Akademiku Arsim Bajrami, një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, ka vlerësuar se Kushtetuta e Kosovës është ndër më të fortat në Evropë për sa i përket ndërtimit dhe mekanizmave të saj. Ai theksoi se çdo ndryshim i Kushtetutës, qoftë edhe një modifikim i thjeshtë teknik, kërkon tri konsensuse: atë politik mes të gjitha partive, atë ndër-etnik mes deputetëve të grupeve të garantuara dhe një pajtueshmëri që është e domosdoshme për të siguruar paqen dhe stabilitetin e vendit. Bajrami theksoi rëndësinë e sanksioneve kushtetuese, të cilat janë politike dhe lidhen me të tre pushtetet. Ai shpjegoi se Kushtetuta e Kosovës ka dy premisa kryesore: e para është lindja dhe njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës, një fakt që është i rëndësishëm për shqiptarët dhe për shtetndërtimin e Kosovës si një rast “sui generis” (i veçantë), dhe e dyta është trajtimi i pakicave, sidomos i pakicës serbe, që ka përfituar nga një trajtim ekstra-kushtetues.
