptim të të drejtës për të propozuar mandatarin. “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka zgjidhur dhe çështjen e shumicës së Kuvendit, e cila sipas interpretimit i takon LV! e cila ka të drejtën që t’i propozojë kandidatin për mandatar, Presidentit të Republikës. Presidenti mund të dekretojë mandatarin, vetëm pasi kjo të ketë ndodhur”, ka shkruar ajo.
