Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka hedhur akuza drejt kryediplomates Donika Gërvalles duke thënë se e njëjta ka lëshuar urdhër që zyrtarët dhe diplomatët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës t’i raportojnë për çdo veprim, nga dy herë në ditë, paradite dhe pasdite. Shoshi përmes një postimi nërrjeetin social ka thënë se si duket ministrja nuk e ka kuptuar ende rolin dhe përgjegjësinë e saj si kryediplomate. “Ka disa ditë që zyrtarëve dhe diplomatëve të MPJD-së (me urdhër të Ministres përmes Sekratarit) iu kërkohet raportim për çdo veprim, edhe atë dy herë në ditë, paradite dhe pasdite. Si duket Donika ende nuk e ka kuptuar rolin dhe përgjegjësinë e saj. Si kryediplomate nuk do të duhej të kërkonte raportim të drejtpërdrejt nga shërbyesit civil sepse hierarkinë e raportimit e përcakton Ligji për Zyrtarët Publikë dhe jo stafi politik.Ministria ka 389 zyrtarë, dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, brenda ditës do të jenë 778 raporte. Kjo metodë nuk prodhon cilësi në diplomaci, përkundrazi një kërkesë e tillë është e palogjikshme dhe e panevojshme. Qëllimi i këtij urdhri mund të supozohet se është seleksionimi dhe diferencimi i diplomatëve të caktuar. Krejt në fund, po aq shqetësuese është edhe heshtja e Sindikatës përballë kësaj tentative për të ushtruar presion ndaj zyrtarëve dhe diplomatëve të MPJD-së”, ka shkruar ndër të tjera Musliu-Shoshi.