Ariana Musliu – Shoshi: Ftojmë organet e drejtësisë që të hetojnë aferat në MPJD me dokumente të mërgimtarëve dhe ndërhyrjen e saj në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, në një konferencë për media ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë urgjentisht skandalet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës – të cilat lidhen me keqpërdorimin e dokumenteve zyrtare të qytetarëve tanë dhe ndërhyrjet e saj joligjore në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Mediat raportuan se 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve – janë humbur në postën diplomatike të Republikës së Kosovës, tenderi për shpërndarjen e të cilave i ishte dhënë një kompanie me çmim shumëfish më të shtrenjtë.
“ Si PDK, sot kemi vetëm një kërkesë për organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës që krahas hetimeve të tyre për hajnitë me energjinë elektrike, krahas hetimeve për hajnitë me ambalazhuesit e ujit, atyre me rezervat shtetërore dhe kontratat njëburimore, krahas hetimeve për nepotizëm e korrupsion nëpër institucione të ndryshme publike, urgjentisht të nisë hetimet edhe në MPJD për shkak dyshimeve për keqpërdorime të shumta me dokumentet zyrtare të qytetarëve tanë dhe ndërhyrjet e saj joligjore në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme”, ka thënë Musliu – Shoshi.
Deputetja e PDK-së ka thënë se si pasojë e këtij dështimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen, shumë punë do të ndërpriten, shumë shpenzime të qytetarëve tanë do të bëhen, e fatkeqësisht, edhe shumë plane të tyre do të prishen.
“Të risjellim në vëmendje vonesat e shumta për shkak të mungesës së materialit në fillim të mandatit qeveritar, pastaj vonesat me muaj të tërë të dërgimit të dokumenteve nëpër misionet tona Konsullore për shkak të mos nënshkrimit me kohë të kontratave nga Ministrja Gervalla Schëarz. Të dyja këto ngecje ndodhën me qëllim të aplikimit të kontratave njëburimore nga qeveria”, tha Musliu – Shoshi.
Deputetja e PDK-së shtoi se kjo Ministri, e posaçërisht kjo Ministre, gjatë këtyre katër viteve ka dëshmuar vazhdimisht se nuk është as e Jashtme, as e Diasporës, dhe as e aftë për forcuar pozicionin e shtetit tonë në botë.
“Mërgatën tanë, kjo Qeveri i do vetëm për fushatë, për vota dhe për shfrytëzim politik. Këtë e vërteton edhe skandali tjetër i cili u zbulua dje nga mediat, për ndërhyrjen e MPJD-së në organizimin e zgjedhjeve. Në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kushtetutën e Republikës, kjo ministri ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale”, ka thënë ajo.
Musliu – Shoshi tha se është e parë në historinë e Republikës së Kosovës që një Ministre e Punëve të Jashtme ka mandat të plotë, ndërkohë që asnjë njohje nuk i ka ardhur vendit dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk është realizuar.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, në fund të konferencës së saj, ka falënderuar të gjitha mediat dhe gazetarët në Republikën e Kosovës, të cilët, përkundër përndjekjes politike, shantazheve dhe kërcënimeve nga ana e pushtetit, po vazhdojnë ta bëjnë më profesionalizëm punën e tyre.
Ndërkaq, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Musliu – Shoshi ka dënuar sulmin ndaj Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe ka ftuar organet e drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe të dënojnë akterët e përfshirë në këtë sulm.