Gazetari, Arsen Rusta, me anë të një reagimi ka zbardhur detaje të reja në lidhje me vazhdimin e hetimit të SPAK ndaj ish presidentit Ilir Meta. Sipas gazetarit Meta është në hetim për korrupsion dhe falsifikim formularësh, ku SPAK pritet të marrë të dhëna edhe në SHBA për pagesat e kryera për llogari të lobimit të Metës.
Por për çfarë po e heton SPAK Ilir Metën? Mësohet se ish-presidenti dyshohet për 2 vepra penale, korrupsion pasiv dhe falsifikim formularësh, dhe sipas ligjit, rrezikon deri në 15 vite burg. Prokurorët kanë në duar kontratat e lobimit të Metës në SHBA me para që nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKP dhe pritet që me letërporosi të marrë të dhëna edhe në SHBA.
SPAK, në kuadër të procedimit 122 të vitit 2022, në bazë të kallëzimit të ish deputetit Halit Valteri për çështjen e lobimit me para të padeklaruara në SHBA, ka marrë nën hetim Ilir Metën për dy akuza penale, për të cilat parashikohet deri në 15 vite burg. Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg.
Në kallëzimin penal thuhet se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasuri, mospagim taksash etj.
Si fakte, në kallëzim thuhet se Ilir Meta dhe LSI-ja kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA me kompaninë McKeon Group në vitin 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë, duke fshehur shpenzimet si në KQZ, ashtu edhe në ILDKPKI, siç e parashikon ligji.
Bashkangjitur kallëzimit penal janë kontrata e lobimit, raporti financiar i LSI në vitin 2017 si dhe deklaratat e pasurisë së Metës, Kryemadhit dhe Vasilit për vitin 2017. Ballafaqimi i këtyre dokumenteve implikon rëndë Ilir Metën, por edhe Petrit Vasilin dhe Monika Kryemadhin.