Armend Selim Daci (20.4.1976 – 21.4.1996)

Armend Selim Daci (1976 – 1996), me rastin e përvjetorit të rënies)

Armend Daci, lindur më 20 prill të vitit 1976, në Deçan të Dukagjinit. Biri i denjë i një familje të ndershme, atdhedashëse dhe intelektuale, familje e shquar ndër brezni, që tokës mëmë i ka dhënë shumë. Armendi që nga mosha e re, ishte brumosur me ide atdhedashurie për të qenë i dobishëm në shërbim të shoqërisë, zhvillimit dhe përparimit të vendit. Ky ishte misioni dhe përkushtimi i Armendit deri sa ai iku në përjetësi.

Si edhe bashkëmoshatarët e tij, Armendi shkollimin e kishte filluar në fshatin e lindjes Irzniq. Më vonë mësimet i vazhdon në Prishtinë, pasi prindërit (babai i tij, profesori i nderuar Selim Daci kishte kaluar me punë në Prishtinë). Pas mbarimit të shkollës së mesme, Ai kishte shpirt humanisti, prandaj edhe ishte përcaktuar për të studiuar në mjekësisë.

Armendi, ishte student i dalluar, djalë shembullor, atdhedashës i pashoq, njeri me shpirt human… ishte dhe mbeti krenaria jonë kombëtare, emri i Armendit në mesin e dhjetëra e qindra bijve tanë studentë liridashës të Kosovës, zbukurojnë lirinë e atdheut tonë të përbashkët, pa emrat e tyre, liria jonë nuk do të shënohej aq lehtë, me emrat e tyre shënuar me shkronja të arit thellë në zemrat tona, historia jonë më e re kombëtare mbanë kokën lartë, më lartë se të gjithë shoqet e saja!…

Me gjithë vështirësitë e asaj kohe, sikurse të gjithë shkollarët tanë, krahas mësimeve edhe Armendi, kohën tjetër po e shfrytëzonte në aktivitete të lira- në veçanti ai po i kushtonte kujdes të shtuar përgatitjes me sporte luftarake në klubin “Ariani”, ku kishin stërvitur së bashku me Edmond Hoxhën, Adrian Krasniqin- tani Dëshmorë të kombit e shumë të rinj tjerë të asaj kohe që Kosovës iu bënë shpresë lirie.

Armendi ishte njohur që herët me Edmond Hoxhën, me Adrian Krasniqin dhe me shumë studentë të asaj kohe që ranë për liri të atdheut. Ata së bashku kishin zhvilluar aktivitete politike, si në përgatitjen e rinisë  studentore për demonstrata, protesta e mos dëgjueshmëri masive, për reagime me peshë dhe të njëpasnjëshme kundër pushtuesit serb, por edhe ishin përgatitur  që me pushtuesin serb të shiheshin përmes tytës së pushkës!… Ata krahas veprimtarisë politike, po bënin edhe përgatitje për vënien e filleve të para të njësiteve guerile anë e kënd Kosovës. Si duket mbi këtë bazë, pushtuesi serb kishte pikasur dhe zbatuar edhe vrasjen e mëvonshme të Armendit dhe të shumë të rinjve tanë.

Në orët e kobshme të mbrëmjes së 21 prillit 1996, Armend Daci vritet nga krimineli serb, Zllatko Jovanoviq, nga Prishtina, i cili e qëllon atë me snajper nga tarraca e banesës së tij! Armendi u vra nga krimineli serb Jovanoviq sa po kishte mbushur të 20-tat! U vra sa po kishte filluar jetën, u këput një lule në mes, u vra mizorisht një djalë që po i duhej Kosovës, rinisë se saj kryengritëse e liridashëse, u vra një ushtarë që po i duhej lirisë së Kosovës dhe shokëve të tij studentë të rreshtuar në radhët e UÇK-ës, u vra në lulen e rinisë kur më së shumti po i duhej familjes së tij, u vra por ai nuk ka për të vdekur kurrë, ngase aspiratat e tij për liri u bënë realitet nga shokët e tij të cilët luftuan armikun edhe në emrin e Armendit!…

Kushtrim i luftëtarëve të lirisë për mobilizim të përgjithshëm,  ishte një arsye më shumë për të shpaguar gjakun e rënë të Armendit dhe shokëve të tij, të cilët vetëm liria dhe bashkimi i tokave shqiptare i bënë ata që të prehen të qetë në gjirin e tokës mëmë!

Ti, babë Selimi, nënë Emine, motra dhe vëllezër të Armendit, ta mbani kokën lartë për birin tuaj që ia keni falur tokës shqiptare. Për jetë të jetëve, deri në amshim, emir dhe vepra e Armendit do të nderoj Kosovën, Shqipërinë dhe aspiratat tona për liri e bashkim kombëtarë.

Në vend të përfundimit:

Që nga atëherë e deri me sot, as nga administrata e UNMIK-ut, as nga kjo e EULEX-it, as nga ndonjë gjykatë tjetër ndërkombëtare, as nga ajo vendore nuk u ndërmor as edhe një hap hetimi apo gjurmimi kundër kriminelit Zllatko Jovanoviq , që vrau të riun Armend Dacin, as kundër Delibashiqëve që vranë studentë në pranverën e viti 1981, as kundër serbëve që vranë Shukrije  Musliun në oborrin e vet, as kundër atyre që vranë Selman Vojvoden, Sami Babajn, Fadil Tallën, Bedri Sokolin, Ylfete Humollin, Mulollet në oborrin e shtëpisë së vet, me tej vranë mbi 400 qytetarë tanë anë e këndë Kosovës. Në vitet e 90-ta, nga ish Kazermat ushtarake te ish Jugosllavisë, u kthyen në arkivol të masakruar në mënyrën më mizore mbi 75 ushtarë shqiptarë, djem të ri të cilët ish JAN, i vrau në bukë të vet!…  E më pas për të vazhduar vrasjet e krimet mbi shqiptarë, aparati pushtues serb vrau mbi 1400 fëmijë në Kosovë, mbi 1800 gra, mbi 11 mijë civil pa dallim moshe e gjinie!, përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare, masakrat e Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Poklekut, Logjës, Mejes, Reçakut, Izbicës, Qyshkut, Në podujevë, Vushtrri, Skenderaj, Studime e ku jo, dëbimin e mbi 1 milion shqiptarëve nga shtëpitë e veta etj. Zhdukën mbi 1600 kufoma të shqiptarëve, dogjën mbi 500 mijë shtëpi e godina tjera në Kosovë, plaçkitën mbi 500 mijë orendi shtëpiake, makina bujqësore, aparaturë të ndryshme, vegla tjera punë, plaçkitën dhe vranë e dogjën të gjalla në shtallë mbi 300 mijë bagëti, vranë edhe qentë në zinxhirë…,  plaçkitën dhe dogjën mbi 100 mijë vetura, plaçkitën makineritë e dhjetëra fabrikave anë e kënd Kosovës e çka jo. Minuan me qindra hektarë fusha, toka, pyje, ara të Kosovës pasojat e të cilave ne po bartim edhe sot!

Kush më thotë:

A është hetuar kush për këto krime deri me sot, cilët janë këta kriminel serb?

Kush u dënua, kush u arrestua, kush kërkoj të paktën një falje nga Serbia për gjithë këtë krim e tmerr që zbrazi mbi shqiptarët?

Serbia, as sot e gjithë ditën, nuk denjon të bisedoj për këto krime, përdhunime e plaçkitje që ka bërë mbi popullatën shqiptare të Kosovës!

Ku është drejtësia e Evropës demokratike me këtë rast, a nuk është kjo fund e krye drejtësi selektive, kë e nderon kjo qasje kaq anemike e BE-së?

Ku qëndron fakti që drejtësia ndërkombëtare në mënyrë krejt të hapur, neglizhon, fsheh, hesht dhe mbulon krimet serb me tisin e harresës, zbatuar me vite të tëra mbi shqiptarë që po kërkonin as më pak e as më shumë se lirinë e vet!

Supozojmë:

Po të ishte ndryshe; sikur këto krime t’i kishin bërë shqiptarët, mbi serbet dhe territorin e tyre (gjë që shqiptarët nuk i bëjnë dhe nuk i kanë bërë kurrë as dje, as sot, as nesër), çka do thoshte Evropa dhe bota për ne shqiptarët më pastaj e që nuk po e thonë për kriminelët serb?!…

Po sikur një shqiptarë në vitin 1996, ta kishte vrarë nga tarraca e tij në Prishtinë (për pikë të qejfit Jovanoviqin – ashtu siç e vrau Jovanoviq të riun Armendin?). Pa dyshim se administrata e UNMIK-ut dhe EULEX-it, nuk do të linin gurë pa lëvizur vetëm e vetëm për t’ia plotësuar kërkesat e Serbisë, do të ia demolonin shtëpinë, do ta arrestonin shqiptarin, do ta dënonin, do ta akuzonin për kriminel!

Nëse drejtësia ndërkombëtare është kaq selektive, kjo më së paku i duhet Kosovës?!

Zvicër, 21. 4. 2019

Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …