Aristidh Kola, është arvanitasi i cili e bëri, e shtroi drejt dhe historikisht çështjen e arvanitasve në Greqi. Ai nuk u frikësua ta thotë të vërtetën, e cila me shekuj ishte mbajtur nën embargo, me pretendime që etnia arvanitase të humbiste të gjitha gjurmët, edhe pse ajo ka qenë dhe është e pranishme kudo në Greqi, në memorien tonë kombëtare, në histori, në kulturë, këngë dhe traditat popullore. Në studimet e tij, ai ka trajtuar një gamë problemesh të gjuhës arvanitase, në lidhje me emën gjuhën shqipe por edhe me gjuhët e vjetra të Ballkanit. Studimet e tij kanë zgjuar dhe zgjojnë interesimin e gjuhëtarëve kudo në trevat shqiptare e më gjerë.
Aristidh Kola u lind në Kaskaveli të Thivës ne Greqinë Qendrore, zonë e cila banohet kryesisht nga arvanitas. Ashtu si edhe mijëra e mijëra bashkëkombës të tij, u edukuan me frymën e dashurisë për traditat e të parëve, që trashëgoi kjo pjesë e popullatës shumëkombëshe e Greqisë së sotme. Aristidh Kola studioi për jurisprudencë në Athinë dhe pas mbarimit të universitetit, për shumë kohë iu përkushtua traditave kombëtare të arvanitasve në Greqi. Vepra e tij kryesore, “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, bëri një jehonë të gjerë në botën arvanitase; njohu 9 botime brenda dhjetë vjetëve. Kola botoi revistën “Besa”, si dhe revistën tjetë “Arvanon”. Këto revista pasqyronin jetën dhe traditat e botës arvanitase.
Bashkëpunoi me të gjitha rrethet e diasporës shqiptare në Botë. Ai mbante lidhje dhe bashkëpunoi me arbëreshët e Italisë, me shqiptarët e Amerikës, me intelektualë të Kosovës, të Turqisë dhe atyre të Shqipërisë. Ai ishte lidhur edhe me arbëreshët e Korsikës. A. Kola u bë i njohur në Greqi sidomos për përkrahjen morale që i dha luftës së UÇK-së duke u shfaqur në disa emisione televizive. Kjo shkaktoi reagimin e disa grupeve proserbe, me të cilat u ndesh në rrugë gjyqësore.
I qeshur dhe i dashur, Aristidhi, ishte mik i të gjithë emigrantëve shqiptarë në Greqi. Në zyrat e shoqatës arvanitase “Marko Boçari”, organizoheshin aktivitete politiko-kulturore për Shqipërinë, si dhe për personalitete të rëndësishme arvanitase të Greqisë. Aristidh Kola ka bërë një punë këmbëngulëse për afirmimin e identitetit arvanitas në Greqi. Ai nisi hartimin e fjalorit arvanitas, vepër të cilën nuk arriti ta përfundonte. A. Kola vdiq në vitin 2000 pas një sëmundjeje të rëndë
Veprat e tij më të njohura janë:
Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, 1983.
Gjuha e Perëndive, 1989.
Deklarata e Bashkimit Arvanitas. Fjalori korrigjues i fjalëve arvanitase
Fjalori Korrigjues i fjalëve arvanitase
Fjalori Krahasues i Gjuhës Shqipe
Greqia në Kurthin e Serbëve të Milosheviçit
Kënga e Mercenarëve, prejardhja e grekëve.
Mithi dhe e Vërteta
Varrimi i Tretë i Marko Boçarit.
Vepra “Gjuha e perëndive” e Aristidh Kolës – vizion mendimtari apo hipotezë shkencore
Në mesin e librave, që trashëgojmë prej Aristidh Kolës, pa më të voglën mëdyshje, “Gjuha e Perëndive”, ka një vend të veçantë: -Sepse rimerr tezën e rilindësve dhe të një mori figurash të përbotshme mbi origjinën pellazge të shqiptarëve, si dhe të mundësive të gjuhës shqipe për të shpjeguar kuptimin e miteve, që kanë emërtuar Zotat; -Sepse fatin e arbëreshëve e merr si të pandarë nga fati i Greqisë. -Sepse hipotezën për të lidhur origjinën e shqiptarëve me pellazgët e ndërthur, me gjasë me botën pellazgjike, shoqëruar me parashtrime mitologjike, historike, arkeologjike dhe sidomos gjuhësore.
Bota pellazgjike, me gjasë pluhuri kozmik, një pasqyrë e paraqytetërimit greko-romak, që vazhdueshëm përndizet në mite, gojëdhëna dhe fjalë, pra duket dhe zhduket, ka zgjuar interes herë pas here. qysh nga shekulli XIX. Pjesë e këtij vështrimi që dikur ka zgjuar interes, e pastaj është fashitur, është lënë mbas dore, është edhe libri “Gjuha e Perëndive” i Aristidh Kolës. Mëdyshja e autorit, sesi do të pritej libri, na vjen qysh në hyrje, kur shprehet: … me bindjen se ishte fjala për dokumente historike të pakundërshtueshme të shkencëtarëve të katedrave e riprodhojnë me mentalitetin e tyre prej dhaskali, pikërisht ashtu siç mbjellin në mendjen e fëmijëve tanë mësuesit se mitologjia hebraike është e frymëzuar nga perëndia dhe është e pakundërshtueshme, kurse mitologjia greke është diçka si në përrallat arabe.
Në një kohë kur duhet theksuar se gjithë përmbajtja dhe substanca e botës së Greqisë së vjetër fshihet në mitologjinë greke (2003: 12), duke paralajmëruar kështu se ku fle enigma. Pikërisht, kjo rrethanë amorfe, gati-gati e një qëndrimi pasiv ndaj librit, e sidomos ndaj problemit pellazg, që herë pas here, ndizet dhe fiket, bëri që librin, me të gjitha parashtrimet e veta, ta vendosim në një situate të debatueshme. Pra, libri “Gjuha e Perëndive”, në këtë qasje dhe ligjëratë, do të vështrohet në dy rrafshe:
Së pari: Si një vizion mendimtari mbi botën e lashtësisë, qytetërimin greko-romak, që buron prej mitologjisë, e cila mundësoi artin e lashtësisë, në letërsi, pikturë dhe skulpturë, ndërkaq që vetë mitologjia është vatra për të kundruar qytetërimet më të hershme, pra edhe botën pellazgjike, të cilën autori duket se e njeh deri në detaje.
Së dyti: Trajtimin e një problemi, që prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e studimeve, mbase më tepër të një hipoteze të përqasjes dhe kthjellimit të mugullimave të kohës, me gjasë edhe të yllësisë pellazgjike, që megjithatë jo rrallë, vërtitet me përndritjet e një meteori.
Duke cekur gjenezën e zotave
Libri “Gjuha e zotave”, fillimisht botohet në greqisht në Athinë, në vitin 1989, ndërsa në vitin 2003, plotësohet ëndrra e autorit, duke u botuar në gjuhën shqipe, me titullin “Gjuha e Perëndive”. Titulli në gjuhën shqipe, të shpie tek formulimi i Dhimitër Kamardës, kur shprehej: Gjuha Arvanitase është gjuha e Perëndive, që duket se shërben si shtysë parake për autorin për të kërkuar pikërisht në këto shtigje. Libri “Gjuha e Perëndive”, është konceptuar në 17 krerë të gjatë, ku merret në shqyrtim bota qysh në zanafillë dhe tentohet që të bëhet lidhja me perënditë e botës antike, duke kërkuar rrënjët e tyre në arvanishten/shqipen. Pjesë integrale e këtij libri, pa mëdyshje janë edhe hyrja, epilogu, bibliografia, ku janë përfshirë 103 zëra, që përbëjnë një literaturë të përfillshme.
Atëherë, duket se vizioni i mendimtarit, lidhet ngushtësisht me praninë e botës mitologjike, që ngjiz dhe zbukuron letërsinë antike. Mirëpo shumëçka sot e gjithë ditën mbetet enigmë dhe e pashpjeguar. Libri “Gjuha e Perëndive”, për problematikën e gjerë dhe kahjet kërkimore, në verifikimin e misterit pellazgjik, e kapërcen vizionin e mendimtarit dhe, përfshihet në qasjen e shpjegimit të misterit të botës pellazgjike, dhe diçka më tepër, përfshihet në shtjellat e një hipoteze të parashtruar para dhe pas Aristidh Kolës. Megjithatë, nuk duhet harruar rregulli se fillesat e kërkimit shkencor nisin me shtjellime hipotetike. Prandaj hipoteza, mbi gjasën e përcaktimit të emrave të perëndive me anë të arvanishtes/shqipes, në shqyrtimet e Aristidh Kolës, ecën mbi parashtrime historike, arkeologjike, mitologjike dhe sidomos gjuhësore.
Thelbi i qasjes, pikëmbështet në shtjellimin e prejardhjes së fjalëve, e kërkimit dhe shënimit të rrënjëve të lashta, përmes etimologjisë, që në disa herë nuk qëndron, e në jo pak raste bart një thelb konceptual të autorit, që i kushtoi kësaj çështje vite kërkimore. Duke i vështruar më në brendësi trajtesat e librit “Gjuha e Perëndive”, të sjella gjithnjë me anë të qasjes etimologjike, kontributi kërkimor, gjendet i qarkëzuar nga prania e dy parimeve: A – Rruga e zgjedhur që përmes shpjegimit të origjinës së emrave të perëndive të lashtësisë, bazuar në fjalët e arvanishtes/shqipes, shoqëruar me përqasje me gjuhët tjera, të lashta dhe moderne, është e njohur edhe më parë dhe diku ka dhënë rezultat.
B – Përfundimet ku arrin autori, të natyrës kërkimore dhe shkencore, varësisht dritëhijeve në shpjegimin e pluhurit kozmik pellazg, për ta rikthyer problemin pellazg në tryezën e debatit si hipotezë, nuk vijnë plotësisht të formësuar, në të gjitha rastet dhe trajtesat, sepse vetë problemi pellazg vijon të trajtohet si një hipotezë dhe vijon të mos ketë hapësirën e mjaftueshme, sidomos në institucionet e shpallura si shkencore. Prandaj në këtë sipërmarrje tepër të ndërlikuar, në kuptimin e shpjegimit të botës së Zotave me anë të arvanishtes, pra të gjuhës shqipe, vihen re dy prirje:
– Përpjekje për të mbërritur tek gjeneza e fjalës, përmes krahasimit të secilit nga emërtimet e perëndive, që e gjen shpjegimin në gjuhën arvanitase, pasi është sjellë fjala në disa nga gjuhët e tjera. Në morinë fjalëve, si më të argumentuarat duken këto raste: – fjala Kaosi: hap-zgjeroj; – Di, që kanë kuptimin e dritës e ndriçimit, që vjen në këto forma: Ditë-pjesë e kohës që ka dritë, Dihet-gdhihet, domethënë bëhet ditë (di), udi-u gdhi, Dieg-djeg, diget-digjet, pra ndriçon, Di-njoh, mësoj, domethënë ndriçoj mendjen time; midea-mendime, arvanite: med(ment)-mendja, truri, mendimi, krahaso Mentor, këshilltar i ditur i Odhiseut; tamël-amëlt, mialt-mjaltë; Afërdita-ofra-të Homerit, afron dita-vjen dita, afërdita-është afër dita dhe Afrondita-po vjen dita, d.m.th drita etj.
– Nga ana tjetër, në këtë shqyrtim etimologjik, kemi edhe raste, që nuk të bindin deri në fund, në krahasimet me gjuhët e tjera, e sidomos në këmbënguljen për t’i lidhur vetëm me arvanishten/shqipen, si në fjalët: nëna, e krahasuar me disa nga gjuhët e hershme dhe të tanishme; Apollon-latinisht Apollo, me një rrënjë të qëndrueshme Ap-, që do të thotë prapa, përsëri, gjene etj.
Hipoteza e shtruar, për të cekuar gjenezën e Zotave, duke u mbështetur mbi fjalorin e arvanishtes/shqipes, që theksohet nga autori edhe në Epilog: Siç treguam, panteoni i Olimpit u ndërtua këtu, në këtë vend të Ballkanit dhe rrënjët e tij i ka thellë në shekuj dhe mijëvjeçarë, pavarësisht se me zhvillimin e regjimeve mori pamjen konkrete dhe të realizuar që na ruajti Homeri dhe Isiodi (2003: 313). Afërmendësh, në hapësirat e këtij teksti, nuk është se merr përsipër që të jap përgjigjen përfundimtare, rreth gjenezës së Zotave dhe të gjuhës së tyre, por jep kontributin e vetë, në disa aspekte gjuhësore dhe historike, për ta marrë në shqyrtim, hipotezën e botës pallazgjike.
Shumica e albanologëve, për shumë kohë, rrënjët e arbënorëve/shqiptarëve, në shumicën e trajtimeve të tyre, i kanë lidhur me ilirët. Krahas kësaj teze, shpesh herë të argumentuar, me dëshmi arkivash dhe shenja të mirëqena arkeologjike dhe historike, mbi origjinën ilire të shqiptarëve, duke nisur nga shekulli i XIX, e në vazhdim, në studimet historike, gjuhësore dhe arkeologjike, është hedhur edhe hipoteza e origjinës pellazge të arbënorëve/shqiptarëve, që kundrohet si e tillë nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, nga J. De Rada, S. Frashëri, P. Vasa, Z. Jubani, etj.
Madje, nga studimet e albanologjisë së huaj, por edhe asaj shqiptare, E. Çabej, S Anamali, V. Cimochovski, S. Konda, Dh. Pilika, P. Zheji, Xh. Katapano, R. d’ Angely, “Enigma”, V. Dorsa, E. Gatti, J. Milaj, Zh. K. Faverial, Mathiu Aref, George F. Ëilliams, H. Inalçik, A. Ducellier, A. Benac, P. Cabanes etj. , gjatë shekullit të njëzet është hedhur edhe hipoteza e pranisë së një paraqytetërimi, pra atij pellazg, që ndërkaq ka gjasa që të ketë mundësuar vetë ekzistencën e qytetërimit grek dhe romak, pra europian, gjithnjë sipas përfundimeve të këtyre të fundit.
Shënim: Kjo kumtesë u mbajt në konferencën shkencore për 70-vjetorin e lindjes së Aristidh Kolës. Kumtesa interesante janë lexuar edhe nga prof. Nasho Jorgaqi, Irakli Koçollari, Kolec Traboini, Dorian Koçi, etj)
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com, në 9 Korrik 2014