Në një reagim të KDMLNJ-së thuhet se ish kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi bëri kërkesë për herë të katërt që t’i lejohet vizita humanitare për ta vizituar babanë e sëmurë dhe të moshuar. Arsyetimi i Gjykatës Speciale ishte në kundërshtim të plotë me të drejtat e personave të privuar nga liria e që garantohen me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Presidenti, Hashim Thaçi ishte në dy vizita humanitare në Kosovë duke respektuar me përpikëri kushtet e përcaktuara nga kjo Gjykatë për vizitat e tilla. Nuk ishte regjistruar asnjë shkelje nga z. Thaçi që do të përdorej si arsyetim për refuzim të kërkesës. Haxhi Thaçi, 86-vjeçar babai i presidentit Thaçi ishte pranuar në QKUK për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore. Autoritetet shëndetësore të QKUK-së kanë dërguar dëshmi për gjendjen shëndetësore të babait të presidentit por se nuk ishin marrë parasysh nga GJRS-ja. Si alternativë, GJRS-ja kishte propozuar që Hashim Thaçi ta “vizitojë” babanë përmes video lidhjes thuaja së 86-vjeçari na qenka ekspert për këso biseda ndonëse është në moshë të shtyrë dhe i sëmurë rëndë. Ngjashëm pati vepruar edhe me rastin e vdekjes së vëllait të Nasim Haradinajt kur nuk e lejuan të marrë pjesë në ceremoninë mortore.
