Arsim Mehmeti: Ofensiva serbe në Drenicë 22-26 shtator 1998

Ofensiva ushtarake serbe e zhvilluar nga 22-26 shtator 1998 në Drenicë përbën një nga sulmet më të mëdha dhe më brutale gjatë luftës së Kosovës. Ky operacion terrorist u realizua sipas një strategjie të planifikuar nga udhëheqja kriminale e kasapit Millosheviq, me qëllim asgjësimin total të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zhdukjen e popullatës shqiptare të Drenicës, e më pas të gjithë Kosovës, sipas platformës së Akademisë serbe.
Në përballje me falangat çetnike qëndroi shoku i ngushtë i komandantit legjendar Adem Jashari, i ardhur nga Perëndimi, atdhetari i paepur i lirisë, komandanti emblematik i Brigadës 114 të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, së bashku me bashkëshorten e tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Lufta dhe rënia e tyre heroike më 22 shtator 1998 në Gradinën e fshatit Shkabë, i bënë simbol të trimërisë dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
Drenica ishte nën shtetrrethim të hekurt policor dhe ushtarak jugosllav. Këto forca vazhduan operacionet shkatërruese në pjesë të tjera të Drenicës, duke zhvilluar luftime të ashpra në Prekaz, Mikushnicë, Llaushë, Aqarevë, Rezallë, Abri të Epërme dhe në fshatrat përreth Kosmaçit, Berishës e Blinajës. Në këto beteja ranë shumë dëshmorë të UÇK-së, duke dhënë jetën për lirinë e vendit.
Ushtria serbe, e armatosur rëndë, me qindra tanke dhe mijëra ushtarë e paramilitarë këmbësorie, depërtoi në zonat e thella të fshatrave të Drenicës dhe me metoda barbare, përdori popullatën civile shqiptare si mburojë për të shmangur përballjet direkte me luftëtarët e UÇK-së. Më 24 shtator 1998 në malet e Çyçavicës bie dëshmorë në krye të detyrës humanitare e shëndetësore, themeluesi i Spitalit Ushtarak të UÇK-së në Gradicë, Dr. Lec Leci dhe nipi bashkëluftëtar, Adem Lushtaku.
Duke ndjekur strategjinë e pastrimit etnik dhe shkatërrimit masiv të infrastrukturës dhe pronës së banorëve të Drenicës, ushtria çetnike serbe vrau dhe masakroi qindra civilë shqiptarë. Një nga rastet më tronditëse ishte masakrimi i 23 anëtarëve të familjes Delijaj në Abri të Epërme më 26 shtator 1998, duke përfshirë pleq, gra dhe fëmijë, ngjarje që shënoi fundin e ofensivës së përgjakshme në Drenicën martire.
Një nga objektivat kryesorë të këtij operacioni gjakatar ishte asgjësimi i plotë i UÇK-së dhe udhëheqjes së saj, për të prezantuar këtë veprim para bashkësisë ndërkombëtare si një “neutralizim të terroristëve” shqiptarë në Kosovë, duke u siguruar që nuk do të mbetej asnjë celulë për rimëkëmbje dhe kryengritje të mëvonshme.
Ofensiva përfundoi nga presioni i madh ndërkombëtar ndaj Serbisë, duke rezultuar me marrëveshjen e armëpushimit përmes ambasadorit Richard Holbrooke dhe Millosheviqit për tërheqjen e forcave serbe nga disa zona. Megjithatë, Serbia nuk e respektoi marrëveshjen dhe lufta u përhap në të gjithë Kosovën.
As UÇK-ja nuk u ndal, përkundrazi, u mobilizua me vullnetarë të shumtë që erdhën nga Perëndimi për të vazhduar luftën në terren. Gradualisht, UÇK-ja mori mbështetjen e aleatëve euroatlantikë, me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe në krye, të cilët organizuan Konferencën e Rambujesë në Francë nga 6-23 shkurt 1999 për dhënien fund të luftës në Kosovë.
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga lideri i UÇK-së, z. Hashim Thaçi, firmosi marrëveshjen, ndërsa pala serbe e braktisi. Kjo u pasua nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s më 24 mars 1999, me bombardimet e caqeve serbe në koordinim me veprimet e UÇK-së në terren, deri në çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999.
Kjo ngjarje tragjike dhe e lavdishme e popullit tonë në krye me UÇK-në, që u përball me supërfuqinë evropiane siç ishte armata e ish Jugosllavisë, do të mbetet e shënuar në historinë e Kosovës si fitore e madhe e jona. Si luftëtar i UÇK-së do t’i mbaj në mendje me nder dhe krenari të gjitha përjetimet e luftës fillim e mbarim, posaçërisht ofensivën e shtatorit ‘98!
Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve për liri!

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami: Realiteti është më i zëshëm sesa propaganda e Qeverisë dhe e Vetëvendosjes

Gjatë fundjavës kujdestarë për propagandë ishin Albin Kurti, Hekuran Murati dhe Armend Muja. ALBIN KURTI, …