leoni

Arif Shpend Dautaj (28.10.1959 – 26.6.1998)

Arif Shpend Dautaj (28.10.1959 – 26.6.1998)

Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë përkrahur dhe kanë marrë pjesë aktive në të edhe shumë luftëtarë dhe oficerë nga Shqipëria administrative. Në mesin e tyre  kanë rënë dëshmorë nga pothuajse të gjitha viset e Shqipërisë, prej Tropojës, Shkodrës, Beratit, Kavajës, Çermenikës  e Tiranës. Në altarin e lirisë kanë rënë oficeri  dhe pjesëmarrësi në të tri luftërat tona çlirimtare, Tahir Sinani nga Tropoja,  Arif Dautaj, po ashtu nga Tropoja, Skerdilajd Llagami nga Tirana, eprori Indrit Cara nga Kavaja, Astrit Suli, nga Berati,  Halit Coka,  Arjan Brahimi,  Hazir Malaj, Pajtim Roci, Lefter Koxhaj, Qazim Dautaj, Fatmir DOÇI, Mehmet Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë. Në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë edhe eprorët e mirënjohur nga Shqipëria, si Dilaver Goxhai, zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, Adem Shehu, komandant i Brigadës 152 të Zonës Operative të Llapit, Bardhyl Tahiri, epror në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e të tjerë. Kontributi që ka dhënë Shqipëria si dhe Divizioni i Kukësit ka qenë një kontribut i çmuar në luftë për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e barbarisë okupatore serbe.
Në fshatin Gegaj të Tropojës, më 28 tetor të vitit 1959, në familjen e Shpend Dautajt lindi djali, të cilin e pagëzuan me emrin Arif. Ai ishte djali i vetëm i  Shpend dhe Bute Dautajt. Shpendi së bashku me vëllain e tij, Fazliun, në dimër të vitit 1945  kishte marrë pjesë në Brigadën 25 Sulmuese të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare në luftë për çlirimin e Dukagjinit dhe të Sanxhakut nga forcat fashiste, por edhe nga forcat çetnike dhe drazhiste serbe.
Arifi shkollën fillore e kreu në Gegaj të Tropojës. Më pas ka kryer edhe Gjimnazin në Shkodër. Pasi kishte zënë punë, martohet dhe i përkushtohet familjes.
Me rastin e fillimit të luftës në Kosovë, Arif Dautaj ndjek shembullin e babait dhe së bashku me kushëririn e tij, Qazim Dautaj, paraqitet vullnetar në Zonën Operative të Dukagjinit. Duke qenë se UÇK-ja kishte shumë vullnetarë por nuk kishte armatim, Arifi me kushëririn, Qazimin ndërmerr aksione për grumbullimin dhe sjelljen e armëve nga Shqipëria në Kosovë.
Fillimisht sistemohet në Shtabin vendor të Junikut, ku në verë të vitit 1998 ishte krijuar një korridor tejet i rëndësishëm për sjellje të armatimit. Drejt pikës kufitare të Junikut kishin mësyrë mijëra vullnetarë nga të gjitha trojet e Kosovës.
Arifi, me disa luftëtarë nga Shqipëria, kishte kryer më herët stërvitjet ushtarake dhe ishte i gatshëm ta ndihmonte  luftën e UÇK-së në shumë drejtime. Duke qenë se kishte treguar aftësi, por edhe guxim e përkushtim, komanda e Zonës së Dukagjinit e kishte caktuar  në vijën e parë të kufirit, në Piramidën PC 4/3 dhe PC/4, e cila ndodhet në Padesh, afër fshatit Gjocaj të Junikut.
Në fillim të qershorit të vitit 1998, Arifi, së bashku me kushëririn e tij Qazimin,  ndodhej në krye të një ekspedite, e cila po sillte armë dhe municion për nevojat  e luftës sidomos në Frontin e Smolicës.
Më 26 qershor të vitit 1998, afër fshatit Babaj Bokës, Arifi së bashku me shumë luftëtarë, bie në pritë të forcave ushtarake e policore serbe. Pas një qëndrese të fuqishme dhe ballë për ballë forcave okupatore serbe, Arif Dautaj, bie në altarin e lirisë, për çlirimin e Kosovës, ashtu sikurse kishte rënë edhe xhaxhai i tij, shumë vjet më parë.
Atë ditë, tokën e Kosovë e skuqi me gjakun e tij edhe Qazim Dautaj dhe disa luftëtarë të tjerë.
Arifi ka qenë i martuar dhe ka lënë djalin, Florentin dhe gjashtë bijat, të cilët ndihen krenare për babain që ra në luftë për çlirimin e trojeve të Shqipërisë natyrale.
Familja e dëshmorit Arif Dautaj ka marrë mirënjohje  nga SHP i UÇK-së ndërsa me vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, është shpallur dëshmor i Atdheut. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …