Avokati Arianit Koci ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës së Lartë e Nishit, e cila ka dënuar në mungesë tetë ish-eprorë të UÇK-së që kanë luftuar në Frontin e Kosharës Shiqeri Maloku, Xhafer Gashi, Demush Gacaferi, Demë Maloku, Agron Isufi, Anton Çuni, Rabit Alija dhe Rrustem Berisha. Ai në fund tha se mos reagimi për këtë denim është “marre për ne”. Koci ka thënë se aktgjykimi tregon se Serbia nuk e do as pajtimin dhe as pranimin e Kosovës si shtet. “Me Aktgjykimin e sotëm, Serbia dëshmon qē nuk e do as pajtimin e as pranimin e Kosovës si shtet. Gjykata e Lartë e Nishit, sot i shpalli fajtor dhe i dënoi me 15 vjet burg, oficeret e lartë të UÇK-së, për përfshirjen e tyre në sulmet ndaj trupave të Ushtrisë Jugosllave në Koshare, në shtator të vitit 1998”, ka shkruar Koci, duke shtuar se provë kyçe ishte një video e incizuar, ku shihen operacionet ushtarake të dy ushtrive që ishin palë ndërluftuese.
Por ai e e sqaron se ajo ishte vetëm një operacion i pastër ushtarak, madje aksioni ka qenë në koordinim me forcat e NATO-s.
“Ushtarët tanë – UÇK-ja, ishin në uniforma dhe realizuan me sukses sulmin ndaj ushtrisë jugosllave, e cila është përgjegjëse për kryerjen e shumë masakrave në Kosovë. Duhet cekur që në video shihet shumë mirë që nuk ka ndodhur asnjë veprim i paligjshëm, të cilat mund të ndodhin gjatë një konflikti të armatosur, nga ana e ushtarëve tanë. Ka qenë operacion i pastër ushtarak, kundër ushtrisë armike”, shkruan më tej Koci.
Avokati Arianit Koci thotë se gjatë këtij sulmi, shihet që nuk ka pasur shkelje të Konventave të Gjenevës, protokolleve të tyre, ose të ligjeve dhe zakoneve të luftës, lidhur me shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Më pas Koci thotë se “jemi mbrojtur nga agresori me ushtri të rregullt dhe nga ushtarët e dinjitetshëm dhe të ndershëm”.
Për këtë, ai thotë se sot më shumë se kurrë është dashur të reagojë shteti, Qeveria dhe të gjithë ne, për dënimin që i është bërë ushtarëve tanë.
“Marre për ne”, ka shkruar ai, duke përfunduar me atë se aktgjykimi i sotëm dëshmon që Serbia dialogun e ka farsë dhe se njëherë nuk e ka ndërmend as pajtimin e as pranimin e shtetësisë së Kosovës.