Arjeta Perlushkaj: Intervistë me Marko Kepin, kryetar i organizatës: “Rënjët Shqiptare”

Arjeta Perlushkaj: Intervistë me Marko Kepin, kryetar i organizatës: “Rënjët Shqiptare”

“Rënjët Shqiptare” identifikohet me “Paradën Shqiptare” në Amerikë

 

 Perlushkaj: Sa vite ka “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots”?

Kepi: Këtë vit “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots” mbush plot 9 vjeç.

 

Nga se u nis “Rrënjët Shqiptare” dhe e kujt ishte idea e vënies së këtij emri?

Ishim një grup të rinjsh që donim të krijonim një organizatë që të kishte frymë unifikuese mes shqiptarëve. Donim një organizatë që të ishte jashtë politikës, fesë dhe diferencave krahinore. Një sugjerim të tillë na e pati dhënë edhe miku ynë Joseph DioGuardi. Emri u propozua nga kryesia dhe gjeti një miratim unanim. Kështu lindi “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots”.

 

Cila është struktura e “Rrënjëve Shqiptare”? Si jeni të organizuar e ku jeni të shtrirë si degë?

Është grupi ekzekutiv, i cili ka selinë qendrore në New York dhe ka këtë strukturë: Marko Kepi (president), Nikë Beqi (zv./president), Bujar Gjata (zv./president), Enkolana Çekaj Mundija (sekretare), Vijona Malota (financiere).
Kemi degët në Michigan (me perfaqësues Endrit Topallin), në Texas (me përfaqësues Besmir Hoxha) dhe dega në Illinois.
Gjithashtu, kemi degët në grupet universitare: “John Jay College Albanian Roots Club”, “St.Francis College Albanian Roots Club” si dhe grupin që u themelua sivjet nga zonja Afërdita Delaj: “Albanian Roots Cheerleaders”.
I gjithë ky staf punon vullnetarisht dhe burimet e fondeve tona janë: anëtarësitë dhe sponsorizimet.

 

Marko, çfarë do të thotë për ty të drejtosh “Rrënjët Shqiptare”?

Ndjej krenari, pa diskutim. Kur shoh që na bashkohen shqiptarë nga shumë shtete të Amerikës, ndjej kënaqësi dhe njëkohësisht një përgjegjësi të madhe që të punoj edhe më fort për komunitetin shqiptar.

 

Stafit: Si vijon puna me Marko Kepin në krye?

Jo sepse duhet thënë se është kryetari, por deri tani gjërat kanë shkuar mirë. Kjo tregohet edhe nga jetëgjatësia e organizatës. Brenda grupit ekzekutiv ka dakordësi dhe vizioni me të cilin presidenti e udhëheq organizatën tonë, është një vizion që i përshtatet edhe botëkuptimit tonë, pa u imponuar. Mendojmë se ky është çelësi i suksesit.

 

Ku shtrihet interesi i “Rrënjëve Shqiptare”?

 Fokusi jonë kryesor është grup-mosha 15-30 vjeç, brezi i ri i shqiptarëve që kanë lindur këtu në Amerikë. Me kontributin tonë, duam që të ndihmojmë këtë grup-moshë që të integrohen në kulturën amerikane duke mos u asimiluar. Secili aktivitet i yni përqëndrohet tek ky qëllim.
Një tjetër angazhim i yni është ndihmesa tek po i njëjti grup-moshe, por për shqiptarët në trojet e tyre.   Në këtë projekt kemi një bashkëpunim shumë të mirë me fondacionin “Mbretëresha Geraldinë”, ku përpiqemi që t’i krijojmë kushte më të mira edukimi e shkollimi të rinjve shqiptarë.

 

Kush ka besuar në ju që në fillim kur keni prezantuar këtë projekt: “Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots”?

Joseph DioGuardi ka qenë personi që na ka besuar menjëherë dhe na ka mbështetur vazhdimisht. Gjithashtu edhe Richard DioGuardi. Mjaft anëtarë të “Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane/Albanian-American Civic League” na kanë promovuar si organizatë dhe kanë dhënë donacione. Kemi marrë mbështetje edhe nga senatori Martin Golden dhe këshilltari i Bashkisë së New York-ut David Greenfield, etj.

A mund të na flisni pak për aktivitetet që ju organizoni? Bëni një plan vjetor për to?

 “Parada Shqiptare” është aktiviteti jonë kryesor. Për pjesën më të madhe të aktiviteteve, sigurisht që bëhet një plan vjetor. Përmendim këtu Paradën, aktivitetet për festat zyrtare e data simbolike si p.sh. festat e flamurit e të pavarësisë, pavarësia e Kosovës etj.
“Rrënjët shqiptare” janë të pranishëm në komunitet duke organizuar edhe panaire, pikniqe, festivale, protesta, takime me personalitete, promovime, qofte librash apo talentesh, përmendim rastin e sportistit Reshat Mati etj.
“Rrënjët shqiptare – Albanian Roots” identifikohet me “Paradën Shqiptare”. Na flisni pak për këtë aktivitet kryesor tuajin.
Deri tani kemi organizuar nëntë të tilla. Në secilën parade ne mundohemi që t’i kushtohemi një çështjeje apo një personaliteti që na identifikon, që na duhet ta promovojmë në mënyrë që t’i tregojmë botës mbarë se nga vijmë, kush jemi e çfarë duam ne si komb. Disa nga paradat e organizuara ndër vite janë: Çamëria (2010), Shqiptarët në Mal të Zi (2011), Shqipëri Etnike (2012), Jemi një (2013), Të gjithë kemi rrënjë shqiptare (2014), Ilirida është Shqipëri (2015), Nënë Tereza (2016) si dhe sivjet: Arbëreshët.

 

Çfarë iu kërkoni sot shqiptarëve të Amerikës?

 Iu bëjmë thirrje që të angazhohen më tepër për komunitetin shqiptar. Të rinjve iu bëjmë thirrje që të anëtarësohen në organizatën tonë. Procedura bëhet online dhe anëtarësimi është thjesht 20$ në vit. Këto fonde shërbejnë për mbulimin e aktiviteteve që organizata zhvillon. Që nga dita e themelimit, numerojmë 5 mijë anëtarësime në organizatën tonë.

 

Cili është mesazhi për të rinjtë shqiptaro-amerikanë që duan të jenë të suksesshëm në SHBA?

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vendi i vetëm në botë ku mundësitë janë pafund. Është e rëndësishme që të kenë idetë e qarta se çfarë duan. Të rinjve shqiptaro-amerikanë iu themi që të integrohen në shoqërinë amerikane por jo duke u asimiluar. Të ruajnë ekuilibrin mes origjinës dhe kulturës së re ku duan të bëhën pjesë.

Na tregoni një link ku mund t’ju ndjekin shqiptarët në çdo njoftim apo aktivitete që ju zhvilloni.

Më së shumti na gjeni ne faqen tonë në facebook: Albanian Roots – Rrënjët shqiptare. Por kemi edhe website-in: www.albanianroots.org si dhe në Instagram: albanianroots.

 

Na jepni një mesazh në prag të paradës: pse shqiptarët duhet të vijnë në New York, të shtunën me 17 qershor, në 43rd Street 6th Ave?

Ka shumë arsye pse çdo shqiptar duhet t’i bashkohet Paradës Shqiptare.
Së pari, të përcjellim shembullin tek ata komunitete ku nuk respektohen e nuk ndihen të lirë shqiptarët. Së dyti, t’i tregojmë botës mbarë se është kombësia ajo që i bashkon shqiptarët dhe se ne, jo vetëm e njohim por edhe e gëzojmë harmoninë ndërfetare e ndërkrahinore ndaj duhet të mblidhemi të gjithë. Së treti, të ekspozojmë para syve të të gjithëve kulturën tonë, traditat tona dhe të dëshmojmë se jemi ndër popujt më të vjetër të Europës. Së katërti, është një detyrim ndaj atdheut tënd por gjithashtu edhe një largim nga rutina e përditshme e jetës amerikane dhe shijon një ditë plot me festime në shoqërinë e bashkëatdhetarëve të tu.

 

A mund të na zbuloni ndonjë detaj posaçërisht për ne?

Kemi mjaft surpriza të bukura që nuk duam t’i zbulojmë megjithatë, një prej tyre po jua tregojmë lexuesve të kësaj interviste: kemi një të ftuar special nga Europa që na e ka konfirmuar praninë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …