Arianit Elshani: Ilirida, kjo plagë që rënkon

Ndikimi i emocioneve që kam për këtë pjesë nuk më lë që të jem aq i pashpirt sa të tregohem i paanshëm për zhvillimet e fundit.  Ngjarjet e fundit, sigurisht se kanë ndodhur si pasojë e së kaluarës, konflikti i ndjenjave të përkatësisë etnike daton shumë më herët se 15 vitet e fundit por bindja e opinionit ndërkombëtar rreth këtij konflikti duket shumë më i vështirë tash pas marrëveshjes së Ohrit.

Marrëveshja e Ohrit, duket qartazi që nuk respektohet, por absurditeti qëndron në atë se kërkesa për respektim të kësaj marrëveshje duket aq e vogël, saqë edhe vetë të drejtat e theksuara mund të duken abstrakte për popullin Shqiptar me banim në territorin Maqedon.

Maqedonia si shtet për nga përbërja dhe elementet kushtetues, është një eksperiment Europian, që deri në ndodhi të këtij rasti të fundit duket sikur ka arritur të mbijetojë mjaftë mirë, marrë parasysh qetësisë së etnicitetit Shqiptar karshi praktikuesve të pushtetit. Shqiptarët, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre që janë të garantuara përmes marrëveshjes së Ohrit, dhe jo të qëndrojnë indiferent karshi asaj çfarë ndodhë në realitet, sigurisht se nga pjesa ku jetojë kjo mund të duket abstrakte, duke qenë se jetojë në një vend tjetër ku polici është Shqiptar, dhe gjuha zyrtare është Shqipja, ku kontrolli qeveritar është Shqiptar, por në të tilla kushte që jetojnë sot Shqiptarët në këto treva, kanë jetuar edhe paraardhësit e mi, e në të tilla kushte ata kanë kërkuar të drejtat e tyre. Shqiptarët duhet të ngrihen njëherë e mirë, të kërkojnë zbatimin e të drejtave ose shkëputjen nga ky pseudo-shtet i krijuar. Por para se të reagojnë duhet të bindin opinion ndërkombëtar se ata kërkojnë të drejtat mbi bazën kombëtare, e jo fetare. Sot shtetet krijohen mbi parimin e kombit dhe jo të fesë andaj pa shënjuar një vi të kuqe të ndajnë kombin nga feja, bindja e opinionit ndërkombëtar është i vështirë.

Ngjarja e fundit, nuk duhet të paragjykohet si lojë e Gruevskit, apo Serbisë ajo duhet të analizohet nëse vërtetë Shqiptarët kanë nevojë të reagojnë me pushkë apo me pendë. Çfarëdo qoftë qëllimi i këtij grupi të armatosur, ajo nuk duhet të vë në heshtje kërkesat legjitime e ligjore të qytetarëve për barazi dhe drejtësi.

Kosova e Shqipëria, në reagimet e tyre të para duken mjaftë të përmbajtura karshi Gruevskit, sigurisht kjo vjen si pasojë e politikë-bërjes, por para se të kërkojnë qetësim të situatës ata duhet të kërkojnë zbatim të marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët në Maqedoni duhet një herë e përgjithmonë të kërkojnë të drejtat që u takojnë në qoftë se ata dëshirojnë që të jenë pjesë e shtetit Maqedon, në të kundërtën duhet të punojnë rreth krijimit të një shteti të ri apo bashkim me Shqipërinë. E krijimi i një shteti të ri, duket larg ngase e kaluara tregon, se u deshën rreth 20-30 vite për të bindur Shqiptarët e Kosovës dhe opinionin ndërkombëtar se zgjidhja më e mirë është ndarja e Kosovës nga Serbia.

Kjo ngjarje e fundit, pa marrë parasysh qëllimin dhe ndoshta inskenimin që ju është bërë, duhet të shërbejë si pikënisje për të kërkuar atë çfarë u takon, që Shqiptarët mos të shihen si minoritet e as si popull inferior, e aq më pak si të paditur. Do shtoja edhe një kritik të vogël sa u përket medieve Shqiptare në Maqedoni, ato duhet t’u shërbejnë shikuesve si mjet i ngritjes së vetëdijes dhe informimin e drejtë, e jo si mjet i mbushjes së mendjes me imazhe të panevojshme të serialeve.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …